Prishtina, zhvillimet e brendshme dhe negociatat me Beogradin
Raundin e dytë të negociatave me Beogradin, Prishtina po e fillon me shumë probleme të brendshme, të cilat edhe do të mund të ndikojnë në stabilitetin qeverisës, por edhe në stabilitetin politik. Dy janë zhvillimet kryesore që do të mund të ndikojnë në qëndrueshmërinë politike të situatës në Kosovë, edhe ashtu shumë të ndjeshme pas zgjedhjeve të përgjithshme, e në të cilat Hashim Thaçi, dëshmoi se nuk ka vjedhur vetëm të vërtetën për konfliktin në Kosovë, se nuk ka vjedhur vetëm të vërtetën për masakrat serbe, se nuk ka vjedhur vetëm sakrificën e shqiptarëve, mundin e tyre, por edhe votën e tyre, ashtu siç duket, se po ua vjedh edhe të ardhmen. Këto dy zhvillimet kryesore kanë të bëjnë me raportet e brendshme në PDK, partinë që po qeveris vendin, dhe me projektbuxhetin e Kosovës për këtë vit. Këto dy zhvillime, që janë shumë të rëndësishme për qëndrueshmërinë politike të situatës në Kosovë, kanë marrë përmasa të reja, pas rihapjes së çështjes “Limaj” në Kosovë, tashmë jo për korrupsion, por për krime kundër njerëzimit, si dhe pas votës pro të AAK-së për projektbuxhetin, sikur po paralajmërojnë zhvillime interesante, që mund të shkaktojnë edhe rënien e qeverisë që e drejton Hashim Thaçi, e pse jo edhe një rikonfigurim të ri të skenës politike. Ndonëse, në mendësinë aspak demokratike të së majtës shqiptare edhe në Kosovë, në të cilën solidariteti ideologjik dhe sindroma e “armikut” janë mjaft të theksuara dhe kanë ndikuar në proceset demokratike dhe reformuese, sidomos te PDK-ja, duket se zvarritjet gjarpërore të Hashim Thaçit drejt koalicioneve joparimore me gjithësecilin që i garanton vota për të qeverisur, si dhe roli prej kasandre që po luan edhe në spastrimet e brendshme në parti, kanë lënë pasoja edhe në raportet në parti. Edhe pse reagimet e Fatmir Limajt kundër Hashim Thaçit kanë ardhur jo për vjedhje votash, as për proceset politiko-demokratike në parti e në Kosovë, por për shkak të cenimit të tij personal, megjithatë kanë shpërfaqur një situatë aspak stabile brenda PDK-së, e cila mund të ndikojë edhe në qëndrueshmërinë e qeverisë në Kosovë. Kjo për faktin se, tashmë, akuzat e Fatmir Limajt janë konkrete, edhe pse jo të gjitha të drejtpërdrejta: ai derisa tha se nuk besonte se nuk e kanë ditur zëvendëskryeministri Kuçi, njëherësh ministër i Drejtësisë, dhe Bajram Rexhepi, ministër i Brendshëm, se ekzistonte një fletarrest i EULEX-it për të, la të nënkuptohej se kjo i vinte nga Hashim Thaçi, ashtu siç mund t’i ketë ardhur edhe dërgimi në Hagë para shumë vitesh. Është interesant fakti se Fatmir Limaj nuk kishte pasur kësi reagimi në kohën kur ishte bastisur në zyret e tij, por edhe në shtëpi për çështje korrupsioni, biles e kishte dhënë votën pro një qeverie dhe një koalicioni që atë personalisht e nxirrte jashtë dyerve të qeverisë, por u nxeh tashmë kur EULEX ka ngritur akuza për krime kundër njerëzimit. A është kjo shprehje e dobësimit të solidaritetit ideologjik, apo lodhje me akuza të vazhdueshme kundër tij, mbetet të shihet, por vështirë se mund të përfundojë me kaq, jo së paku pa ndonjë pazar të madh që do t’i siguronte Limajt ndonjë situatë më të favorshme. Kjo do të varet shumë nga fakti se EULEX a e ka seriozisht me akuzat e tij kundër Limajt, apo kjo është vetëm një lojë me qëllime të tjera dhe aspak parimore. Kur them këtë kam parsysh faktin se akuzat për krime kundër njerëzimit, që EULEX ka bërë kundër Limajt, janë akuza që janë nën juridiksionin e Tribunalit të Hagës, përkatësisht të Gjykatës së Hagës, e cila një herë e ka gjykuar dhe e ka liruar atë, dhe rrjedhimisht janë akuza që nuk mund t’i bëhen për së dyti, sipas parimit se askush nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën vepër. E edhe në rast se ka prova të reja, që do të mund të ishin të mjaftueshme për ta rihapur sërish këtë çështje, atëherë do të duhej që këtë ta bënte Tribunali i Hagës, ashtu siç ka bërë edhe në rastin e Ramush Haradinajt, e jo EULEX. Prandaj, mbetet të shihet gjatë ditëve dhe javëve të ardhme se si do të përfundojë gjithë kjo, por gjithësesi, ajo që ka rëndësi shumë të madhe, është se çfarë ndikimi do të ketë në zhvillimet e brendshme në PDK, përkatësisht në unitetin e saj aspak të qëndrueshëm, e që do të ketë ndikim në qëndrueshmërinë e qeverisjes, si dhe në vetë procesin negociator me Beogradin, sidomos kur tash kanë dalë edhe zëra të tjerë që e akuzojnë Hashim Thaçin për vjedhje të votave dhe se po qeveris me vota të vjedhura. Këto akuza, që tashmë i janë bërë edhe nga një eksponent tjetër, Rexhep Hoti, i spastruar shumë më parë politkisht nga Hashim Thaçi, duket se po i vënë benzin zjarrit, dhe po e bëjnë situtatën edhe më interesante, edhe pse njerëzve të solidearitetit ideologjik nuk mund t’u besohet kurrë deri në fund.
