Rusia dhe bota e hokejit në zi për viktimat e Jaroslavit
Në vend është ndërprerë kampionati dhe është shpallur zi kombëtare. Presidenti Medvedev shkon në vendngjarje personalisht
Për botën e hokejit ishte një tragjedi e vërtetë. Rrëzimi i avionit në Jaroslav të Rusisë, që solli zhdukjen e skuadrës lokale të Lokomotiv Jaroslavit, la një bilanc prej 43 të vdekurish, trupat e të cilëve janë gjetur që të tërë. Yak-42, ku udhëtonin 45 persona (37 pasagjerë dhe 8 anëtarë të ekuipazhit), për çështje ende të paqarta, u rrëzua menjëherë pas nisjes. Në aksident mbetën të vdekur të gjithë lojtarët e hokejit, përveç njërit, sulmuesit Aleksandr Galimov, që gjendet në spital në kushte kritike për jetën. Shtatë kombet e përfshira në aksident, që ka sjellë shumë hidhërim jo vetëm në botën e hokejit. Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel ka shprehur “ngushëllimet e sinqerta” për viktimat e aksidentit ajror në Jaroslav. Mes viktimave ishte edhe trajneri Bred MekKrimon, ish-trajner i skuadrës Red Uings Detroid, dhe shtatë lojtarë të huaj: portieri suedez, ish-kampion bote dhe olimpik, Stefan Liv, një legjendë në Suedi e jo vetëm, lojtarët çekë Josef Vasiçek, Jan Marek dhe Karel Rashunek (kapiteni i Lokomotivës), sllovaku Pavol Demitra, lojtari i kombëtares gjermane Robert Ditrish dhe Karlis Skrastins, ylli i hokejitn letonez. Presidenti Medvedev pritet të jetë sot në Jaroslav për të parë nga afër vendngjarjen.
Skuadra e Jaroslavit ishte një nga më të njohurat në Rusi. Në kampionatin e shkuar, që u mbyll në prill, mbërriti në vendin e tretë, por në vitet e fundit e kishte fituar titullin në tre raste në vitin 1997, 2002 dhe 2003. Në Rusi, emocioni për tragjedinë ishte i menjëhershëm dhe shumë i fortë. Lajmi u përhap kur po luhej ndeshja e parë e sezonit të ri mes Oufas dhe Mijtishçit. Ndeshja u ndërpre menjëherë dhe pak çaste më vonë, autoriteti sportiv ndaloi të gjithë kampionatin.