“Aleanca për Qytetarin” fiton edhe këshillin e qarkut të Shkodrës
Me 19 vota më tepër se rivali i tij socialist, Luan Heta, Maxhid Cungu, përfaqësues i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, është shpallur fitues i garës për kreun e Këshillit të Qarkut të Shkodrës.
Ish-prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, për katër vite me radhë, gjatë procesit të votimit të zhvilluar dje mori 41 vota kundrejt 22 votave të përfaqësuesit të “Aleanca për të Ardhmen”.
Procesi, në të cilin, krahas zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, ishin të pranishëm edhe deputetët e të dy krahëve të qarkut Shkodër, fillimisht është shoqëruar me debate në lidhje me procedurën e votimit, por më pas ka vijuar normalisht, ku nga 64 anëtarë të Këshillit të Qarkut, përveç njërit që i përkiste Partisë Republikane që ka munguar, të gjithë të tjerët kanë dhënë verdiktin e tyre në kutinë e votimit.
“Me mbledhjen konstituuese të Këshillit të Qarkut të Shkodrës, mbyllet për këtë qark, evenimenti më i rëndësishëm në fushën e demokracisë vendore, në fushën e vetëqeverisjes vendore, procesi i zgjedhjeve të 8 majit, që padyshim është procesi me standardet më të larta, kompetitiv dhe transparent, në të mirë të shtetit ligjor, në të mirë të integrimit europian të Shqipërisë”, tha gjatë fjalës së tij, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni.
Me shpalljen e rezultatit të votimit, detyrën e re të Kryetarit të Këshillit të Qarkut, zotit Maxhid Cungu, ia ka dorëzuar, ish-kryetari i mëparshëm, Gjovalin Kolombi. Cungu, i cili jo vetëm në detyrën e mëparshme të kreut të prefekturës, por edhe si nënkryetar i Bashkisë së Shkodrës, drejtor i Muzeut Historik të Shkodrës etj, është shquar për korrektese dhe profesionalizëm në ushtrimin e detyrës.