E Diel, 1 Nëntor 2026

Çdo revolucion është kthesë rrënjësore në mënyrën e tij

28-03-2011 / Nga Simon Sebag Montefiore

Editoriali i djeshëm i gazetës Nju Jork Tajms Përktheu nga anglishtja: Etleva Sakajeva Londër - Një Revolucion i përngjan vdekjes së një ylli të venitur, një shpërthimi të gjallëruar Technicolor, që i jep udhë jo një galaksie të re të paracaktuar, por një mjegullnaje, një reje të paformë energjie të ndryshueshme.  Edhe pse secili prej revolucioneve është i ndryshëm, sepse të gjitha revolucionet janë vendore, në këtë epokë të pasigurt kryengritjesh Arabe dhe ndërhyrjesh Perëndimore,  historia e revolucionit mund të na ofrojë ende disa të dhëna mbi të ardhmen, ndërsa raketat amerikane bombardojnë mospërfillësin, Kol.Muammar el-Qaddafi në Libi, sunduesi i Jemenit ëshë në praglëkundjeje dhe trupat siriane qëllojnë mbi protestuesit. Sociologu gjerman Max Weber, përmend tri arsye pse qytetarët u binden sunduesve të tyre: “autoriteti i një së djeshme të përjetshme”, ose prestigji historik; “autoriteti i një dhurate të jashtëzakonshme vetjake hirësie”, ose forca tërheqëse e sunduesit; dhe “mbizotërimi për shkak të virtytit të ligjshmërisë”, ose urdhëri dhe drejtësia.  “Autoriteti i së djeshmes së përjetshme” është veçanërisht i rëndësishëm, sepse në botën arabe, madje edhe republikat, priren të shndërrohen në dinastike. Para përzënies së tij, Hosni Mubarak i Egjiptit përkujdesej për pasardhësit e vet të trashëgimtarë. Para vdekjes së tij në vitin 2000, Hafez al-Assad, diktatori sirian, sundues për një kohë të gjatë, e kaloi pushtetin në duart e djalit të tij, Bashar. Kolonel Qaddafi ka qeverisur që prej shumë kohësh, përmes një falange delfinësh banditë, ku secili prej tyre luan një rol të pangjashëm - njëri si zbatues i totalitarizmit, tjetri si liberal properëndimor - dhe sekush konkurron për marrjen e fronit. Ali Abdullah Saleh i Jemenit, në mënyrë krejt të ngjashme, ruhet me kujdes nga forcat speciale të drejtuara prej të bijve dhe nipërve. Prapëseprapë, “jetëgjatësia e dinastisë i përngjan jetëgjatësisë së një individi”, shkruante Ibn Khaldun, historian-burrë shteti islamik i shekullit të 14-të. Të gjitha këto “monarki” arabe janë mbështetur mbi prestigjin e besimit fetar (Saudi Wahhabism ose Shiizmi i Dymbëdhjetë Iranian), të një personaliteti (në Iran, Ayatollah Ruhollah Khomeini, themeluesi i revolucionit; në Egjiptin e Hosni Mubarak, kujtimi i sunduesit më popullor arab, që prej kohës së Saladin, Presidenti Gamal Abdel Nasser; në Arabinë Saudite, mbreti-themelues Ibn Saud), ose një lidhje trashëgimie (Mbreti Abdullah II i Jordanisë, pasardhës i Muhamedit). Por, “prestigji ... kalbet pashmangshmërisht”, vendoste Ibn Khaldun. Po, revolucionet shënohen nga ngjarje dramatike - zgjedhje të vjedhura në Iran në vitin 2009, një vetëflijim në Tunizi. Por, ato, pasqyrojnë, gjithashtu, depresionin e vjetër ekonomik, për të mos përmendur  shpresa pritjeje në rritje dhe joshjet e krahasimit: interneti do të thoshte që, rinia arabe mund të krahasonte tashmë, të drejtat e saj