E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleati i vetmuar ballkanik i Gadafit

Që ka qeveri dhe shtete, të cilët mbështesin autokratët në shtetet e tjera, është një dukuri e njohur, por që ka qeveri dhe shtete, të cilët bëhen me autokratët, në kohën kur ata po rrëzohen nga froni, është një përjashtim i rrallë, të cilit të gjithë i largohen, sepse është një bast i gabuar strategjik. Një përjashtim të tillë antihistorik paraqet sot Serbia, e cila në mënyrën më kontroverse, ka dalë si aleatja e vetme ballkanike e Gadafit.
Më 25 mars, në kulmin e sulmeve ajrore të forcave të koalicionit ndërkombëtar kundër pozicioneve të forcave ushtarake të kolonelit Gadafi, ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, doli dhe në emër të qeverisë së tij deklaroi se “Serbia kërkon një armëpushim imediat të zjarrit në Libi”. Edhe më 22 mars qeveria serbe deklaroi se Serbia është thellësisht e shqetësuar për situatën e tanishme ne Libi dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të operacioneve luftarake. Nada Kolunxhija, kryetare e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, partia që drejton qeverinë serbe, deklaroi se “Serbia ka arsye të besojë se bombardimi i një vendi nuk është mënyra më e mirë për të arritur të drejtat e njeriut”.
Këto deklarata dhe qëndrime zyrtare serbe u bënë pas fillimit të sulmeve ajrore të koalicionit ndërkombëtar në Libi, sulme që u ndërmorën në zbatim të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit në Libi, në mbrojtje të jetës së civilëve nga fushatat represive të regjimit libian. Qeveria e Serbisë i dha fund ambivalencës së ndjekur prej saj si vijë diplomatike në qëndrimin ndaj zhvillimeve në Libi dhe doli hapur në mbrojtje të regjimit të Gadafit. Nuk është vështirë të kuptohet se të kërkosh armëpushim në kulmin e sulmeve ajrore të koalicionit ndërkombëtar mbi objektivat ushtarake qeveritare në Libi, kur objektivi i rezolutës nuk është arritur ende, dhe kur forcat kryengritëse po fitojnë terren në kushtet e reja të raportit të forcave ndërluftuese, do të thotë të nxitosh t’i vish në mbrojtje regjimit në fuqi, t’i japësh kohë atij të rimarrë veten dhe të kundërsulmojë forcat prodemokratike.
Serbia i kundërvihet kështu rezolutës 1973 të KS të OKB-së për Libinë, një javë pas miratimit të saj, ndonëse formalisht, në kuadër të ambivalencës zyrtare diplomatike, Beogradi deklaron se e mbështet rezolutën. Për më tepër, Serbia i kundërvihet forcave dhe shteteve të koalicionit ndërkombëtar, i cili po zbaton rezolutën e OKB me pjesëmarrjen e aviacionit ushtarak në goditjen e objekteve ushtarake të regjimit libian. I kundërvihet jo vetëm NATO-s, por edhe shteteve arabe, të cilat janë bashkuar me qëndrimet dhe politikën e shteteve perëndimore për përkrahjen e forcave prodemokratike në Libi dhe largimin nga pushteti te kolonelit Gadafi. Liga Arabe, që përfaqëson 22 shtete arabe, miratoi më 12 mars një rezolutë drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB, ku i kërkonte vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit mbi Libi. Dhe kur 22 shtete arabe i kërkojnë OKB-së ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, dhe kur mbi bazën e këtij qëndrimi të shteteve arabe u miratua më 17 mars edhe rezoluta e 1973 e KS të OKB-së për Libinë, nuk mund të mos duket e habitshme që Serbia shfaqet me një dashuri shtetërore me të madhe se sa vetë arabët për një regjim arab.
E theksojmë “elementin arab” të zhvillimeve të këtij konflikti në Libi, sepse Serbia dhe sponsorë e llobistë të saj po përpiqen ta përligjin qëndrimin pro regjimit të Gadafit me argumentin absurd se, meqë Serbia ka qenë objekt i sulmeve ajrore të NATO-s në vitin 1999, në kuadër të ndërhyrjes humanitare të Aleancës Atlantike për të ndaluar genocidin serb në Kosovë,
ajo është e ndjeshme dhe përkrah regjimin e Gadafit.
Këtu qëllimisht ngatërrohen gjërat dhe faktet. Në Libi është një luftë mes forcave demokratike dhe regjimit autoritar 42 vjeçar të Gadafit, dhe kushdo, që është me demokracinë, nuk mund të mos radhitet me forcat prodemokratike. Por Serbia, që ende qëndron larg nga zbatimi i vlerave dhe i sistemit perëndimor të standarteve demokratike, e përdor historinë e ndërhyrjes humanitare të NATO-s në Serbi, si pretekst për t’iu kundërvënë forcave prodemokratike dhe për të përkrahur regjimin e Gadafit. Nga ana tjetër, ndërhyrja e NATO-s në Serbi ndodhi, sepse regjimi i Millosheviçit kishte ndërmarrë një agresion dhe genocid kundër popullit shqiptar të Kosovës. Shtrembërimi, që i bën sot qeveria serbe ndërhyrjes së NATO-s në Serbi, ka të bëjë me mbrojtjen, që ajo vazhdon t’i bëjë krimeve të Millosheviçit në Kosovë, politikë të cilën Serbia nuk e ka dënuar asnjëherë.
