E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuba e Kastros dhe Çe Guevarës projektohet në Tiranë



Për herë të parë në vendin tonë do të zhvillohet Java e Kinemasë Kubane në Tiranë. Ky aktivitet i veçantë pritet të startojë më 5 maj në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Deri më datën 9 maj katër filma të subtitruar në shqip, do të shfaqen në kinemanë e kësaj shkolle; “Hello, Hemingway”, “Fresa y Chocolate”, “El Benny” dhe “Suite Habana”. Kjo javë e veçantë organizohet falë iniciativës të shoqatës së miqësisë Shqiptaro – Kubane, me mbështetjen e Institutit Kuban të Arteve dhe Industrisë Kinematografike (ICAIC). Sikundër bëjnë të ditur organizatorët, gjatë projektimit të filmave të autorëve kubanezë pritet që të jenë të pranishëm në sallë edhe figura të njohura të kinemasë së Kubës, regjisorë, aktorë e kineastë të ndryshëm.

“Hello, Hemingway”

Larita, një fqinje e Ernest Hemingway në Havana në vitin 1956, është një e vajzë e re e thjeshtë dhe plot dinjitet që përpiqet të mbaroje shkollën e mesme dhe të hyjë në universitet. I ka rënë në duar libri “Plaku dhe deti” dhe në vetvete ajo po ngre një paralelizëm ndërmjet jetës së saj dhe historisë së peshkatarit plak Santiago.

“Fresa y Chocolate”

Ky film sjell historinë e dy qenieve njerëzore në kërkim të hapësirave për të jetuar. Davidi është student i shkencave sociale në Universitetin e Havanës, ndërsa Diego është një homoseksual, i cili jeton për t’i dhënë rëndësi kulturës kubaneze. I pari, hapet ndaj botës së ndërlikuar të marrëdhënieve ndërpersonale, ndërsa i dyti, lufton për të qenë i pranuar dhe jo i përbuzur për shijet e tij seksuale. Paragjykimet, nevoja për komunikim dhe situatat komplekse na bëjnë të kuptojmë që solidariteti është një ndër shpikjet më të mëdha të njerëzimit.

“El Benny”

Ky film Kuban është realizuar në vitin 2006, me regji dhe skenar të Huan Luis Sançes (Juan Luis Sanchez) dhe vjen si vepra e parë me metrazh të gjatë e këtij regjisori. Në të sillet një histori e përfytyruar mbi jetën e muzikantit të famshëm nga Kuba, Benny More, ku përfshihen edhe versionet e reja të këngëve të tij, të interpretuara nga muzikantë si Chucho Valdez, Juan Formel, Haila dhe Orishas.

“Suite Habana”

Filmi sjell jetët e dhjetë banorëve vendas të ishullit, si rrjedhin ditët e tyre të shoqëruara nga tingujt dhe muzika e ketij vendi. Autori Fernando Perez kërkon të përshkruajë një ditë çfardo të disa banorëve të Havanës, për të sjellë mënyrën se si jetojnë këta njerëz dhe që të nxisë një reflektim mbi kuptimin e jetës, vlerën e madhe të gjërave të vogla. P. GROSI

4 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›