Dalipi: Elbasani kishte nevojë për një fitore
Mesfushori verdheblu, Endri Dalipi, thekson se skuadra e ka marrë veten moralisht pas suksesit të merituar me Burrelin
Elbasani ka marrë një fitore morali pas shumë javësh, pasi ka mundur Burrelin 2-1 në stadiumin Ruzhdi Bizhuta. Verdheblutë kanë fituar falë dygolëshit të Endri Dalipit. Ishte një fitore e merituar e Elbasanit përballë një ekipi të mirëorganizuar, me elementë cilësorë dhe me përvojë në përbërje. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilirian File ka dominuar dhe nuk i ka vënë në diskutim 3 pikët, duke vërtetuar kështu se do ta respektojë kampionatin deri në fund.
Dalipi Mesfushori Endri Dalipi, i cili realizoi nga një gol në çdo pjesë, thekson për Sportin shqiptar se fitorja erdhi në çastin e duhur, pasi skuadra po kalonte një moment të vështirë psikologjik. Elbasani kishte 6 javë që nuk arrinte të fitonte, madje as në fushën e tij edhe ndaj kundërshtarëve relativisht të lehtë.
Jam mjaft i kënaqur për fitoren, që na ka sjellë qetësinë psikologjike, pasi kishim rënë disi moralisht. Kjo fitore na ngre moralin dhe na bën të luajmë futboll me nivel edhe në 4 ndeshjet e mbetura të kampionatit, pavërsisht se jemi jashtë objektivit. Me Burrelin luajtëm mirë dhe i merituam plotësisht 3 pikët.
Treguam qartë se jemi një skuadër që do ta vazhdojë garën me seriozitet deri në fund. Gjithashtu do të kërkojmë ta mbyllim këtë kampionat në këtë pozicion që jemi aktualisht. Golat që shënova erdhën për meritë të gjithë skuadrës dhe lojës së mirë që zhvilluam. Për këtë dua ti falënderoj të gjithë shokët e skuadrës për atë që dhanë në fushë dhe për fitoren e arritur.
Gjithçka që bëjmë, e bëjmë për respekt të fanellës verdheblu, për ta ngritur lart prestigjin e Elbasanit, ka thënë mes të tjerash futbollisti elbasanas, golashënuesi më i mirë i skuadrës, Dalipi. Ndeshjen e radhës verdheblutë do të luajnë në Vlorë me ekipin vendës. Kundërshtari noton në ujërat e mbijetesës, por elbasanasit do të shkojnë për të bërë lojën e tyre, gjithmonë në respekt të fanellës që mbajnë veshur.
Jemi një skuadër e madhe dhe me traditë, pavarësisht se ndodhemi në kategorinë e parë, kështu luajmë vetëm për veten dhe askënd tjetër, ka theksuar në fund Endri Dalipi.
