Koalicioni im, është me të gjithë banorët e komunës
Intervistë me kryetarin e komunës së Buçimasit dhe kandidatin e PD - LSI, z. Roshi Tollozhina
“Unë mendoj se duhet të votojnë për mua se kam futur një standard të ri në administrimin e komunës për të cilin flasin rezultatet e këtij mandati. Për një transparencë të lartë për të gjitha investimet. Për zgjidhjen e problemeve dhe nevojave vetëm sipas ligjeve. Të votojnë për koalicionin, që unë kam zgjedhur: banorët e të gjithë këtij komuniteti pa asnjë dallim partiak.
Duke votuar për mua, ata do të votojnë për fëmijët e tyre, për të ardhmen e sigurt, për zhvillimin, për rritjen e mirëqenies, për punën e ndershme dhe integritetin, për vlerat në të cilat besojnë”
Komuna e Buçimasit (Starovës) është më e madhja nga të gjitha komunat në rrethin e Pogradecit. Kjo për nga shtrirja e territorit, numri i fshatrave, që e formojnë, por edhe numri i votuesve, i cili arrin rreth 13.000. Gjatë këtij mandati, që po përfundon kjo njësi vendore administrative është drejtuar me sukses nga kryetari i saj Roshi Tollozhina. Arritjet dhe ndryshimet e bëra në të gjitha fshatrat e kësaj komune flasin shumë, ato janë konkrete dhe të një cilësie të lartë. Këto gjykime mund t’i dëgjosh nga goja e shumë banorëve, pjesëtar të këtij komuniteti, por edhe nga titullari Tollozhina. Ai na flet me shumë optimizëm, sinqeritet e përgjegjësi për punën e kryer, por më shumë për synime të reja më të avancuara, që i presin këta banorë të këtij komuniteti me zgjedhjet Vendore të 8 majit 2011. Të gjitha këto kanë motivuar intervistën tonë.
Zoti Kryetar, si do ta vlerësonit mandatin tuaj të parë në krye të komunës Buçimas?
“Ardhja ime në këtë detyrë ka qenë nga koalicioni LSI-PS. Ditën, që fillova detyrën, i thashë vetes: të ka zgjedhur i gjithë komuniteti, pa dallime e ngjyrime politike, jo vetëm në Buçimas, por në të gjitha fshatrat. Me gjendjen, që kishte komuna, duke filluar nga administrata, ambientet në institucion, jashtë, papastërtia, gjendja fizike e kopshteve, shkollave, rrugët, shërbimet ndaj popullit, bregu i liqenit e shumë probleme të tjera, të cilat unë i njihja mirë, pasi kisha drejtuar Këshillin e Komunës, si kryetar i tij. Realisht u ndodha përpara një sërë vështirësish jo të vogla, por vendosa t’i zgjidh ato. Së pari e fillova nga administrata, duke zbatuar kriteret profesionale sipas drejtorive, me arsim përkatës dhe mbi të gjitha dhe për të gjithë, të qenit njeri i mirë. Jam shumë i bindur se i kam kryer mirë detyrat, që i vura vetes, por votuesit le ta thonë më mirë fjalën e tyre me votë.
Kam bërë një transparencë të rrallë në çdo fshat me moton: “administrata përballë komunitetit”, para, në mes dhe pas buxhetit, për të shpjeguar në detaje burimet e të ardhurave dhe destinacionin real të tyre. Disiplina në punë, lufta kundër korrupsionit dhe ryshfeteve e kemi realizuar 100 %”.
Çfarë përvoje fituat Ju gjatë këtij mandati dhe çfarë fitoi komuniteti?
“Unë kam fituar një pasuri të madhe, të pakrahasueshme, me vlera për njeriun: respektin, shoqërinë, miqësinë në çdo fshat. Besoj se jam i pranishëm në të gjitha familjet, pavarësisht ngjyrimeve politike. Për mua fushata ka filluar, që kur fillova punë dhe i vura detyra vetes për t’i shërbyer në maksimum komunitetit tim. T’ju përmirësoj gjithnjë e më shumë kushtet e jetesës, mjedisin, shërbimet në institucion, të cilat janë të pa krahasuara me të kaluarën. Ato reflektojnë dhe flasin vet”.
