Teatër në Lushnjë, sherr në Kavajë
Kategoria Superiore, java e 30-të, 2 maj 2009. Lushnjë. Stadiumi “Roza Haxhiu”: Shkumbini-Vllaznia 1-2. Dy presidentët, Xhavit Ismaili (Shkumbini) e Valter Fushaj (Vllaznia) shtrëngojnë duart në tribunën “VIP”. Tifozeritë kundërshtare shkëmbejnë batuta miqësore. Kavajë. Stadiumi “Besa”: Besa-Tirana 1-1. Tre kartonë të kuq: një për Besën (Progni), dy për Tiranën (Nallbani, Lila). Sherr midis tifozëve verdhezinj (vendasit) a atyre bardheblu (miqtë nga kryeqyteti). Spikat mbrojtësi Andi Lila, futbollisti kavajas, i cili luan me Tiranën. I fyer rëndë nga tifozët e qytetit të tij, nga ata që e adhuronin dikur. Rezultatet pas dy transfertave të kryesueseve sjell rokadën e madhe në tabelën e klasifikimit. Vllaznia, e para me 60 pikë; Tirana, e dyta me 59 pikë.
BESA-TIRANA 1-1
Me dy kartonë të kuq (Nallbani e Lila) e një barazim 1-1 në stadiumin e Kavajës kundër Besës, Tirana jo vetëm që humbi 2 pikë të mëdha, por edhe kreun e klasifikimit, kur tri javë përpara përfundimit të sezonit e sheh veten me një pikë më pak se Vllaznia kryesuese: Vllaznia, 60, Tirana 59. Besa shfaqet papritur aleatja e dytë më e madhe e shkodranëve në javën e 30-të të Kategorisë Superiore, së bashku me Shkumbinin.
Një javë më parë në “Loro Boriçi”, Besa humbi 3-2 me Vllazninë (“Vllaznia e meritoi fitoren”, - tha presidenti i kavajasve, Bizhdili) edhe pse kaloi dy herë në avantazh. Dy muaj pa rroga, por me një premio stërmadhe të premtuar nga Bizhdili, lojtarët e Besës bënë të pamundurën për të ndalur marshimin e Tiranës.
Migen Memelli shënoi për Tiranën në minutën e 20-të, duke u ngjitur në kuotën e 20 golave (aq sa objektivi i tij sezonal, dhe po aq gola sa shënoi sezonin e kaluar Vioresin Sinani, i cili fitoi “Këpucën e artë”).
Pjesa e parë mbyllet me kartonin e kuq të sulmuesit të Besës, Gerhard Progni (43’) dhe me fitoren e Tiranës, ndërkohë që në Shkumbini-Vllaznia mbyllej 1-1, ç’ka do të thoshte 3 pikë avantazh për bardheblutë.
Fraksioni i dytë prodhoi golin e barazimit të haitianit Herbi Fortunat (74’), një gol të anuluar të Besës e më pas dhe kartonin e kuq të portierit të Tiranës, Blendi Nallbani. Fundi i 90-minutave u shoqërua me kartonin e kuq të Andi Lilës, i dyti për formacionin bardheblu të Agustin Kolës, por dhe me korin e fyerjeve ndaj finalistëve të Kupës së Shqipërisë.
SHKUMBINI-VLLAZNIA 1-2
I zhvilluar në një fushë asnjanëse dhe me një rezultat të pritshëm, sipas të gjithave aludimeve mediatike, Shkumbini-Vllaznia u shndërrua në një shfaqje teatrale, të paktën sipas komenteve të dy komentatorëve radiofonikë: Armand Nezha (Radio “Sport”) dhe Alban Alushi (Radio “Tirana”).
Shkumbini (i eliminuar nga Kupa) me ëndrrën për të zënë për herë të parë një vend në Europë e Vllaznia (po e eliminuar nga Kupa) për të fituar titullin e 10-të kampion në 90-vjetorin e themelimit të klubit zhvilluan një ndeshje më shumë se miqësore.
