Për Gjilanin, flasim pas zgjedhjeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk pritet të vendosë për fatin e procesit të bllokuar elektoral të Gjilanit derisa të përfundojnë votimet në Prizren dhe Lipjan.
Kjo është bërë e ditur të martën nga Kryetarja e KQZ’së, Nesrin Lushta, e cila tha se vendimi përfundimtar për procesin zgjedhor të Komunës së Gjilanit pritet të merret pas 31 janarit.
“Ne duhet të marrim një vendim për Gjilanin, andaj nëse deri më datën e sotme nuk kemi marrë një vendim. Në vijim duhet të merret një vendim, ashtu siç merret vendimi, ashtu edhe do të ekzekutohet”, ka thënë Lushta, pas mbledhjes së KQZ’së.
Ajo tha se KQZ’ja është duke pritur edhe përgjigjen e Gjykatës Supreme në mënyrë që vendimi për Gjilanin të ketë një bazë të plotë ligjore.
KQZ’ja, në mbledhjen e së martës, ka njoftuar se tashmë kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në Prizren dhe Lipjan.
Shefi i Sekretariatit të KQZ’së, Xhemail Peçani ka njoftuar se materiali sensitiv dhe josensitiv është sjellë nga Sllovenia.
“Më datën 27 dhe 28 do të shpërndahen pakot për vendvotime të rregullta të dyfishta, që kanë të bëjnë me materialin josensitiv, kabinat votuese, kutitë e votimit, kurse më 30 do të shpërndahet i tërë materiali sensitiv nëpër depot e komisionit komunal të zgjedhjeve”, ka sqaruar ai.
KQZ’ja ka akredituar më shumë se 772 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë për të përcjellë procesin elektoral të Prizrenit dhe Lipjanit, që mbahet këtë të diel.