Alegri kerkon kohe per te ngritur skuadren

Mos vallë trajneri është tashmë në vijën e finishit? Në pikën e mbërritjes ku punëdhënësve nuk u mbetet gjë tjetër veçse ta falenderojnë për kohën e kaluar bashkë dhe t’i japin duart? Rreziku i shkarkimit të Masimiliano Alegrit nga stoli i Milanit është shumë i afërt, ndërsa kuqezinjtë kishin 73 vjet që nuk ishin në pozita të tilla, me 5 humbje në 8 javë kampionat.
Nëse do të kishte humbur 3-0, trajneri do të ishte shkarkuar pa diskutim, por reagimi në pjesën e dytë e ka ngrohur Galianin. Vetë Alegri kërkon pak më shumë kohë.
“Është e qartë se është humbur disi durimi. Mendoj se kjo skuadër duhej të kishte pasur disa pikë më shumë, por nëse nuk ia kemi dalë do të thotë se duhet të bëjmë më shumë që t’i kemi në të ardhmen. Kur bëhen ndryshime si këto, ekziston nevoja për kohë që të arrihet atje ku duhet, por pavarësisht rezultateve, paraqitjet e skuadrës janë shpresëdhënëse”, u shpreh ai.
Gjithsesi, duket e vështirë që Milani të arrijë të reagojë sa për të shpëtuar trajnerin, ndërsa burimi më i madh i optimizmit mund të jetë ecuria e mirë në Ligën e Kampionëve. Tashmë që kampionët kanë ikur dhe bashkë me ta edhe përvoja, problemet e Alegrit ndërlikohen edhe më shumë. Gjithçka mund të ndodhë në futboll, por një nga 3 vendet e para në Serinë A në fund të këtij edicioni, pra kualifikimi për në Champions vitin që vjen, duket një mision i pamundur.