të frenuara me ato të homologëve të tyre perëndimorë. Ndryshimet e brezave midis faraonëve të tyre të fishkur dhe rinisë së fiksuar pas Twitter, përkeqësuan krizën, çka mund të shënojë edhe fundin e një paradigme të hershme të sunduesit arab, sheikut të fortë e të mençur, el Rais, Bosi. Një diktator, i cili sulmohet rregullisht nga të rinjtë, për ngjyrën e zezë gotike të flokëve dhe mollëzave të zmadhuara me kirurgji, e që shpura e tij shoqëruese paraqet po aq infermiere në numër sa edhe gjeneralë, gjendet në telash - ai ka humbur “dhuratën vetjake të hirësisë”. Diktatorë të tillë janë shpesh kaq sklerotikë, saqë nuk arrijnë të kuptojnë se ka ndodhur një revolucion, deri u ka rënë mbi krye. Në vitin 1848, Princi Metternich, kancelari austriak, ishte aq i moshuar, saqë mezi ia rrokte veshi turmat që qëndronin të mbledhura para pallatit të tij. Kur kryengritjet nisën, e përfytyrova Kolonel Qaddafi ose Mbretin Hamad al-Khalifa të Bahrein, të zhvillonin një bashkëbisedim si ky që vijon: “E çfarë është kjo? Kryengritje?”, pyeti Mbreti Luigj XVI në Paris, në vitin 1789. “Jo, Zotëri”, ia ktheu i besuari i vet, La Rochefoucauld-Liancourt, “është revolucion”. Revolucionet pa udhëheqës, pa organizim, kanë një momentum magjik të vetvetishëm, që vështirë se mund të dërrmohen. Lenini  sapo kishte arsyetuar se revolucioni nuk do të ndodhte kurrë në jetën e tij, kur në shkurt të vitit 1917, turmat e uritura në Petrograd përmbysën nga froni Nicholas II, ndërsa revolucionarët gjendeshin jashtë vendit, të mërguar ose të depërtuar nga policia sekrete. Këtë herë, spontaniteti i pakrye u ndihmua nga Facebook, i cili, sigurisht, që përshpejton mobilizimin e turmave - dhe përcjellja e kulturës perëndimore, qoftë kur ka të bëjë me monologjet e Charlie Sheen, apo gëzimet e demokracisë amerikane. Por ndikimi i teknologjisë është i ekzagjeruar: në vitin 1848, revolucioni që i përngjan më shumë këtij të sotmit, qenë kryengritjet që, pa telefon, për të mos përmendur Twitter, u përhapën nga Sicilia deri në Paris, Berlin, Vienë dhe Budapest.  Ato u shtrinë përmes teprisë së vrullit dhe izolimit të ngurtë të sunduesve shtypës. Sapo turmat mbushin rrugët, aftësia për t’i shtypur revolucionet varet nga vullneti i sunduesit dhe zotësia për gjakderdhje. Sa më të moderuara regjimet, si Irani i Shahut  në vitin 1979, ose Egjipti i Hosni Mubarak, aq më e lehtë është përmbysja. Sa më çnjerëzor shteti policor, si Libia e Kolonel Qaddafi, Jemeni i Presidentit Saleh, ose Siria e Presidentit Assad, aq më i vështirë rrëzimi i tyre. Irani e ka shtypur brutalisht opozitën - është më ndihmëtare të mos jesh aleat amerikan dhe të përjashtosh median ndërkombëtare të lajmeve, sepse bëhet  më i lehtë masakrimi i popullit tënd pa qenë i frenuar nga Departamenti i Shtetit apo CNN. “Fillimet shumë të kënaqshme”, shkruante Edmund Burke, vëzhgues i spirales së Revolucionit Francez, që nga liria e deri tek terrori, “kanë shpesh përfundime të turpshme e të vajtueshme”. Hidhini një sy Revolucionit Cedar të Libanit kundër Sirisë dhe aleatit