Aleksandër Gjoka, një tifoz VIP për Partizanin në Përrenjas
Këngëtari i njohur do të ndjekë nga afër ndeshjes e së dielës mes Domosdovës dhe të kuqve, ku do të bëjë tifo për ekipin legjendar
Partizani shkon në Përrenjas edhe me një tifoz më shumë. Dhe tifozi nuk është dosido, por mjeshtri i këngës Aleksandër Gjoka. Mund të duket e çuditshme, por, edhe pse në kategorinë e dytë, Partizani vazhdon të ndiqet më shumë se skuadrat që mbase pretendojnë të fitojnë edhe superligën.
Si gjithnjë, me një kasketë në kokë, me humorin karakteristik, një personazh VIP që nuk harron të bëjë të njëjtën pyetje kur Partizani luan jashtë: Sa dolëm? Është Aleksandër Gjoka, i cili ndonëse ka agjendë të ngjeshur, ndonëse mendon për karrierën, asnjëherë nuk e ka braktisur Partizanin. Nuk ka problem ku do luhet ndeshja, këtë herë do jemi në Përrenjas, do jem në stadium për të bërë tifo për Partizanin.
Dikush e ka marrë me shaka, dikush tjetër, edhe pse nuk është 1 Prilli, e ka marrë për ndonjë trillë të Sandrit. Por vetë këngëtari nuk ka lënë asnjë shteg për dyshim. Partizani është skuadra ime. Prej vitesh e kam ndjekur dhe admiruar e po kështu vazhdoj ta ndjek edhe tani. Nuk ka gjë më të bukur kur punët puqen. Koncert në Përrenjas, por më parë ndeshje për tu ndjekur për Partizanin.
Një javë më parë ka qenë në Korçë, ka ndjekur ndeshjen, e cila mbase mund të vendosë edhe fatet e kampionatit, atë mes Tiranës dhe skuadrës vendase, por tregon se pavarësisht atmosferës, më shumë e intrigon ndeshja kundër Përrenjasit. Mbase duket e çuditshme, por të ndjekësh një ndeshje derbi dhe të jesh tifoz janë dy gjëra të ndryshme.
Është ora 22 e mbrëmjes, është ndeshja Bajern Mynih-Real dhe Sandri as që do tia dijë. Po fiton Bajerni? Punë e madhe, të dielën, të dielën është dita ime. Do jem pranë Partizanit. Na duhet fitorja për të qenë në kategorinë e parë. E di se jemi akoma poshtë, por do ringrihemi. Gjithmonë, ai që e njeh kupton se në morinë e fjalëve ka shumë humor e shpeshherë edhe mund të bëjë shaka, por këtë herë e ka seriozisht.
Një tifoz VIP për një skuadër, e cila e meriton të jetë më lart. Partizani drejt kategorisë së parë e Perlat Musta apo Gjergji Thaka, të cilët janë prezent, i urojnë vetëm një gjë, mirëseradhjen.