Çfarë premtuat dhe çfarë realizuat? Mendoni se i kini plotësuar nevojat dhe kërkesat e këtij komuniteti?
“Jemi të ndërgjegjshëm se përveç punës, që kemi bërë, kemi akoma edhe shumë për të bërë. Por të gjitha këto janë në varësi edhe të kushteve, të kohës. Veç punëve në shërbim të komunitetit të gjerë, kujdes i kemi kushtuar dhe punës me grupe të ndryshme shoqërore; puna me njerëzit me Aftësi të Kufizuar, me veteranët e Luftës Nacionalçlirimtare, me forumin e gruas.
Investimet në këtë mandat arrijnë shifrën e 45.000.000 lekëve, pjesa më e madhe e tyre të ardhura nga vet komuna, të cilat janë përdorur në infrastrukturë rrugore, mjedise, pastrim, ndriçim, në institucione arsimore dhe kulturore në të gjitha fshatrat.
Janë bërë rikonstruksione kopshti në: Vërdovë, Gurras, Buçimas, kopësht i ri në Rëmënj, Gështenjas. Janë asfaltuar rrugë: Buçimas, Bahçallëk, Gurras, (Manellarët) Gështenjas, Vërdovë dhe Fonderia, rruga xhamia Rëmënj, xhamia Gështenjas.
Komuna juaj është e para, pas Bashkisë së qytetit për nga popullsia, e cila është shtuar nga prurjet e zonave të tjera, kryesisht zonat e Mokrës. Si ndihet ky komunitet me këtë mjedis fizik e social, sa e kini patur ju parasysh?
“Edhe këtë specifikë të komunës sonë e kemi mbajtur mirë parasysh. Nuk ka patur as më të voglin diferencim për trajtimin e kërkesave dhe nevojave të tyre. Ata e kanë ndjerë dhe do të vazhdojnë ta ndjejnë akoma edhe më mirë veten brenda këtij komuniteti dhe mjedisi të ri, do të ndjejnë kujdesin e komunës dhe të punonjësve të saj. Ata sot ndihen të integruar mes banorëve të Buçimasit”.
Pse kërkoni një mandat të dytë, si e motivoni?
“Vendosa të ri-kandidoj për një mandat të dytë për punët dhe projektet e filluar në këtë mandat dhe për projektet edhe më të mëdha në mandatin e ri: zbatimi i masterplanit për bregun e liqenit, përfundimi dhe zbatimi i masterplanit për komunën. Kështu bëhemi komuna e parë me masterplan nga vet komuna. Do të ndërtojmë dy shkolla të reja 9-vjeçare: Buçimas, Rëmënj. Rikonstruksion dhe kushte më të mira në të gjitha shkollat. Shtrimi me asfalt i të gjithë shesheve të shkollave dhe ndërtimi i të gjithë terreneve sportive, si dhe të gjitha rrugët, që kanë mbetur pa u asfaltuar dhe pa ndriçim. Natyrisht, mbështetja më e madhe është komuniteti, të ardhurat e siguruara, por edhe ndihma e Qeverisë Qendrore.
Në mandatin e dytë 2011-2015 parashikohen të investohen mbi 100.000.000 lekë dhe të gjitha këto në shërbim të komunitetit.
Projektet e së ardhmes kanë për objekt: ndërtimin e 15 rrugëve të reja në komunë, projekti i ujit të pijshëm në fshatrat Vërdovë, Rëmënj, Gështenjas, Guras. Kanalizimet e ujërave të zeza fillimisht në Buçimas dhe mandej në të gjitha fshatrat.
Pse duhet të votojë komuniteti për ju, mesazhi juaj?
“Unë mendoj se duhet të votojnë për mua se kam futur një standard të ri në administrimin e komunës për të cilin flasin rezultatet e këtij mandati. Për një transparencë të lartë për të gjitha investimet. Për zgjidhjen e problemeve dhe nevojave vetëm sipas ligjeve. Të votojnë për koalicionin, që unë kam zgjedhur: banorët e të gjithë këtij komuniteti pa asnjë dallim partiak.
Duke votuar për mua, ata do të votojnë për fëmijët e tyre, për të ardhmen e sigurt, për zhvillimin, për rritjen e mirëqenies, për punën e ndershme dhe integritetin, për vlerat në të cilat besojnë.