Partitë e vogla ia dolën mbanë dje të ndalin kërkesën e aleatëve të mëdhenj, për të shtyrë diskutimin e ndryshimeve kushtetuese për reformën zgjedhore. Komisioni parlamentar i Çështjeve Ligjore është përfshirë nga debatet mes deputetëve të dy partive të mëdha dhe atyre të partive të ashtuquajtura “të vogla”. Komisioni kishte si rend dite të punimeve të tij të ditës së djeshme, nisjen e shqyrtimit të paketës ligjore të propozuar nga Partia Socialiste, për ndryshimet në Kushtetutë lidhur me sistemin zgjedhor. Por propozimi i socialistëve është përballur me oponencën e përfaqësuesve të partive “të vogla”. Ata kundërshtuan nisjen e shqyrtimit të paketës ligjore për ndryshimet në Kushtetutë gjatë kësaj mbledhjeje. Ata kryesisht, nuk mbështetën oponencën e tyre në linjën e ndryshimit të sistemit zgjedhor. Prej kohësh zyrtarë të këtyre partive janë shprehur kundër ndryshimit të sistemit aktual, mazhoritar të përzier, në proporcional rajonal. Madje, ata kanë propozuar si sistemin më efikas për kushtet e Shqipërisë sistemin proporcional të individualizuar. Komisionerët e partive “të vogla” theksuan se nisja e shqyrtimit të propozimeve shkel në mënyrë të hapur procedurat parlamentare. Komisioneri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho dhe ai republikan, Arian Madhi, nënvizuan se propozimet për ndryshimet në Kushtetutë nuk ishin parashikuar në programin e punës së Komisionit të Ligjeve. Braho tha se rendi i ditës së aktivitetit të punës të komisionit nuk përmbante këtë paketë ndryshimesh, kësisoj duhet që patjetër të shtyhet. I së njëjtës linjë është pozicionuar edhe kryetari i grupit parlamentar të PR-së, Madhi. Ai u shpreh se nisma nuk ishte parashikuar në kalendarin e punimeve të këtij komisioni, dhe kësisoj gjithë kjo situatë shkon në kundërshtim flagrant me kalendarin që është miratuar në Kuvendin. Por pretendimet e dy deputetëve janë rrëzuar nga vetë kryetari i komisionit, demokrati Fatos Beja. Ai kujtoi se propozimet janë në Kuvend që më 17 mars dhe se drafti u është shpërndarë të gjithë deputetëve, pasi është miratuar në Kuvend. Kështu, sipas tij, gjithçka tjetër është një detyrim për komisionin. Megjithatë, “të vegjlit” nuk kanë dashur t’ia dinë dhe këmbëngulnin në qëndrimin e tyre. Për të kapërcyer situatën konfliktuale, ka reaguar ligjvënësi socialist, Bashkin Fino. Ai ka kërkuar shtyrjen e shqyrtimit të propozimeve, por duke miratuar më parë relatorët përkatës që do të merren me këtë paketë ligjore. Pas këtij propozimi, Komisioni i Ligjeve ka votuar pro demokrates Arenca Trashani dhe socialistit Fatmir Xhafaj, si relatorët përkatës. Ndryshimet e propozuara nga PS-ja kanë të bëjnë me faktin se sistemi nuk do të jetë më mazhoritar i përzier me proporcional, por proporcional, sipas sistemit spanjoll, duke u bazuar në lista shumëemërore dhe me një ndarje të vendit në 12 rajone zgjedhore, sipas qarqeve.
Spartak Braho, LSI:
“Nuk e keni miratuar në rend të ditës. Të shtyhet shqyrtimi, duke zbatuar rregulloren. Duke u kërkuar edhe kolegëve socialistë të respektojnë Rregulloren, pasi ju shquheni për rregullsi”.
Arian Madhi, PR:
“Kalendari nuk e ka parashikuar shqyrtimin e propozimit. Jemi në kundërshtim flagrant me kalendarin që është miratuar në Kuvend dhe me procedurat që janë zbatuar në këtë komision”.
Fatos Beja, PD:
“Propozimi erdhi më 17 mars, iu shpërnda deputetëve, u fut në program, u miratua në Kuvend dhe Rregullorja përcakton që komisionet janë të detyruar të zbatojnë atë që vendos Kuvendi”.
Bashkim Fino, PS:
“Propozoj të caktojmë relatorët dhe për këtë nuk ka ndonjë vërejtje dhe e bëjmë në orën 10, ditën e mërkurë, pasi relatorët të na sjellin materialin dhe ne kemi kohë ta lexojmë e të vendosim”.