E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Aleanca për Qytetarin”, fitore bindëse në zgjedhjet e 8 majit në Pogradec

15-04-2011 / Gazeta 55

Kur duhen edhe tre javë që të shkojmë në zgjedhjet vendore të 8 majit, vijojnë me intensitet takimet e kandidatëve të “Aleancës për qytetarin” në Pogradec. Kandidati për bashkinë e Pogradecit, intelektuali Luan Topçiu, ka zhvilluar takime me banorë të lagjeve të qytetit, si dhe me bashkëqytetarë të tij, duke shpalosur edhe një herë alternativën e tij bindëse për një qeverisje ndryshe. Takimi i Topçiut me arsimtarët dhe drejtuesit e Drejtorisë Arsimore të  Pogradecit pati mjaft interes, duke u kthyer në një bashkëbisedim të frytshëm dhe mjaft domethënës. Përballë z. Topçiu ka një kandidat të konsumuar, që tashmë nuk gëzon as mbështeten e socialistëve të tij, jo më të qytetarëve që janë zhgënjyer nga qeverisja e tij prej dy mandatesh. Po ashtu edhe kandidati tjetër i “Aleancës për qytetarin” në komunën e Buçimasit, z. Roshi Tollozhina është mjaft optimist për një fitore tjetër, për të përsëritur mandatin. Këtë premtim kandidatit dhe kryetarit aktual ia kanë dhënë qindra banorë të komunës në takimet që ka zhvilluar këto ditë. “Unë mendoj se duhet të votojnë për mua se kam futur një standard të ri në administrimin e komunës për të cilin flasin rezultatet e këtij mandati. Për një transparencë të lartë për të gjitha investimet. Për zgjidhjen e problemeve dhe nevojave vetëm sipas ligjeve. Të votojnë për koalicionin, që unë kam zgjedhur: banorët e të gjithë këtij komuniteti pa asnjë dallim partiak”, thotë në mesazhin e tij Tollozhina.
Për një mandat tjetër luftojnë edhe kandidatët e komunës së Hudënishtit, z. Nexhmi Dakollari dhe Feim Jasharllari në komunën e Trebinjës. Ndërsa kandidati i komunës së Proptishtit është në garë për një mandat të tretë dhe është i bindur në fitoren e radhës pasi ka mbështetjen e banorëve të komunës. Ndërsa do të luftojnë për një mandat të ri të kryetarit të komunës edhe kandidatët e tjerë si Sali Torra, në komunën e Velçanit, Rushan Çela në komunën Dardhas dhe Vladimir Jaçelli në Çërravë.
Në përgjithësi, në degën e PD të rrethit janë optimistë se fitorja  në zgjedhjet e 8 majit do të jetë në favor të “Aleancës për qytetarin”, dhe për të arritur këtë fitore janë të angazhuar maksimalisht me të gjitha forcat.
Bora Shahini

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›