E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrapushi: Turbina është brenda objektivit

Nga Artan Paja

Futbollisti i talentuar elbasanas, Gazmend Rrapushi, shprehet optimist sa i takon pozicionit aktual të Turbinës dhe mendon se gjithçka është brenda objektivit të kërkuar nga krerët e skuadrës. Sipas tij, skuadra e udhëhequr nga trajneri Belshi është përballur me disa sfida, që jo gjithnjë janë përshëndetur dhe duartrokitur nga tifozëria cërrikase.

”Turbina është skuadra që afirmoi një grup futbollistësh të talentuar gjatë këtij kampionati, mes të cilëve jam edhe unë. Natyrisht që dua ti falënderoj drejtuesit dhe veçanërisht trajnerin Belshi për besimin që më kanë dhënë gjatë këtij edicioni. Besoj se do të jap maksimumin edhe në 4 ndeshjet e mbetura të fazës së dytë.

Në fillim të këtij kampionati, kur jemi prezantuar me kryebashkiakun Servet Duzha, ai na bëri të ditur se dëshira e tij ishte pozicionimi në 4 vendet e para dhe shpresoj se ne aty do të qëndrojmë. Dëshiroj që edhe në ndeshjen e radhës me Memaliajn  të marrin pikët maksimale,- ka thënë për Sportin shqiptar sulmuesi Rrapushi.

Ndërkohë, në kampin cërrikas po vijojnë përgatitjet për sfidën e radhës, që do të zhvillohet sërish në stadiumin ”Nexhip Trungu”. Zyra e sporteve pranë bashkisë është duke përpiluar borderonë për pagesat e radhës, që, sipas të gjitha gjasave, do të shpërndahen brenda javës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›