E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alegri drejt shkarkimit, Berluskoni e ka vendosur

ITALI - Tashmë duket se gjithçka ka përfunduar. Dikush priste që vendimi të merrej menjëherë pas barazimit 0-0 me Anderlehtin, por te Milani nuk janë mësuar t’i bëjnë gjërat shpejt e shpejt. Orët e Masimiliano Alegrit në stolin kuqezi duken të numëruara dhe tashmë një gjë e tillë nuk është vetëm një ide e krijuar në shtyp.

Ndeshja me Udinezen, në program të dielën, duket se do të jetë shansi i fundit. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe telefonata e gjatë e Silvio Berluskonit me Adriano Galianin të martën në mbrëmje. Presidenti mësohet se ka kërkuar shkarkimin, por administratori i deleguar i ka kërkuar që teknikut toskan t’i jepet edhe një shans.

Pra, në fund të takimit ndaj belgëve, Berluskoni duket se ka menduar edhe një largim të menjëhershëm të trajnerit, duke parë situatën e rëndë të krijuar pas rezultateve tejet zhgënjyese për një klub si Milani.

Biseda me Galianin e ka bindur të ndërrojë mendje dhe t’i japë një tjetër shans, me shpresën se mund të vijë kthesa në kampionat, pas dy humbjeve të pësuara në tre ndeshjet e para, të dyja në “San Siro”. E ndërsa tifozët fajësojnë për këtë formë të Milanit shitjet e Ibrahimoviç e të Tiago Silvës (të dy shënuan në ndeshjen PSG-Dinamo Kiev), zëvendës presidentja Barbara Berluskoni ka shpjeguar motivet e këtij vendimi.

“Babai im dhe Adriano Galiani kishin vendosur të mbanin Tiagon. Më pas, Paris Sent Zhermen avancoi ofertën për të dy futbollistët dhe ajo ishte e parefuzueshme”, tha vajza e padronit të Milanit. Përpara dollarëve të naftës, Berluskoni është joshur, duke e lënë Tiago Silvën të lirë për shifrën e 40 milionë eurove. Ndërkohë, për ndeshjen e së dielës ndaj Udinezes, që do të vendosë shumë gjëra sa i përket të ardhmes së Alegrit, Milani ka rikuperuar edhe mesfushorin e blerë këtë verë, Rikardo Montolivo.

Një shpresë se ish-futbollisti i Fiorentinës do të ndihmojë disi skuadrën të dalë nga loja apatike dhe pa fantazi e treguar në ndeshjet e deritanishme. Për Alegrin mund të rikthehet shumë shpejt edhe Aleksandre Pato, i cili duket se e ka lënë përfundimisht pas dëmtimin. Gjithsesi, sulmuesi brazilian pritet të jetë i gatshëm vetëm për ndeshjen ndaj Parmës më 29 shtator.

(a.k/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›