E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembulli i Di Natales

Në ditët e sotme, kur një futbollist mbush 30 vjet, shpeshherë konsiderohet shumë i vjetër për të dhënë kontribut të rëndësishëm. Por, Di Natale tregon se ka jetë edhe pas të 30-ave. Sulmuesi i Udineses ka shënuar 20 e më tepër gola në Serie A në tri sezonet e fundit. Ajo që e bën edhe më interesant është se ai dhuroi shkëlqimin më të madh vetëm pasi mbushi 31.

Për futbollistët mbi 30 vjeç shpeshherë thuhet se e kanë kaluar periudhën më të mirë të karrierës së tyre. Ne teori mund të jetë ashtu. Lionel Messi, futbollisti më i mirë në botë është 24 vjeç, kurse transferimet më të shtrenjta përfshijnë bashkëmoshatarë të tij.

Megjithatë, sulmuesi i Udineses, Antonio di Natale e kundërshton nocionin se rinia e mposht përvojën. Ai gjurmët më të mëdha i ka lënë prej kur hyri në dekadën e katërt të jetës së tij.

I bekuar me teknikë të përkryer dhe goditje të fuqishme, sulmuesi italian ka shënuar 20 e më tepër gola në Serie A në tri sezonet e fundit, diçka që nuk e kishte bërë asnjëherë më parë. Ajo që e bën edhe më interesant është se ai dhuroi shkëlqimin më të madh vetëm pasi mbushi 31. Pas përfundimit në krye të renditjes së golashënuesve për dy vitet e fundit, Di Natale ka qenë arsyeja kryesore për ngjitjen e Udineses nga mesi i tabelës në katër pozitat e para të saj.

Tani 34 vjeç, ai sërish ka arritur kuotën e 20 golave në Serie A, pas 28 dhe 29 në dy edicionet e kaluara dhe ndikimi i tij është jashtëzakonisht i vërejtur në fushat e lojës. Në xhiron e kaluar, Di Natale realizoi golin e tij të 75-të në tri edicionet e fundit të ligës, duke e mbajtur Udinesen në garë për kualifikim në Ligën e Kampionëve.

Epiteti i tij ngjall frikë te kundërshtarët. Sulmuesi i Chievos, Alberto Paloschi e përshkroi këtë shumë mirë pas humbjes 2-1 nga Udinese në dhjetor të vitit të kaluar. Pas golit të epërsisë nga Di Natale, Paloschi tha: “Kundër Udineses ju filloni në disavantazh 1-0 sepse Di Natale shënon nga një gol në çdo ndeshje”. Me bilanc prej tre golave në çdo katër ndeshje në tri sezonet e fundit, Paloschi ka plotësisht të drejtë.

Di Natale ka statistika të mira edhe përtej Italisë. Me pesë gola në gjashtë ndeshje në Evropë, ai është futbollisti i vetëm në pesë ligat e para në Evropë që gjendet më së afërmi Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit. Këta dy yje të futbollit botëror kanë realizuar nga 106, respektivisht 104 gola gjatë periudhës së tri sezoneve të fundit dhe janë ata që i kanë mohuar futbollistit të lindur në Napoli Këpucën e Artë të Evropës.

Kontributi i tij u shumëfishua prej kur Di Natale filloi të aktivizohet në rolin e qendërsulmuesit. Pas fillimit të karrierës në Empoli në skuadrën e të rinjve, ai depërtoi në ekipin e parë më 1999/2000. 16 golat e tij më 2002 i ndihmuan skuadrës të hyjë në Serie A, para se të transferohej në Udinese më 2004. Edhe pse ka shënuar vazhdimisht prej kur erdhi në Friuli, ai është aktivizuar si qendërsulmues vetëm pasi mbushi 30. Trajneri i Udineses, Francesco Guidolin, e quan këtë mëkat.

“Është pothuajse mëkat që Antonio e gjeti rolin e tij të vërtetë kaq vonë në karrierën e tij. Përndryshe, ai do të shënonte më tepër se 200 gola në Itali”, deklaroi ai. Disa muaj para fillimit të Euro 2012, Italia ende mund të ketë nevojë për një futbollist me kualitete të Di Natales.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›