E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk mjafton vetëm të fajësosh shoferët për masakrën nëpër rrugëNga Sadedin ÇelikuMuaji korrik po kalon me mjaft viktima, sa është vështirë t’i numërosh. Çdo ditë ka nga dy-tri viktima si rezultat i aksidenteve me pasojë vdekjet. Vëmë re se në të gjit

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Nuk mjafton vetëm të fajësosh shoferët për masakrën nëpër rrugëNga Sadedin Çeliku

Muaji korrik po kalon me mjaft viktima, sa është vështirë t’i numërosh. Çdo ditë ka nga dy-tri viktima si rezultat i aksidenteve me pasojë vdekjet. Vëmë re se në të gjitha situatat Inspektorati Rrugor shfajësohet dhe gjithmonë fajin na e paskëshin drejtuesit e automjeteve se nuk zbatojnë Kodin Rrugor.

Problemi që diskutojmë është mjaft i rëndësishëm. Aksidentet janë shtuar në dinamikë dhe askush nuk merr mundimin të merret me këtë çështje. Nga viti 2005 deri në 2009, aksidentet janë shtuar së tepërmi. Ato kanë qenë 520 të tilla në vit, dhe tani është dyfishuar numri i aksidenteve me pasojë vdekjen.

Aktualisht ka një iniciativë të Ministrisë së Transportit për sigurinë rrugore me kredi të Bankës Botërore, projekt ky në proces. A zgjidhet siguria rrugore me leksione dhe llafe boshe?

Faktorët që ndikojnë në këto aksidente janë të shumtë, si roli i shoqërisë civile në parandalimin e aksidenteve, rritja e inventarit të automjeteve, pikat e zeza që në Shqipëri gjenden me shumicë, gjendja e rrugëve, mungesa e sinjalistikave vertikale, horizontale dhe elektronike, mungesa e sistemit të ndriçimit në rrugë, mungesa e masave për sensibilizimin dhe edukimin e tërë shoqërisë shqiptare dhe opinionit publik, mungesa e vendparkimeve dhe vendqëndrimeve në qendrat urbane, e mjaft faktorë të tjerë.

Në këtë aspekt mund të flasim shumë, por unë desha të ndalem tek ajo që është me kryesorja, kundërvajtja, e cila, sipas Kodit Rrugor, penalizohet dhe me heqje të lejes së drejtimit sipas rastit, përgjithmonë, ose deri në një vit dhe gjoba deri 5000 lekë të reja.

Kundërvajtja, ku bën pjesë parkimi i gabuar, shpejtësia, alkooli, pajisja me leje drejtimi i të rinjve pa mbushur moshën me ligj, drejtimi i mjetit nga njerëz me aftësi të kufizuara, është premisë potenciale për aksidente, prandaj duhet parandaluar. Një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm Policia Rrugore, që priret të shikojë xhepat e drejtuesve të automjeteve, se sa u vjen keq për rritjen e aksidenteve.

Dihet se ku është numri më i madh i aksidenteve. Ato ndodhin në aksin Tirane-Laç-Shkodër dhe shumë pak në akset e tjera. Pse, kaq e vështirë qenka të vësh 5 patrulla, dhe nëse jo, të kërkosh ndihmë nga institucione të tjera që përafërsisht kryejnë të njëjtat detyra, vetëm për sezonin e verës?

Vendet e zhvilluara i kanë edukuar drejtuesit me zbatimin e ligjit, pra Kodit Rrugor, me gjoba dhe penalizime të tjera. Edhe atje ka mijëra drejtues që nuk njohin rregullat e qarkullimit, por, kur penalizohen, nuk bëjnë më të njëjtin gabim. Te ne korrupsioni i lartë në këtë sektor bën që të lejohen drejtuesit të bëjnë shkeljet e mësipërme, ku pasojat janë të pariparueshme. Sipas statistikave, rreth 20% e të plagosurve në rrugët tona vdesin vetëm nga fakti se nuk u shkon në kohë ndihma e shpejtë, shpeshherë ajo ndihmë nuk është profesionale. Përgatitjen e drejtueseve të mjeteve për dhënien e ndihmës së shpejtë e bën Kryqi i Kuq Shqiptar, e nuk janë të pakta rastet kur nuk i trajnon fare.

Është e natyrshme që krijimi i një kulture dhe sjelljeje të re në rrugë, kërkon një kohë të caktuar. Ajo është bashkudhëtare me tranzicionin, por shoqatat nuk kanë pak rol, dhe në mënyrë të veçantë, shoqatat e autoshkollave dhe sigurisë rrugore duhet të bëjnë sensibilitetet e nevojshme për parandalimin e aksidenteve rrugore. Disa nga masat që mund të ndikojnë ndjeshëm në uljen e aksidenteve rrugore janë:

- Futja e mësimit të edukatës qytetare rrugore në programet mësimore në ciklet e arsimit 9-vjeçar.

- Përmirësimi i kuadrit ligjor që rregullon aktivitetin e autoshkollave, i cili do të çojë në përgatitjen e teorisë e praktikës së kandidatëve për leje drejtimi.

- Roli që duhet të luajë shoqëria civile, media dhe fushatat e ndërgjegjësimit për rregullat që duhet të zbatojë drejtuesi i automjetit.

- Ashpërsimi i masave ndëshkuese me Kod Rrugor, pra gjobën dhe patenta për shkelje e kundërvajtje të bëhet si në vende të tjera, me shënim deri në heqjen e saj të plotë.

- Respektimi me rigorozitet i ligjit, tolerancë zero për shkelësit. Shumica shkeljet nuk i bëjnë nga mungesa e njohjes së ligjit, por se ato nuk njohin forcën e ligjit.

- Ndërtimi i rrugëve të reja dhe rehabilitimi i atyre të vjetra duhet bërë sipas parametrave bashkëkohore.

Sadopak sikur të jepnin rezultat këto masa, do të ishte shumë edhe shpëtimi i një jete të vetme, por jam i sigurt se do të shpëtojnë më shumë, në qoftë se shteti fillon të reagojë, të marrë përsipër detyrimet që burojnë për zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës që të mbrojë jetën e qytetarëve të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›