E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Me SHBA shkëmbej letra

Ministri i Jashtëm mohon të ketë dërguar letër për ankimim në DASH, por nuk mohon të ketë marrë letër prej saj


"Puna ime kërkon që çdo ditë të shkëmbej letra dhe mesazhe me Uashingtonin, dhe me qendra të tjera"


Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka mohuar dje t'i ketë dërguar një letër Sekretares Amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, ku të jetë ankuar për qëndrimin e shprehur nga i dërguari i SHBA në Tiranë, Xhon Uidhers. Krahas kësaj, kreu i diplomacisë shqiptare, njëherësh Zëvendëskryeministër, nuk mohoi të ketë pasur një letër nga Ndihmëssekretari për Çështjet Europiane, Filip Gordon.


I pyetur mbi këtë çështje, numri dy i qeverisë shqiptare shprehur keqardhjen që, siç tha ai, kjo thatësirë që vjen nga koha, për fat të keq ka sjellë edhe një thatësirë për lajme, për të gjithë ata që duan ta mbushin atë me lajme të cilat janë spekulative.


Por, përveç keqardhjes së tij, Ministri i Jashtëm deklaroi se shkëmben letra dhe mesazhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të detyrës së tij. "Puna ime si Ministër i Jashtëm kërkon që unë çdo ditë të shkëmbej letra dhe mesazhe me Uashingtonin dhe me qendra të tjera të rëndësishme. Ndërsa për spekulimet në fjalë, as që nuk ia vlen që të merrem me to.


Sidoqoftë, mund t'ju them se nuk ka asnjë letër zyrtare drejtuar cilitdo shtet jashtë ku të jemi ankuar për ndonjë Ambasador apo diplomat këtu në Shqipëri. Por, është e drejta e kujtdo të prodhojë lajme", -u përgjigj Meta.


I pyetur nëse ka vlerësime maksimale për punën e Uidhers në Shqipëri, numri dy i ekzekutivit tha se vlerësimet janë maksimale për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është aleati ynë kryesor strategjik. Sipas tij, marrëdhëniet kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithnjë e më të shkëlqyera.


Gjithashtu kreu i diplomacisë shqiptare tha se ka marrëdhënie shumë të mira me ambasadorin amerikan në ikje. "Sapo kemi pasur një darkë lamtumire përpara se të nisja këtë tur vizitash në Lindjen e Mesme, dhe jemi ndarë me shumë dashuri me njëri-tjetrin për t'u ritakuar së shpejti", -sqaroi Ministri i Punëve të Jashtme.


Krahas kësaj çështje, e cila ishte nën fokusin e mediave, Zëvendëskryeministri në daljen e tij për mediat foli edhe për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ai theksoi se nuk ka asnjë negociatë midis PD dhe LSI për zgjedhjet e ardhshme vendore sepse ka gjëra të tjera shumë më të rëndësishme. Sipas tij, gjithçka do të ndodhë në kohën e duhur e do të vendoset nga forumet përkatëse.


I pyetur se a respiron Bashkinë e Tiranës apo një nga Bashkitë e mëdha si Durrësin, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk preferoi të komentojë mbi çështje, duke thënë se është shumë herët për këtë çështje duke qenë se jemi në procesin e liberalizimit të vizave.


Mbi këtë çështje, ministri i Jashtëm shprehu bindjen se procesi i liberalizimit të vizave do të marshojë në mënyrë të pandalshme. "Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat, të gjitha kriteret dhe Shqiptarët shumë shpejt, natyrisht të gjithë ata që janë pajisur me pasaporta biometrike, do të udhëtojnë pa viza në hapësirën Shengen.


Meqenëse Qipro nuk bën pjesë në zonën Shengen, pavarësisht se është anëtare e BE-së, ramë dakord që menjëherë pas liberalizimit të vizave më BE-në, automatikisht e njëjta gjë do të arrihet edhe me Qipron përmes një marrëveshjeje dypalëshe",- bëri të ditur Ilir Meta.

DASH dërgon letër ndaj ministrit të Jashtëm, Ilir Meta

SHBA: Mbështesim qëndrimin e Uidhers

Kritikat e qeverisë shqiptare ndaj qëndrimeve të shprehura nga ambasadori në ikje i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uidhers, mbi çështjen e emërimit të kryetarëve të Gjykatës së Lartë Kushtetuese, kanë marrë përgjigjen e zyrtarëve të lartë amerikan, të cilët kanë mbështetur qëndrimin e të deleguarit të tyre në Shqipëri.


Gjithçka ka nisur me dërgimin e një letre nga ana e ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, drejtuar sekretares së Shtetit, Hilari Klinton, ku shprehte shqetësimin e tij për qëndrimet publike të bëra nga ambasadori Xhon Uidhers mbi emërimet në gjykata. Në lidhje me këtë çështje, në emër të sekretares së Shtetit, Hilari Klinton, është paraqitur një letër në autoritet shqiptaret nga ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane, Philip Gordon, i cili ka shprehur mbështetjen e ambasadorit Uidhers.


"Ne mbështesim një transparencë të plotë të procesit të emërimit dhe konfirmimit të gjykatësve. Sekretarja dhe unë kemi besim të plotë tek ambasadori Uidhers dhe në punën që ai po bën për të çuar përpara marrëdhëniet tona dhe ndihmën për Shqipërinë në realizimin e potencialit të saj të plotë.


Përkushtimi i tij ndaj idealeve të demokracisë dhe shtetit ligjor përgjatë 26 vitesh shërbimi të shquar kanë luajtur rol thelbësor në arritjen nga ana e Shqipërisë të anëtarësimit në NATO dhe respektimit të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO", -mësohet të jetë shkruar në letrën e dërguar qeverisë shqiptare nga Philip Gordon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›