Se a e kanë seriozisht këta me Hashim Thaçin, apo të gjitha këto kanë vetëm për qëllim përfitime personale dhe pozicionime personale në parti dhe në qeveri, do të shihet më 31 mars, kur do të vazhdojë debati për projektbuxhetin e ri të Kosovës, i cili është mbështetur në modelin e funksionimit të një skeme piramidale, sidomos nga fakti se parashikon rritjen e pagave të shërbyesve civilë nga 30% deri në 50%. Po e them këtë, për faktin se nëse këto akuza kundër Hashim Thaçit që tashmë po i vinë nga njerëz të rëndësishëm të partisë së tij janë serioze, parimore dhe të bazuara në parimet demokratike të funksionimit politiko-partiak dhe politiko-institucional, do të duhej të pasoheshin me votën kundër, edhe për këtë projektbuxhet, i cili mund të jetë edhe fundosje financiare e Kosovës. Fakti se ky projektbuxhet, mbështetet jo në politika fiskale, zhvillimore dhe në tangjeta normale dhe në projeksione të mirëfillta të politikave ekonomike stabile dhe zhvillimore, por në një paketë premtimesh zgjedhore, dëshmon për një model funksionimi të ngjashëm me modelin e skemave piramidale me efekte afatshkurtëra të dobishme, por me efekte afatgjata të dëmshme për ekonominë dhe për qëndrueshmërinë sociale në Kosovë. Në anën tjetër, edhe fakti se politika e rritjes së pagave sipas modelit të skemave piramidale, mbështetet në shitjen e Post-Telekomit të Kosovës, pra të një akti ekonomiko-financiar të dyshimtë, është një argument shtesë për të kuptuar skemën aspak funksionale, aspak profesionale dhe aspak ekonomike të këtij buxheti. Është kështu për faktin se futja në planifikimet buxhetore, e për më tepër në politikën e rritjes së pagave, edhe e transaksioneve të tilla tregtare, si shitja e Post-Telekomit të Kosovës, që do të duhej t’i nështrohej ligjeve të tregut, e që do të përcaktonin edhe vlerën finaciare të tij, është në kundërshtim me frymën liberale të tregut. Kur them këtë, kam parasysh, se pavarësisht nga shkalla e saktësisë së projeksioneve ekonomiko-tregtare, paracaktimi i vlerës së një aseti ekonomik, e për më tepër bazimi i politikave ekonomike mbi këto paracaktime, është në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare liberale, pasi që në parim, askush nuk e di sesa do të jetë vlera reale e kësaj kompanie, e shndërruar në ofertë financiare të blerjes. Në fakt, paracaktimi i një vlere financiare reth 300 milionë eurosh, që është bërë në projeksionet e qeverisë, është një vlerë që është afërsisht e barabartë me faturën financiare që ka rritja e pagave e parashikuar me këtë buxhet vetëm për këtë vit, e që e bën edhe më shumë politik, edhe më pak ekonomik dhe më pak profesional, shitjen e kësaj kompanie të rëndësishme ekonomike për Kosovën. Post-Telekomi i Kosovës, është planifikuar të bëhet kurban i një premtimi zgjedhor të Hashim Thaçit, dhe në një farë mënyre, edhe çmimi i blerjes së votave në rast të zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme që do të mund të mbaheshin gjatë këtij viti, apo edhe në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Në këtë kontekst, është interesant vota pro që AAK-ja i ka dhënë në parim këtij projektbuxheti, për të parë mundësinë e afrimit të kësaj partie me PDK-në, e që do të mund ta shtynte situatën drejt një rikonfigurimi të ri politik në Kosovë. Edhe pse kjo votë pro është dhënë, siç thonë në AAK, për t’i dhënë mundësi ndryshimeve në projektbuxhet, sidomos pika që ka të bëjë me shitjen e Post-Telekomit, megjithatë kjo mbetet vetëm një arsye politike, pasi që Hashim Thaçi nuk e ka ndërmend ta heqë këtë pikë, edhe për faktin se pikërisht në këtë pikë e ka mbështutur politikën e tij për rritjen e pagave. Pandaj, mbetet për t’u parë më tej se cila ka qenë arsyeja reale se përse AAK-ja e ka dhënë votën pro këtij projektbuxheti, si dhe a do ta tërheqë këtë votë, nëse nuk do të arrijë ta bindë qeverinë që ta heqë këtë pikë. Po ashtu, mbetet të shihet se AAK-ja, a po luan edhe me pozitën gjithnjë e më të luhatshme të Hashim Thaçit në parti, për të arritur objektivat e saj politiko-partiakë, e që në një farë mënyre do ta riaktualizonin edhe një herë çështjen e përfshirjes së saj në një qeveri të përbashkët me PDK-në.
Pavarësisht nga përllogaritjet, lojërat politike dhe akrobacitë politike që bëjnë forcat e ndryshme politike, duhet thënë se të gjitha këto ndikojnë edhe në negociatat me Beogradin, e që mund të imponojnë dobësimin e mëtutjeshëm të pozitave të shqiptarëve në këto negociata, por edhe mundësinë e ndërprerjes së përkohshme, nëse do të ketë krizë qeverisëse në Kosovë.