E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i Strasburgut, qeveria dëmshpërblen Vehbi Alimuçajn

TIRANE - Përmes një vendimi të djeshëm, Këshilli i Ministrave ka miratuar dëmshpërblimin me 8 mijë euro për ish-bosin e firmave piramidale Vehbi Alimuçaj. Dëmshpërblimi, i cili vjen si detyrim i shtetit shqiptar për respektimin e Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, është i diktuar nga një vendim i Gjykatës së Strasburgut, sipas të cilit, ish-bosit të kompanisë “Vefa Holding sh.p.k” iu dha nga ana e shtetit shqiptar një dënim më i rëndë nga sa parashikon ligji. “Këshilli i Ministrave vendosi ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, datë 7.2.2012, për çështjen nr.20134/05, ‘Alimuçaj kundër Shqip¸ris¸’, në shumën 8000 euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin”, shkruhet në vendimin e djeshëm të qeverisë.
Strasburg, fiton Vehbi Alimuçaj
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut shqyrtoi në shkurt të këtij viti ankesën e shtetasit Vehbi Alimuçaj kundër Shqipërisë, padi e paraqitur në Strasburg më 2 qershor 2005. Vendimi i trupit gjykues, që kryesohej nga presidenti Nicolas Bratza, përmbushte pjesërisht kërkesat ish-bosit të firmës piramidale, duke rrëzuar shumicën e pretendimeve të Alimuçajt. Në padinë kundër shtetit shqiptar në Strasburg, Alimuçaj u referohej disa neneve në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, në bazë të të cilave, ankohej dhe për mungesën e parashikueshmërisë ligjore për ndjekjen penale ndaj tij, si dhe për dënimin e dhënë. Në dosje qe shtuar edhe ankesa për shërbim jo të duhur mjekësor gjatë vuajtjes së dënimit, duke qenë se ai vuante nga probleme serioze kardiake e neuro-psikike. Gjykata e Strasburgut rrëzoi pjesën më të madhe të akuzës të Alimuçajt, meqenëse raportet mjekësore të paraqitura dëshmonin keqësimin e situatës për shkak të vijimësisë së sëmundjes tek individi, por pranoi se nuk ishte respektuar neni 7 i Konventës (nuk ka dënim pa ligj), me argumentimin, se ndaj aplikuesit ishte imponuar një dënim më i rëndë se ndëshkimet në fuqi gjatë kryerjes së veprës penale.
“Vefa”
Ish-bosi i “Vefa Holding sh.p.k” u arrestua në prill të 1998-ës, me akuzën për krijimin e skemave mashtruese të huamarrjes. Në 2002-in, Alimuçaj u shpall fajtor nga Gjykata e Lartë, për mashtrimin ndaj 57 923 kreditorëve të kompanisë së tij dhe u dënua me 20 vjet burg. U lirua pas 8 vjetësh, në maj 2010, pasi uljes së 11 viteve nga dënimi falë dy akteve amnistie (2002 dhe 2007), 6 muaj falë punës në burg dhe 1 vit iu hoq me faljen presidenciale të 2010-tës. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›