Rama: PS "pro" liberalizimit të universiteteve
Partia Socialiste vijoi në Qarkun e Elbasanit serinë e 12 Konferencave Rajonale të Arsimit. Sipas kryetarit të PS-së, Edi Rama, ato përbëjnë nivelin e tretë të këtij "Dialogu me Shqipërinë" për këtë sektor. Duke folur për liberalizimin e universiteteve Rama u shpreh pro këtij procesi, por që ai të mundë të nxisë konkurrencën. Duke iu referuar pamundësisë të të rinjve për të lundruar në internet dhe retorikave qeveritare, Rama u shpreh me keqardhje në adresë të Kryeministrit utopik. "Është shumë e rëndësishme, që këto tryeza na kanë dhënë mundësinë të dëgjojmë jo thjesht ankesa, por të dëgjojmë ide, sugjerime, opinione të njerëzve që janë në sistemin e arsimit dhe të cilët për 17 vjet me radhë, askush nuk i ka dëgjuar përpara se sa të shkruhet programi", theksoi Rama. Sipas tij mund të jenë bërë mbledhje me arsimtarë dhe pedagogë nga kryeministra e ministra, por që përgjithësisht synojnë një komunikim post-factum. Ndërkohë, nënvizoi ai, mbledhje idesh, opinionesh, sugjerimesh, për t‘u përgatitur për qeverisjen e nesërme, nuk kanë ndodhur ndonjëherë. "Kjo besoj se është një nga arsyet, ndoshta themelorja që programet e partive politike në Shqipëri, për 17 vjet me radhë, kanë qenë materiale të shkruara për të fituar, pa menduar të nesërmen e fitores", u shpreh Rama. Sipas tij kanë qenë libra të shkruar bazuar në dëshira të mira për të bërë gjithçka, por jo nga analiza dhe në sinteza mbi çfarë duhet bërë në kushtet kur nuk mund të bëhen të gjitha menjëherë dhe si duhet bërë.