Sulmuesi i Shkumbinit, Erjon Rizvanolli, shënoi pa kaluar ende 100 sekonda, ndërkohë që ai i Vllaznisë, Xhevair Sukaj, barazoi në minutën e 30-të, duke shënuar golin e tij të 10-të sezonal.
Raste të shumta të humbura nga shkodranët e Fushajt e Haxhiosmanoviçit. Talenti Ndriçim Shtubina gjeti më në fund rrjetën në minutën e 61-të dhe avantazhin e Vllaznisë (1-2). Më i lumturi u duk Ervin Llani, portieri i Shkumbinit.
Festë në tribunën “VIP” të stadiumit “Roza Haxhiu” dhe batuta miqësore në ato të tifozerive kundërshtare. Tridhjetë minutat e tjera në pritje të fërshëllimës përfundimtare të gjyqtarit Artan Taullai dhe të takimit Besa-Tirana (1-1). Në fund brohoritje. Vllaznia e para, Tirana e dyta. Shkumbini barazohet me pikë nga Teuta.
Partizani, tri pikë të arta
Falë golit të vonshëm të Besmir Begës (86’), Partizani i rrëmbeu tri pikë të mëdha Apolonisë (2-1). Karabeci shënoi me penallti për Partizanin (38’), ndërsa barazoi serbi Bërkiç (48’) për fierakët. Të kuqtë u ngjitën në kuotën e 33 pikëve, 4 më shumë se Apolonia e 5 më shumë se Bylisi, që nga ana e tij humbi me Teutën (1-0, gol i Hysës në të 79’). Elbasani nuk shkoi më shumë se një barazimi 1-1 në “Ruzhdi Bizhuta” me Flamurtarin: Stojku shënoi në të 16’, barazoi kroato-braziliani Alvizh (23’) për Flamurtarin. Lushnja nuk arriti dot ta ruante avantazhin e krijuar nga Klodian Arbëri (16’) me Dinamon (1-1), pasi Sebino Plaku barazoi me me penallti në minutën e 57-të. Goli i 18-të sezonal për Plakun e Dinamos, dy më pas se Memelli (Tirana, 20 gola).
KATEGORIA SUPERIORE
Java e 30-të, (02.05.2009)
Besa-Tirana 1-1
Shënues: Fortunat 74’/ Memelli 20’
Shkumbini-Vllaznia 1-2
Shënues: Rizvanolli 2’/ Sukaj 30’, Shtubina 61’
Dinamo-Lushnja 1-1
Shënues: Plaku 57’(p)/ K.Arbëri 18’
Teuta-Bylis 1-0
Shënues: Hysa 79’
Partizani-Apolonia 2-1
Shënues: Karabeci 38’(p), Bega 86’/ Brkiç 48’
Elbasani-Flamurtari 1-1
Shënues: Stojku 16’/ Alvizh 23’
RENDITJA
Vllaznia 60
Tirana 59
Dinamo 52
Shkumbini 44
Teuta 44
Besa 40
Flamurtari 33
Partizani 33
Elbasani 31
Lushnja 31
Apolonia 29
Bylis 28
Java e 31-të
(09.05.2009)
Tirana-Shkumbini
Vllaznia-Dinamo
Bylis-Besa
Apolonia-Teuta
Flamurtari-Partizani
Lushnja-Elbasani
Java e 32-të
(16.05.2009)
Dinamo-Tirana
Vllaznia-Lushnja
Shkumbini-Bylis
Besa-Apolonia
Teuta-Flamurtari
Partizani-Elbasani
Java e 33-të
(23.05.2009)
Tirana-Vllaznia
Bylis-Dinamo
Apolonia-Shkumbini
Flamurtari-Besa
Elbasani-Teuta
Lushnja-Partizani
4 Maj 2009