të saj  Hezbollah, që përfundoi me një qeveri të mbështetur nga sirianët e të zotëruar nga Hezbollah. Suksesi i parë i revolucionit krijon kalamendjen e harbuar të lirisë demokratike, që e vumë re në Kajro dhe Benghazi. Në Europën e vitit 1848, në Rusinë e vitit 1917, u zhvilluan brofje të ngjashme gjallëruese. Shpesh ka ngritje të liderëve të përkohshëm - sjellim ndërmend Aleksandër Kerenskij, kryeministrin e krekosur rus, disa muaj para marrjes së pushtetit nga Bolshevikët - por çdo revolucion ka figurat e tij, që sigurojnë gjethet e fikut për burrat e fortë. Khomeini caktoi Mehdi Bazargan, një demokrat, si kryeministër të tij, i cili në fund të fundit dha dorëheqjen, gjatë krizës së pengjeve. Festa nuk zgjat shumë. Rrëmuja, pasiguria dhe konflikti i një revolucioni i bën qytetarët të kenë mall për autoritet të qëndrueshëm, ose ata kthehen për kah radikalizmi. Sigurisht, ekstremistët e mirëpresin këtë dëmtim, ashtu sikurse Lenini, ai dekan lakonik i universitetit të revolucionologjisë, e pati shprehur me sloganin e tij: “Pa u bërë keq nuk bëhet më mirë”. (Në atë pikë, zgjidhjet e skajshme shndërrohen më të pëlqyeshme: “Si mundet që dikush të bëjë revolucion pa skuadra pushkatimi?” pyeste Lenini). Në këtë skenë, aftësia drejtuese bëhet jetësore: Lenini drejtoi personalisht grushtin Bolshevik të tetorit të vitit 1917. Khomeini ishte vendimtar në krijimin e teokracisë Shiite  në Iran, në vitin 1979, sapo Nelson Mandela pati siguruar një kalim të paqtë në Afrikën e Jugut. Por nuk ka udhëheqës të qartë të opozitës në Libi, Jemen ose Siri: një organ i pamëshirshëm sigurie,  jeton prej shumë kohësh, që kur pati asgjësuar çdo kandidat të tillë. Në vitin 1848, pranvera demokratike nuk zgjati shumë para se të ndodhte një ndërhyrje së jashtmi: Cari Nicholas I i Rusisë i thërrmoi revolucionet në Perandorinë Habsburge, çka i dha atij nofkën “xhandari i Europës”. Ndërhyrja saudite kundër rebelëve Shiite në Bahrein na sugjeron se sauditët janë xhandarët e Gjirit; në Jemen, Presidenti Saleh ka kërkuar, gjithashtu, ndihmën saudite, të cilën ata e kanë mbajtur të tërhequr deri më sot. Në Libi, sigurisht, ka ndodhur e kundërta: Perëndimi ka mbështetur rebelët kundër sulmit të vrullshëm të Kolonel Qaddafi. Secili prej rasteve është i ndryshëm; të gjitha revolucionet janë vendore. Çfardo që të ndodhë më pas në botën arabe, nuk do të jetë thjesht një rikthim tek faraonizmi ushtarak Mubarak-ish. Pas trazirave të vitit 1848, hibridet e çuditshme politike, moderne e prapë autoritare, u shfaqën nga pasiguria: së pari Luigj-Napoleon Bonaparti, i ashtuquajturi princi-president dhe më vonë perandor, në Francë; dhe, më vonë, në vitet 1860-të, Otto von Bismarck në Prusi. Në Egjiptin e ndërlikuar, rezultati i revolucioneve arabe ka gjasën më të madhe të jetë një hibrid i ngjashëm, një demokraci e re, me ushtrinë që mban një rol të veçantë të kujdestarisë së stilit turk; në Libinë e shtypur, mundet që thjesht të kemi një kthim në rivalitetin fisnor. Libia, e ndëshkuar nga planet britanike dhe amerikane, ka