E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Aleanca e ngjalave, për t’i shpëtuar 21 janarit”

14-04-2013 / Gazeta 55

Partia Demokratike i kërkon drejtësisë të mos ndikohet nga lojërat politike

Partia Demokratike ka sulmuar ashpër  kreun e opozitës Edi Rama, duke e akuzuar se 21 Janari i vitit 2011, ishte strategji e tij për të ardhur në pushtet. 
Në një deklaratë për shtyp nga selia blu, zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi, deklaroi se Rama kërkon të fshijë 21 Janarin nga kujtesa, pasi dështoi të vinte në pushtet me tentativën për “puç shteti”, që për fat të keq solli 4 viktima tashmë i gëzohet asaj ë mazhoranca e quan “martesa e re e ngjalave”. “Edi Rama u rrëfye hapur të Enjten,  se ai tashmë është i frikësuar deri në neveritet nga 21 Janari, se ai trembet dhe nuk i pëlqen më të flasë për këtë histori, dhe se tani top-story i tij është koalicioni i ri i ‘ngjalave’. Madje, ai shkoi edhe më larg kur tha se atyre që vazhdojnë të flasin për 21 Janarin, u ka lënë mallkimin e zotave. Z. Rama nuk u ndal këtu, por tha se aleancën e ‘ngjalave’ e ka bërë pikërisht si aleancë shpëtimi për 21 Janarin”, deklaroi zëdhënësja e PD, Vorpsi.
Sipas saj, thënë hapur dhe troç, Rama manifestoi publikisht të Enjten se 21 Janari, atë e tmerron  dhe se nuk ka qenë asnjëherë për të një çështje parimi e drejtësie, por mirëfilltas një pjesë e strategjisë se tij për të marrë pushtetin me dhunë dhe më pas për nekro-fili elektorale. “Është e qartë se për z. Rama, kjo çështje nuk ekziston më. Pasi dështoi të vinte në pushtet me tentativën për puc shteti, që për fat të keq solli viktima dhe pasi 21 Janari nuk e realizoi ëndrrën e tij kryeministrore, tani, duke iu gëzuar martesës së re të ngjalave, z. Rama kërkon ta fshijë këtë ngjarje”, theksoi ajo.
Ndër të tjera, vuri në dukje zëdhënësja e PD, Vorpsi, “në rrëfimin e tij z. Rama tregoi dhe një herë se i mungon çdo lloj refleksi moral, dhe tashmë është e qartë për të gjithë se ai, si njeriu që manipuloi videon që përdori si pretekst për 21 Janarin, si organizator kryesor i përpjekjes për të ardhur në pushtet me dhunë, si ‘kameleon’ që u përpoq të përdorte dhimbjen e familjarëve të viktimave  si mburojë për krimin e tij të shëmtuar, për atë cka meritoi shaminë në fytyrën e tij, po bën çdo gjë për ti shpëtuar drejtësisë! Këtë e kuptuan më mirë se kushdo vetë socialistët, të cilët treguan një pakënaqësi të paparë në adresat e tij në rrjetet sociale”.
Në fund të deklaratës së saj, zëdhënësja e PD nënvizoi se revolta e socialistëve ndaj zotit Rama, në “facebook”-un e “twitter”-in e tij, vazhdon edhe sot, dhe ai nuk e ndal dot me shpjegimet e tij nga salloni mavi. “Tashmë është e qartë se: kush e nisi, kush e organizoi, dhe kush po kërkon ta mbyllë  21 Janarin, si një tentativë për marrjen e pushtetit me dhunë! Edi Rama manipuloi mbështetësit e tij, i la ata në baltë, shfrytëzoi viktimat, dhe tani thotë se ndjen neveri! Partia Demokratike i kërkon drejtësisë të mos ndikohet nga këto lojëra politike, dhe garanton shqiptarët se ajo do të bëj gjithçka për të vendosur drejtësi dhe për të vënë përpara përgjegjësisë organizatorët dhe nxitësit e dhunës së pashembullt ndaj institucioneve, që solli 4 të vrarë”, përfundoi ajo.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›