E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alegri: Tani do luhet! Jemi gati për të fituar

SHKRUAN: Jeton Selimi 09-09-2011 12:26

“Gati për të shpërthyer”. Rino Gatuzo është gati në vijën e startit, “me shumë respekt për Lacion”, por me objektivin e fitores. Entuziazmi i senatorit kuqezi i pëlqen shumë Masimiliano Alegrit, sipas të cilit vetëm grupi mund të shtojë triumfe të tjerë. Adrenalina është shumë e lartë. “Më në fund do ta nisim edhe pse ndeshjen e fundit e luajtëm për trofeun Berluskoni – thotë trajneri në konferencën për shtyp në vigjilje të debutimit të Milanit me Lacion. 20 ditë pa futboll janë shumë. Më në fund, djemtë nuk mund të prisnin më shumë”.

Është gjueti ndaj Milanit kampion, i deklaruar nga të gjithë si favorit për të bërë bis. “A ndihem me pushkët drejtuar pas shpine? Është normale, duhet të marrim në shtëpi menjëherë tri pikët. Në ndryshim nga sezoni i kaluar jemi më të favorizuar, por e dimë se ndeshjet do të jenë më të vështira dhe për të fituar duhet të luajmë ashtu siç Milani di të bëjë” thekson Alegri. Trajneri livornez është i qetë përsa i përket formës fizike të lojtarëve. “Djemtë janë mirë fizikisht. Duhet të futen mendërisht në ndeshje. Nuk jam aspak i shqetësuar. Duhet të vlerësoj kushtet e Sedorfit, Zambrotës dhe Van Bomelit, me Klarensin që vështirë se mund të rikuperohet. Të tjerët janë në formë”. Pastaj shton për Ibrën: “Do të luajë”.

Reja: Milani favorit

Për Lacion e Kloses dhe Sises, ky kampionat nis me një zjarr të madh në shtëpinë e kampionëve të Italisë. Për trajnerin bardhekaltër, Edi Reja, transferta me Milanin është prova e parë për të parë se çfarë mund të bëjë kjo Lacio e rinovuar. “Kam punuar bashkë me shoqërinë për të ndërtuar një skuadër më të fortë se ajo e sezonit të shkuar. Kemi humbur disa lojtarë të mirë dhe kemi afruar disa të tjerë po aq të mirë. Do të jetë fusha ajo që do të na thotë të vërtetën. Fillimi i kampionatit me Milanin do të jetë një ndeshje me të vërtetë e vështirë, por ne kemi besim”. Vitin e kaluar, në “San Siro” përfundoi në barazim, por Lacio vuajti shumë. Reja pranon: “Vitin e shkuar në Milano kemi hequr keq, kishim shumë mungesa dhe vuajtëm. Kësaj radhe duhet të ndryshojmë mentalitet, të bëjmë ndeshjen tonë dhe të shfrytëzojmë në maksimum rastet që do të na paraqiten. Aty do ta nisin fort, por ne kemi katër lojtarë të frikshëm në fazën ofensive, që mund të vënë në vështirësi këdo. Klose e Sise janë lojtarë të mëdhenj, kemi një grup me cilësi. Nëse bëjmë një ndeshje të përqendruar, mund ta vëmë në vështirësi Milanin. Si ndeshje të parë do të kisha preferuar Kievon në “Olimpico”. Por kjo është një ndeshje që mund të na konfirmojë shumë gjëra. Është një test i rëndësishëm për ne”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›