Zgjedhjet e 28 qershorit, PS nga paniku, kërcënon sërish se është me një këmbë jashtë procesit

Demokratët akuzojnë kryetarin e PS-së se saboton procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Sipas tyre se kreu i PS-së ka shpërndarë urdhër në të gjithë të zgjedhurit lokalë të PS-së që të bllokojnë pajisjen e shtetasve me certifikatë, dokument i nevojshëm për aplikim, duke i afishuar certifikatës taksa vendore, disa herë më të larta se çmimi i vetë kartës.
Koalicioni opozitar i drejtuar nga Partia Socialiste vazhdon të lërë të hapur opcionin e mosmarrjes pjesë në zgjedhje në rast se të gjithë qytetarët që nuk zotërojnë pasaportë nuk arrijnë që të pajisen me kartat e reja të identitetit deri në datën 26 qershor për të pasur më pas mundësinë e votimit dy ditë më vonë. Kjo është ritheksuar sërish dje nga kryesocialisti Edi Rama gjatë një takimi të zhvilluar me banorët e komunës Nikël të Fushë Krujës.
Sipas shifrave të bëra publike, Partia Socialiste pretendon se në tërësi konstatohet situatë alarmante për pajisjen me karta të shtetasve pa pasaportë. Për selinë rozë situata më problematike rezulton të jetë në qarkun e Kukësit, i cili sipas mbetet qarku me nivelin më të ulët të aplikimeve vetëm në masën 9.5 për qind.
Pak ditë më parë, përfaqësuesi i PD-së në komisionin e posaçëm parlamentar për infrastrukturën zgjedhore, Fatos Hoxha, akuzoi kryetari e PS-së se po saboton procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Duke vënë në dukje ecurinë e mirë të këtij procesi, theksoi se pengesë kryesore e tij është pikërisht Rama. “Deri në këto momente kryetari i PS-së, Edi Rama nuk i ka bërë thirrje anëtarëve të PS-së e militantëve të majtë që të shkojnë e të aplikojnë. Në të kundërt, ai ka nxjerrë në të gjithë Shqipërinë satelitët e tij që të mos marrin pjesë në proces, me qëllimin e vetëm bllokimin e tij dhe për të treguar se Qeveria po dështon në këtë proces. Mund të them se ky është një sabotim i pastër”, tha deputeti demokrat.
Hoxha theksoi se kreu i PS-së ka shpërndarë urdhër në të gjithë të zgjedhurit lokalë të PS-së që të bllokojnë pajisjen e shtetasve me certifikatë, dokument i nevojshëm për aplikim, duke i afishuar certifikatës taksa vendore, disa herë më të larta se çmimi i vetë kartës.
...