Aleanca për Prizrenin

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Kryetar të Prizrenit, Ramadan Muja, do të mbështetet nga Aleanca Kosova e Re në garën elektorale të 31 janarit.
Kjo është bërë e ditur të martën në mbrëmje nga Nënkryetari i AKR’së, Ibrahim Gashi.
“Nëse fiton Ramadan Muja në garën e 31 janarit, në bazë të marrëveshjes, AKR’ja do të ketë postin e Nënkryetarit dhe tri drejtori”, ka thënë Gashi, për Express.
Ai ka njoftuar se me shumicën e votave të Degës së AKR’së në Prizren është vendosur që t’i jepet mbështetje kandidatit të PDK’së.
Marrëveshja PDK-AKR vjen pasi që AKR’ja vendosi ta prishë koalicionin me LDK’në, kandidatin e së cilës, Hanefi Muharremi, e kishte mbështetur në raundin e dytë të garës për Kryetar të Prizrenit.
Marrëveshja PDK-AKR është konfirmuar edhe nga Ramadan Muja.
Por, ai ka shtuar se detajet e marrëveshjes do të sqarohen ditëve të ardhshme.
“Marrëveshja është bërë pa kushtëzime”, ka thënë Muja për Express.
“Ndoshta ka ndonjë marrëveshje në qendër, por në marrëveshjen që është nënshkruar sot nuk është diskutuar ndarja e posteve”, ka thënë ai, të martën, duke komentuar deklaratat e Nënkryetarit të AKR’së se posti i Nënkryetarit - nëse fiton kandidati i PDK’së - do t’i takojë AKR’së.
Ndryshe, Nënkryetari i AKR’së, Ibrahim Gashi ka shpjeguar arsyet që detyruan partinë e tij që ta prishë koalicionin me LDK’në.
“Arsyeja e parë është që LDK’ja nuk mbështeti kandidatin tonë për Kryetar të Mitrovicës, Nexhmedin Spahiun”, ka thënë ai.
“Arsyeja e dytë është se në garën për të parin e Gjakovës, LDK’ja ndoshta edhe duke e dëmtuar veten, e ka ndihmuar kandidatin e AAK’së, duke e dëmtuar kandidaten e AKR’së”, ka shtuar ai.
Sipas tij, AKR’ja ndihet më afër PDK’së në shumë qytete.
“Arsye tjetër është se degët tona në njëmbëdhjetë prej qyteteve të Kosovës ose kanë koalicione, ose kanë hyrë në bashkëqeverisje me PDK’në. Dhe, në asnjë vend me LDK’në. Kjo është edhe një arsye që edhe Presidenti Behgjet Pacolli ka kërkuar që ky bashkëpunim me PDK’në të ndodhë edhe në Prizren”, ka sqaruar Gashi.