E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton shpërndarjen e mandateve për 12 qarqet

Komisioni Qendror i zgjedhjeve cakton numrin e deputetëve që do të ketë cdo qark, emrat e të cilëve do të dalin nga zgjedhjet e 28 qershorit. Numri i deputetëve është përllogaritur në varësi të popullsisë aktuale të çdo qarku.

TIRANE - Me unanimitet votash Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, (KQZ) ka miratuar shpërndarjen e mandateve të deputetëve për çdo rajon. Pas rreth 2 orë debatesh është dashur prezenca dhe shpjegimet e drejtorit të Gjendjes Civili, Armand Teliti rreth pastrimit të dublimeve në listat zgjedhore që përfaqësuesit e partive politike në KQZ të pranojnë ndarjen e re të mandateve.
KQZ ka vendosur që numri i deputetëve nëpër qarqe të përcaktohet sipas popullsisë në këto zona.
Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Teliti siguroi komisionin për pastërtinë e regjistrit elektronik të zgjedhësve dhe se prej tij janë hequr rreth 50 mijë dublime. Teliti theksoi se personat mbi 18 vjeç të cilët pritet të votojnë janë 3.133.248.
Projektvendimi për ndarjen e mandateve në rang qarku tashmë i miratuar nga KQZ do ti përcillet parlamentit i cili do të duhet ta miratojë deri më datën 2 mars.

Ndarja e Mandateve në rang qarku
Zona zgjedhore qarku Tiranë        32 (tridhjetë e dy)        mandate
Zona zgjedhore qarku Fier        16 (gjashtëmbëdhjetë)        mandate   
Zona zgjedhore qarku Elbasan    14 (katërmbëdhjetë)        mandate
Zona zgjedhore qarku Durrës        13 (trembëdhjetë)        mandate
Zona zgjedhore qarku Korçë        12 (dymbëdhjetë)        mandate
Zona zgjedhore qarku Vlorë        12 (dymbëdhjetë)        mandate
Zona zgjedhore qarku Shkodër    11 (njëmbëdhjetë)        mandate
Zona zgjedhore qarku Berat          8 (tetë)            mandate
Zona zgjedhore qarku Lezhë          7 (shtatë)            mandate   
Zona zgjedhore qarku Dibër          6 (gjashtë)            mandate
Zona zgjedhore qarku Gjirokastër      5 (pesë)            mandate
Zona zgjedhore qarku Kukës          4 (katër)            mandate

Ndarja e mandateve sipas Kodit të ri zgjedhor

TIRANE - Miratimit i sistemit të ri zgjedhor, proporcional rajonal pason vendimmarrjen për ndarjen e mandateve për secilën zonë zgjedhore. Ndryshe nga sistemi i vjetër një përzierje mes mazhoritarit dhe atij proporcional që e ndante vendin në 100 zona zgjedhore, sistemi i ri parashikon ndarjen në 12 rajone ose qarqe. Kodi i ri zgjedhor parashikon një formulë të posaçme për ndarjen e mandateve për çdo qark.
Kështu numri i përgjithshëm i shtetasve shqiptarë, që sipas numrit të popullsisë që ofron Drejtoria e Përgjithshme e gjendjes civile, llogaritet të jetë rreth 4 milion e 249 mijë shtetas, pjesëtohet me numrin 140 të deputetëve që do të ketë gjithsej Kuvendi i Shqipërisë. Kjo llogarit numrin e shtetasve që i korrespondojnë çdo ligjvënësi, pra rreth 30 mijë shtetas. Për të mbërritur në përllogaritjen deputetëve për çdo qark pjesëtohet numri i shtetasve të secilit prej tyre me 30 mijë. Formula përcakton 134 mandate të plota ndërsa 6 mandate të tjera shkojnë për ato qarqe të cilat nga përllogaritja, kanë shifrën më të madhe pas presjes dhjetore. Kështu përfitojnë nga 1 mandat shtesë qarqet e Beratit, Elbasanit, Fierit Korçës, Kukësit dhe Lezhës.
Tabela tregon numrin e mandateve për çdo qark, Tirana ka numrin më të madh të deputetëve 32 tillë më pas vjen Fieri me 16, Korça dhe Vlora me nga 12, e kështu me radhë. Vlen të theksohet se përllogaritja e mandatave në ndryshim nga kodi i vjetër, që parashikonte ndarjen bazuar në shifrën e zgjedhësve, ne ligjin e ri bazohet në numrin e përgjithshëm të shtetasve. Ky proces ka shënuar tashmë një fazë të re kur është identifikuar dhe shifra në total e popullsisë pas pastrimit të regjistrave të gjendjes civile nga dublimet.
L. Q.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›