Platformë e zgjeruar e kabinetit “Berisha” kundër varfërisë – vetëm 1 euro tarifa e përdorimit të ujrave të brendshme
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje se rishqyrtimi i ndihmës ekonomike është një nga masat e marra në drejtim eliminimit të plotë të varfërisë në Shqipëri. Vendimi i parë i rëndësishë është ai i uljes në 1 euro të tarifës së përdorimit të ujërave të brendshme dhe detare për rritjen e peshkut
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e qeverisë, se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që në Shqipëri të mos ketë më varfëri të skajshme, ndërkohë që vlerësoi se rishqyrtimi i shpërndarjes së ndihmës ekonomike është një nga masat e marra në këtë drejtim. Kryeministri Berisha u shpreh se ekziston një kontingjent i kufizuar njerëzish, të cilët kryesisht janë nëna me fëmijë jetimë, gra të divorcuara etj, për të cilët do të zbatohet një skemë ndryshe e ndihmës ekonomike.
“Prefektët dhe qeveria vendore kanë filluar të bëjnë një punë shumë të mirë për identifikimin e këtyre familjeve. Ne duhet të përgatisim një zgjidhje ligjore për problemet e tyre”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se qeveria jep 150 milionë euro ndihmë sociale, duke mbidyfishuar kështu fondin nga 7 miliard lekë në 15 miliard lekë. Por, sipas tij ka defekte shumë serioze në skemën e shpërndarjes së ndihmës ekonomike.
“Qeveria është e gatshme të vendosë fonde të tjera për ndihmën ekonomike, por kjo qeveri nuk mund të bëjë asnjë hap përpara pa një rishqyrtim të transparencës dhe ndershmërisë së aplikimit të kësaj skeme”, vuri në dukje kryeministri.
Ndërkohë, qeveria ul në 1 euro tarifën e përdorimit të ujërave të brendshme dhe detare për rritjen e peshkut. Ky vendim synon që të rrisë investimet në fushën e akuakulturës dhe rritjes së peshkut, si një fushë e rëndësishme në shërbim të shfrytëzimit të ujërave.
Disafishohet numri i fermerëve që kanë aplikuar për mbështetje nga granti i qeverisë
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje gjatë mbledhjes së qeverisë se numri i fermerëve që kanë aplikuar për mbështetje nga grandi i qeverisë, është disafishuar. Ky është një hap shumë pozitiv, theksoi Kryeministri, duke vënë në dukje se aplikimet bëhen me projekte të qarta, të studiuara dhe të mirëpërcaktuara.
Kryeministri tha se në këto aplikime kryeson projekti i ullirit. “Ata që po merren me vlerësimin e projekteve konstatojnë se numri i projekteve fituese është shumë i madh. Në këtë drejtim, veçanërisht është ndezur dhe po ndizet çdo ditë e më shumë ajo që mund ta quajmë “ethja” e ullirit, ku përmes subvencionimit, janë mbjellë mbi 2 milionë rrënjë ullinj në 4 muaj”, tha kryeministri.
Ai nënvizoi se për rreth gjysmë viti, janë mbjellë pothuajse sa gjysma e numrit të rrënjëve të ullinjve që ekzistojnë në Shqipëri, ku janë gjithsej rreth 5 milionë rrënjë.
Kryeministri tërhoqi vëmendjen që grandi i qeverisë t’u lëvrohet fermerëve fitues nga aplikimi, sipas sezonit dhe specifikave përkatëse, ku projekti i ullirit mbetet parësori.
Gjithashtu, kryeministri tha se për zonën verilindore dhe juglindore, për zonën nga Delvina deri në Dukagjin, do të përpunohen kritere të reja, rigorozisht të bazuara në projekte, pasi sipas tij, për këtë zonë nuk mund të jenë të vlefshme kriteret e Myzeqesë, të Lezhës, Shkodrës apo Korçës.
Kryeministri evidentoi faktin se në 3 vjet, pothuajse është dyfishuar prodhimi i frutave në vend. Veçanërisht prodhimi i mollës ka njohur një zhvillim shumë të madh, në rrethin e Korçës, Pogradecit, Kolonjës e Dibrës. Ka rënë ndjeshëm importi i frutave, por akoma edhe më shumë duhet të bjerë. Gjithashtu, ka rritje edhe të prodhimit të frutave, zarzavateve, mishit e bulmetit.
Në këtë drejtim, Berisha theksoi se krahas nxitjes për fermerët, ministria e Bujqësisë duhet të ketë programe informative, përmes mediave lokale, për të informuar intensivisht fermerët për çmimet e bursës dhe çmimet e tregut.
“Duhet t’u kërkohet fermerëve të mos u referohen çmimeve të doganave. Ky është një gabim i madh, sepse në jo pak raste çmimet e doganave kanë synim mbrojtjen e tyre. Ai duhet të njihet me çmimin e bursës dhe çmimin e tregut dhe më pas të bëjë llogaritë vet”, vuri në dukje kreu i qeverisë Berisha.
Kryeministri theksoi se qeveria do të vazhdojë me programin e rimbursimit e grandeve për bujqësinë, sepse ky program po jep efekte të shkëlqyera, krahasuar me akcizën e famshme.
“Ju e dëgjuat sërish kryetarin e opozitës kur foli për akcizën. Pra, politika e re e çoi atë sërish tek akciza, sepse akciza përfundon në xhepat e pushtetarëve, ndërsa investimi në prodhime, agrobiznesi, ulliri, vreshta, bleta, përpunimi i prodhimeve, kapacitetet ftohëse, janë realitete që zhvillohen çdo ditë”, u shpreh më tej Berisha.
...