Ministri Basha takohet me banorë të komunës Belsh

“Rama përtej së majtës e së djathtës me biznesmenë për interesa korruptive”
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, njëherësh dhe Kryetar i shtabit të fushatës elektorale të Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, gjatë një takimi paraelektoral të zhvilluar dje me banorët e Belshit, në rrethin e Elbasanit, deklaroi se “në qendër të modelit qeverisës që ka afruar Edi Rama është pasurimi i tij dhe i një grupi biznesmenësh dhe këtë model ai kërkon ta shtrijë në të gjithë Shqipërinë”.
Duke shigjetuar kryesocialistin, Basha tha se “Edi Rama ka një model më shumë se 10-vjeçar, pa ndërprerje në krye të pushtetit dhe ky është modeli i një klientele të ngushtë njerëzish, të cilët me abuzimin dhe korruptimin e plotë të pushtetit, vjelin djersën, mundin, frytet e shqiptarëve dhe i kanalizojnë ato në xhepat e kryetarit dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë”.
Duke ironizuar me sloganin e kryesocialistit “përtej së majtës dhe së djathtës”, Basha tha se ai nuk ka të bëjë as me të djathtën, as me të majtën, por me një grusht biznesmenësh, të cilët ai i ka përdorur për interesat e tij korruptive, që shpreson t’i shtrijë në gjithë Shqipërinë”.
Duke e konsideruar modelin e përdorur nga Edi Rama si të dështuar, ministri Basha, tha se “model i Edi Ramës tenton të shtrohet si një alternativë përballë një ndryshimi të ofruar nga mazhoranca përmes shkollave të reja, rrugëve të ndërtuara dhe asfaltuara, rritjes së pagave e pensioneve, integrimit në NATO dhe së shpejti, liberalizimit të plotë të vizave me Bashkimin Evropian”.
...