mundësi të gjendet në titujt e artikujve, por është një vend i vogël: është fati i tre vendeve kyçe - Egjipti, Arabia Saudite dhe Irani - që do të vendosë gjithçka. Pas së gjithash, Princi Metternich, austriaku konservator, i cili zotëroi Europën midis Kongresit të Vjenës në vitin 1815 dhe revolucioneve të vitit 1848, pati thënë, “Kur Parisi teshtin, Europën e zë e ftoma”. Vendet më të vogla, megjithatë, mund të mbajnë çelësin e atyre më të mëdha: Siria është zemra e moçme arabe. Kryengritja në Siri mund t’i japë kurajë rigjallërimit të revolucionit, te mbrojtësi i  saj, Irani, i cili përballet me sfidën e shfrytëzimit të trazirave që minojnë aleatët amerikanë pa u gjunjëzuar ndaj shqetësimit vetjak. Ndryshimi në Siri mundet që të çlirojë, gjithashtu, edhe Libanin nga Hezbollahu; rënia e mbretit të Bahreinit mund të infektojë monarkinë saudite - ashtu sikurse përmbysja që i bëri Nasser, Mbretit Farouk në vitin 1952, në Egjipt, shpuri në asgjësimin e monarkisë irakene, pak vite më vonë. Dhe duhet të mbajmë mend gjithnjë se, sado liberale të jenë këto revolucione Facebook, rivalitetet midis  Shiitëve dhe Sunnitëve shkojnë përtej fuqisë së Twitter dhe demokracisë. Çdo të ndodhë më pas? Kur Çu En Lai, kryministri komunist kinez, analizonte Revolucionin Francez dy shekuj më pas, pati deklaruar se, “është tepër herët për të rrëfyer”. Na duhet të rikujtojmë që, ndërsa entuziastët kanë cituar në mënyrë të përsëritur revolucionet, nga viti 1989 deri në vitin 1991, si pararendësit kurajozë të revolucioneve të sotme, sa të suksesshme kanë qenë ato? Demokracia ka lulëzuar në Europën Lindore, sikurse edhe në Gjeorgji dhe vendet Baltike, por pjesa më e madhe e ish-republikave sovjetike janë diktatura, sikurse është Uzbekistani ose Bjellorusia, apo edhe autoritare, si Rusia Putiniste. Asnjë doktrinë e vetme amerikane, nuk  mundet apo të zërë vend në këtë univers shumëfaqësh kaleidoskopik të sapokrijuar, që mban emrin e Lindjes së Mesme, që nga Irani e deri në Marok. Na duhet të kuptojmë se kjo do të jetë një lojë e gjatë, turneu i madh i shekullit 21. Na duhet të mbrojmë jetët e të pafajshmëve atëherë kur mundemi - me fuqi ajrore të kufizuar, pa çizme mbi dhe. Duhet të analizojmë se cilat  vende kanë vlerë për ne nga ana strategjike, dhe pasi festat e Facebook të shuhen dhe studentët të dalin rrugëve, të kuptojmë se cili i kontollon në të vërtetë ngjarjet, në ato vende që janë të rëndësishme për ne.  Gjykimet më të mençura u përkasin burrave të shtetit, të cilët dinin mjaft mbi shtypjet dhe krijimet e revolucioneve. “Europa e Vjetër ndodhet në fillimin e fundit”, arsyetonte ultrakonservatori Metternich, ndërsa qe i rrethuar nga revolucionet, “por Europa e Re, megjithatë, nuk ka nisur ende gjalljen e saj, dhe midis Fundit e Fillimit, do të ketë Kaos”. Lenini e pati kuptuar se, pyetja thelbësore në çdo revolucion është gjithnjë alkimia e pazbulueshme e pushtetit: cili kontrollon kë. Ose, si do ta vendoste ai në mënyrë të përmbledhur: “Kush kë?”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›