E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleksandër Biberaj: Shqipëria, pro heqjes së vetos në OKB

Shqipëria mbështet idenë e heqjes të së drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Qëndrimi i vendit tonë është bërë publik nga zv/presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj, në një vizitë zyrtare në Suedi. Gjatë takimit me përfaqësues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku është diskutuar mbi reformën në OKB, përmirësimin e qeverisjeve në nivel global, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet OKB-së dhe KE-së, Biberaj ka bërë të ditur edhe qëndrimin e Shqipërisë lidhur me çështjen e vetos në OKB. Në takim është diskutuar dhe mbi mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe për rishikimin e së drejtës së vetos në këtë institucion të rëndësishëm, duke pasur tendencë heqjen e saj. Biberaj, duke pasur parasysh edhe bllokimin e padrejtë që i bëri Rusia planit të Presidentit Ahtisari për çështjen e Kosovës, e cila shfrytëzoi të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, mbështeti idenë e heqjes të së drejtës së vetos, si një zhvillim pozitiv dhe në drejtimin e duhur. "Anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në OKB do t‘i shërbente edhe më shumë konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës, si dhe paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit", u shpreh Biberaj. Gjithashtu, në takim u diskutua për respektimin e të drejtave të njeriut dhe monitorimin e tyre, si dhe për respektimin e protokollit, lidhur me heqjen e dënimit me vdekje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›