E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleatët, të tradhtuar nga Rama: Do shkëputemi nga koalicioni me PS

12-07-2012 / Gazeta 55

Milo dhe Ndoka: Edi Rama, një humbës i madh - vulosi humbjen e PS edhe në 2013-ën

Partitë e vogla të opozitës ndihen të tradhtuara e të zhgënjyera nga qëndrimi që Partia Socialiste mbajti për reformën zgjedhore dhe mbi të gjitha për faktin se braktisi kërkesën e tyre për korrektim të sistemit zgjedhor. Krerët e partive opozitare theksojnë se partia më e madhe në opozitë përmes këtij qëndrimi vulosi fatin e saj për të qëndruar në opozitë edhe pas zgjedhjeve të 2013. Në deklaratat e tyre, drejtuesit e forcave politike, pjesë e Opozitës së Bashkuar, theksojnë se tashmë do të shohin alternativa të tjera bashkëpunimi politik, duke iu shkëputur njëherë e mirë aleancës me socialistët.
Një ditë pasi komisioni për reformën zgjedhore mbylli punimet pa marrë në shqyrtim kërkesën e partive të vogla për korrektim të sistemit elektoral, kreu i PDS-së, Paskal Milo tha se me këtë reformë po planifikohet një komplot tjetër ndaj zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ai paralajmëroi se aleatët do të ulen edhe një herë në tavolinë me kreun e PS-së Edi Rama dhe nëse kërkesa e tyre nuk pranohet, atëherë do të shihen alternativa të tjera brenda së majtës. “Ne e cilësojmë kompromisin PD-PS si një zgjidhje të dëmshme për procesin e ardhshëm të zgjedhjeve parlamentare, si një reformë të ngutshme e cila deformon zbatimin e kushtetutës përsa i përket barazisë së votës. Është një reformë që nuk arriti në substancë të realizoj kërkesa legjitime të partive për të garantuar zgjidhje të lira dhe të ndershme”- theksoi Milo
Edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule lëshoi kritika ndaj draftit përfundimtar të reformës, që sipas tij nuk arriti të mundësonte një KQZ jo militante, nuk ndryshoi sistemin dhe nuk mori në konsideratë propozimin e kësaj partie për numërimin e votave të emigrantëve.
Pas arritjes së konsensusit mes partive të mëdha komisioni arriti të mbyllte reformën duke zgjedhur dakordësi për tri çështje delikate, mënyra e përdorimit të teknologjive në zgjedhje, mënyra e marrjes së provave në kutitë e materialeve zgjedhore dhe riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›