“Aleanca për ndryshimin”, koalicioni i madh i Berishës që do drejtojë Shqipërinë katër vitet e ardhshme

Përfaqësuesit e së djathtës kanë regjistruar dje në KQZ koalicionin “Aleanca për Ndryshim”, besëlidhja politike më e gjerë në historinë e pluralizmit shqiptar, e cila do të drejtojë Shqipërinë për katër vitet e ardhshme. Pas ndryshimit të llogores nga ana e PBDNJ-së pritet largimi i përfaqësuesit të saj në kabinetin qeveritar, çka do të rikthejë moralin në përballjen politike, vetëm pak ditë para nisjes zyrtare të fushatës elektorale
Pas marrjes së vendimit të drejtuesit të PBDNJ-së Vangjel Dule, për të dalë nga koalicioni qeverisës dhe për t’u rreshtuar në radhët e koalicionit që drejton Edi Rama, Kryeministri Sali Berisha pritet të marrë akt nga ky vendimi dhe të zëvendësojë përfaqësuesin e kësaj qeverie në kabinetin qeveritar, Ministrin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duron. Dekreti i shkarkimit pritet të shoqërohet edhe me dekretin e emërimit të ministrit të ri, vendim që pritet të votohet në seancën e fundit parlamentare, por data se kur do të mbahet, mbetet ende e paqartë. Deputeti Ferdinand Xhaferri deklaroi dje për mediat se shpresohet që raporti i komisionit hetimor që ai drejton të paraqitet në parlament, e shumta deri 19 majin e ardhshëm.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve zgjedhore, Partia e Ballit Kombëtar do të jetë e përfaqësuar në mazhorancën aktuale, me postin e zëvendësministrit. Do të jetë vetë kreu i PBK-së, Adriatik Alimadhi, i cili do të mbajë pozicionin e zëvendësministrit të Punëve Publike. Ndërkohë dje, ndryshim ka pësuar edhe posti i zëvendësministrit të Integrimit, ku në vend të Zef Bushatit, është emëruar Jorida Tabaku. Kjo e fundit zëvendëson në këtë post demokristianin Zef Bushatin, i cili është i emëruar në Romë si sekretar i parë i përfaqësisë sonë diplomatike. Të dy zëvendësministrat e emëruar nga kryeministri Berisha, pritet ta mbajnë këtë detyrë deri në mesin e muajit korrik, kohë kur shpresohet të përfundojë konstituimi i parlamentit të ri, i cili edhe do të mandatojë qeverinë e re, e cila do të dalë pas zgjedhjeve të Përgjithshme të 28 qershorit.
Në KQZ, dje është regjistruar një hap solemn dhe i rëndësishëm, regjistrimi i koalicioneve qeveritare. Aleanca e partive të kryesuara nga PD-ja, u regjistrua dje nën emrin “Aleanca për ndryshim”, duke shënuar kështu konkurrimin e koalicionit më të madh në historinë e pluralizmit shqiptar. Dhjetë parti politike do të konkurrojnë në këtë aleancë, ndërkohë që aleanca e opozitës, e kryesuar nga PS, u regjistrua nën emrin “Koalicioni për ndryshim” dhe përfaqëson vetëm pesë parti politike.
...