Obama synon të lëvizë përpara agjendën e tij

Në përballje me Kongresin e ndarë dhe kombin e pakënaqur, presidenti amerikan, Barack Obama, në fjalimin e drejtuar kombit shpalosi agjendën për hapjen e vendeve të punës, duke rifreskuar më shumë porosinë, se sa misionin e tij.
Synimi i tij: për të ngritur në këmbë më të fuqishme ekonominë, besimin e votuesve, e gjithsesi edhe presidencën e tij.
Në fjalimin e Obamës u nënvizuan dy tema: që të sigurojë miliona amerikanë se ai kupton betejën e tyre dhe për të bindur njerëzit se ai po punon për të ndryshuar Washingtonin, edhe përkundër faktit se edhe vetë po punon brenda kornizave të shtigjeve të vjetra politike.
Obama ofroi detaje të reja në lidhje me atë se si synon të ndihmojë bizneset, që të punësojnë sërish punëtorë dhe për atë se si synon të shpëtojë reformat e sistemit të sigurimit shëndetësor. Përkundër të gjitha risive që ofroi, fjalimi i tij do të vlerësohet në bazë të asaj se me çfarë suksesi ka arritur ai të rivendosë sërish lidhjen me opinionin publik.
“Në këtë ambient politik, atë që nuk e kam bërë gjithmonë me sukses ka qenë komunikimi i drejtpërdrejtë me popullin amerikan”, pranoi Obama, në një intervistë, javën e kaluar. Fjalimi drejtuar kombit ishte një mundësi për ta bërë këtë, ngase fjalimet e këtilla zakonisht përcillen nga 30 milionë deri në 50 milionë amerikanë.
Agjenda e tij dukej e njohur. Obama ka theksuar se nuk do të tërhiqet nga çështjet e mëdha, mbi të cilat e ka mbështetur fushatën e tij dhe të cilat ka tentuar t’i bëjë gjatë vitit të parë të presidencës së tij. Ai sërish u angazhua për sigurimin shëndetësor, rregullimin e Wall Street-it, reformat në fushën e energjisë dhe të imigracionit dhe vazhdimin e luftës globale kundër terrorizmit.
Obama gjithashtu kërkoi nga Kongresi që të miratojë ligjet e reja për punë, kërkoi ngrirjen për tri vjet të disa shpenzimeve të brendshme.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ende është duke ndier pasojat e humbjes së pësuar javën e kaluar në zgjedhjet për senat në Massachussetts. Kur republikani pak i njohur, Scott Brown, e fitoi ulësen të cilën për gati një gjysmë shekulli e ka mbajtur demokrati i ndjerë Edward Kennedy, rezultati u vlerësua si simbol i frustrimit me ekonominë.
Obama në fjalimin e tij bëri përpjekje t’i adresojë brengat e përditshme të njerëzve. Fjalimi filloi me premtimin e përpjekjeve për hapjen e vendeve të reja të punës, në kohën kur papunësia në SHBA ka arritur shkallën prej 10 për qind, e vazhdoi me çështje të tjera, përfshirë këtu edhe zakonin e vjetër të qeverisë që të shpenzojë më shumë para, se sa që ka në dispozicion.
Në fjalimin e tij të parë para Kongresit, para 11 muajve, Obama foli për njerëzit që janë shqetësuar për shkak të ekonomisë, për shkak të llogarive të cilat nuk janë në gjendje t’i paguajnë dhe për shkak të vendeve të punës që i kanë humbur.
“Është kjo një agjendë, e cila fillon me vende të punës”, theksoi atëbotë Obama. Kjo ende është një agjendë e tillë, por në një ambient shumë më të vështirë politik për të dhe partinë e tij.
Një anketë e re e Gallupit dëshmoi se Obama është presidenti më polarizues në historinë më të re, me 88 për qind të demokratëve që mbështesin punën e tij, e puna e tij në anën tjetër mbështetet nga vetëm 23 për qind e republikanëve.
Presidenti amerikan gjithashtu u pozicionua si një zë i familjeve punëtore. Ai ka adoptuar fjalën “luftë”, për të pashkruar kundërshtimin nga ana e tij të grupeve speciale të interesit.
Gjatë fjalimit të tij, Obama mjaft vëmendje i kushtoi edhe politikës së jashtme dhe luftës kundër terrorizmit. Ai me këtë rast dha vlerësimin e tij për luftërat në Irak dhe Afganistan.
Administrata e tij po përballet edhe me krizat bërthamore me Korenë e Veriut dhe Iranin, e gjithashtu edhe me procesin paqësor në Lindjen e Mesme, i cili mbetet ende i bllokuar. (AP)