E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleatët kundër listave të përbashkëta me PD-në

Sfida për deputetët e ardhshëm ka përqendruar vëmendjen e selisë blu në marrëdhëniet me aleatët. Shtatë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të 2009-ës, Partia Demokratike kërkon të forcojë pozitat përballë elektoratit, duke rikuperuar negociatat e lëna në ‘heshtje‘ me aleatët e saj.

Opsioni i listave të përbashkëta për deputetë është rrëzuar poshtë nga partitë e vogla, të cilat, në mbrojtje të siglës së tyre, kanë kërkuar të garojnë me lista të veçanta. Ideja e partisë më të madhe të mazhorancës për të futur në listat për deputetë edhe aleatët, ka gjetur kundërshtinë e radhës nga të vegjlit.

Republikanët, në mbrojtje të siglës së tyre, kanë shprehur hapur qëndrimin se do të kenë listat e veçanta për deputetë, megjithëse do të jenë aleatë të Partisë Demokratike.

Kryeministri Berisha ka thërritur në zyrë deputetin demokristian, Frrok Gjini, me të cilin ka nisur edhe negociatat e para për ribashkimin e PD me PDK-në. Deputeti Gjini ka hedhur idenë e krijimit të një poli të djathtë, ku pretendon bashkëpunimin edhe me forca të vogla politike si LZHK dhe kristiandemokratët, në rast se nuk do të bëjnë marrëveshje parazgjedhore me PD-në.

Një tjetër parti e koalicionit qeveritar, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, thekson se në zgjedhjet e ardhshme kjo forcë do të përfaqësohet e vetme. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, e konsideroi çështjen e listave të deputetëve si jashtë axhendës politike të partisë së tij, por aprovoi negociatat e PBDNJ-së me PD-në për vazhdimësinë e koalicionit dhe votimin e disa ligjeve në Kuvend.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›