Mbështetja, që Serbia po i jep regjimit të Gadafit, nuk ka lidhje me ndërhyrjen e drejtë dhe të ligjshme të NATO-s 12 vjet më parë në Serbi. Ajo ka të bëjë me politikën e njohur të Serbisë për të bashkëpunuar dhe për t’u lidhur me autokratët dhe me diktatorët, kudo që janë. Sepse mbështetja, që Serbia po i jep regjimit të kolonelit në Libi, është jo vetëm politike, diplomatike dhe morale, por shumë më e komplikuar.
Është e vështirë të kuptohet se si ikën menjëherë në Libi, (dhe shteti serb nuk i pa), qindra ushtarakë dhe paraushtarakë serbë dhe u rreshtuan me trupat e regjimit të Gadafit për të shtypur forcat prodemokratike. Në qytetin Bengazi, zëdhënësi i forcave prodemokratike, Omar Ban i deklaroi shtypit ndërkombëtar se “forcat e Gadafit përfshijnë edhe mercenarë serbë. Disa kanë kërkuar të dorëzohen, por ata duan të lejohen të kthehen në Serbi. Natyrisht ne nuk mund t’i lemë ata pa i pyetur, sepse përgjigjet e tyre janë të dobishme për ne”. Mediat arabe kanë shkruar se pilotë serbë kanë pilotuar gjuajtësit, që bombarduan protestuesit prodemokraci në Bengazi. Agjencia AFP shkruante se është pothuaj e sigurt, që disa nga municionet e përdorura nga trupat e Gadafit kundër protestuesve prodemokraci, janë të bëra në Serbi dhe pilotët e forcave ajrore, që qëlluan pozicionet mbajtura nga kryengritësit, janë trajnuar nga serbët.
Mbështetja e Serbisë ndaj regjimit të Gadafit shfaqet e organizuar dhe e orientuar. Është diçka e pazakontë, që menjëherë organizohen 50 mijë hakersa në Serbi, të cilët krijojnë në internet lëvizjen në mbështetje të regjimit të Gadafit. Nuk ndodh kjo gjë as në Rusi dhe as në Kinë, që janë shtete të mëdha, të cilat gjithashtu nuk janë në një linjë me Perëndimin lidhur me Libinë. Nuk ndodh as në Venezuelën e Hugo Chavezit. “Lëvizja e Rinisë Libiane”, një organizatë e të rinjve libianë, që luftojnë për vendosjen e demokracisë në vend, protestoi kundër kësaj lëvizje të fuqishme në internet, të organizuar në Serbi në favor të Gadafit. Radio serbe B-92 njoftonte më 24 mars se “Lëvizja e Rinisë Libiane” shkruante në protestën e saj : “Për një vend të vogël si Serbia, me një numër relativisht modest të përdoruesve të internetit, të organizosh 50 mijë vetë mbështetës të Gadafit, të cilët veprojnë së bashku on-line, përbën një projekt të madh, që kërkon mjaft para, mjaft punë dhe mjaft angazhim. Ne dyshojmë se ka organizata politike të fuqishme dhe parti politike prapa kësaj lëvizje serbe proGadafi”.
Një mister ka shoqëruar edhe misionin e posaçëm diplomatik në Libi të Zoran Liliçit, ish president i Jugosllavisë në vitet 1993-1997, në kulmin e luftërave të përgjakshme të Serbisë kundër popujve jo serbë, dhe zëvendëskryeministër i qeverisë në Beograd në kohën e ofensivës së përgjakshme të ushtrisë dhe policisë serbe kundër popullit shqiptar në Kosovë. Zoran Liliç u dërgua në fund të shkurtit në Tripoli, ku zhvilloi takime me kolonelin Gadafi. Zyrtarisht u tha se ai u dërgua për të ndihmuar evakuimin e qytetarëve serbë, por evakuimi është një operacion shtetëror, që kryhet nga institucione shtetërore, dhe Serbia me regjimin libian kishin marrëdhënie të shkëlqyera dhe nuk mund të mendoheshin probleme në evakuim. Ish krahu i djathtë i Sllobodan Millosheviçit duket se u dërgua për të shprehur mbështetje dhe vazhdimësinë e aleancës së Serbisë me regjimin e Gadafit, miqësi që ka qenë konstante, që nga koha e Millosheviçit e deri te koha e Boris Tadiçit.
Qendrimi, që Serbia po mban në mbështetje të regjimit të Gadafit, nuk mund të shihet thjesht si një stonaturë serbe me Perëndimin dhe me shtetet ballkanike. Nëse ajo del sot si aleatja e vetmuar ballkanike e Gadafit, kjo nuk mund të regjistrohet thjesht si një fakt historik. Është një fakt historik, që dëshmon se Serbia anon nga vlerat antidemokratike, dhe atë, që Serbia po bën sot me Gadafin, do të përpiqet ta bëjë edhe në Ballkan, duke përkrahur regjimet autoritare, financuar dhe sponsorizuar ata. Rrethi demokratik perëndimor dhe ballkanik ndaj Serbisë duhet ngushtuar edhe më tepër, me qëllim që forcat gadafiste në Beograd të kenë hapësirë gjithnjë e më të vogël, sepse kjo është në të mirë të zhvillimit demokratik dhe të shmangies së autokratëve në Ballkan.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›