E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stina e pranverës, kujdes për alergjinë dhe astmën

TIRANË- Stina e pranverës, me lulëzimin e luleve, shton rrezikun për shfaqjen e alergjive, ndaj mjekët apelojnë për kujdes sidomos gjatë kësaj periudhe. 

Mjekët pohojnë se kujdes i veçantë duhet treguar për fëmijët, por edhe të moshuarit e të sëmurët kronikë. Kjo, pasi, sipas tyre, shfaqja e kësaj sëmundje është karakteristike më shumë për moshat e reja, kryesisht fëmijët dhe të rinjtë. Megjithatë, sëmundja mund të vazhdojë të shfaqet tek personat deri ne moshën 50-60 vjeçare. 

Shkaktarët e kësaj sëmundjeje janë alergentët e ndryshëm, duke filluar nga polenet e luleve, parazitoza të ndryshme, substanca kimike që ndotin ambientin, detergjentët, pajisjet kozmetike dhe produkte nga kafshët shtëpiake. Ndotja e ambientit dhe ajrit është ndër shkaktarët kryesore që ka rritur numrin e personave të prekur nga alergjitë dhe nga astma. Faktorë që ndikojnë në shfaqjen e alergjive janë edhe ato të trasheguara, apo rishfaqja pas disa viteve, nëse nuk është bërë një kurim i plotë. Mjekët përmendin si një ndër faktorët dhe ndryshimin dhe urbanizimin e shpejtë.
Ndërkohë, sëmundjet alergjike, sikurse dhe në të gjithë botën, janë në rritje edhe në vendin tonë, kjo e lidhur me faktorë të shumtë, përfshirë dhe ata ambientalë. Sipas studimeve të ndryshme alergogjike, rreth 30-40 % e shqiptarëve janë evidentuar me sëmundje alergjike, ndërsa rreth 3.4 % e popullsisë janë të sëmurë me astma, bëhet e ditur nga Instituti i Shëndetit Publik. 

Studimet e ndryshme për vendin tonë, pjesë e atyre nderkombëtare, tregojnë se prevalencat e astmës janë rritur nga rreth 2.6 % për moshën 13-14 vjeç në vitin 1995, në 3.4 % në vitin 2000. Astma mund të konsiderohet epidemike me 300 milion raste në botë, ose 20 % e popullsisë së prekur. Kjo patologji mund të shoqërojë pacientin gjatë gjithë jetës, pohon ISHP. 

Shoqata Shqiptare e Alergologjisë dhe Imunologjisë Klinike ka përpiluar protokolle te detajuara, duke u bazuar në udhërrëfyes ndërkombëtarë të përshtatura për Shqipërinë që në vitin 2005, të cilat jane perditesuar çdo vit me të rejat e fundit. Organizata Botërore e Shëndetësisë rendit astmën në vendin e 6, duke u bërë kështu një barrë për individin, për familjen dhe ekonominë e vendit. Astma alergjike është forma më e zakonshme.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›