E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjilani i sakatuar

Gjilani ka mbetur i sakatuar, pas dënimeve që mori nga Federata e Futbollit e Kosovës, pas incidenteve që ndodhën në fundjavë. Kryesia e klubit, e cila u mblodh të mërkurën mbrëma, vlerëson se dënimet që mori nga shtëpia e futbollit kosovar e lënduan rëndë. Drejtuesit e klubit thonë se shkaku i 2-3 individëve, më së keqi e pësoi vetë klubi. Disa prej zyrtarëve dhe donatorëve u larguan, ndërsa klubi mbetet në gjendje të rëndë.

Drejtuesit e Gjilanit e kanë pësuar një goditje të rëndë në mesjavë, kur Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës vendosi që ky ekip t’i zhvillojë ndeshjet e mbetura të këtij sezoni jashtë Gjilanit.

Ky vendim është konsideruar mjaft i rëndë nga kryesia e klubit Vjollcë, e cila e ka mbajtur një mbledhje të mërkurën mbrëma. Nënkryetari Bekim Rexhepi thotë se dënimi i fushës prej 5 ndeshjesh e ka sakatuar klubin gjilanas, i cili dita-ditës po mbetet jetim.

“Kishim një takim, pasi është krijuar një atmosferë shumë e keqe në klub. Nuk i kemi pritur masat aq rigoroze nga ana e FFK-së, edhe pse ende po e presim vendimin zyrtar, pasi që nuk kemi marrë ende asgjë zyrtarisht. Pasi ta marrim, planifikojmë ta përgatisim një ankesë e më pas të shohim”, u shpreh fillimisht për Express nënkryetari i klubit.

Pa filluar sezoni pranveror, Gjilani ishte riorganizuar me objektiv të vetëm – mbijetesën. Mirëpo, incidentet që ndodhën në fundjavë në ndeshje me Hysin, ku u sulmua gjyqtari Erduan Baliqi dhe portieri Afrim Ademi, e rrënuan gjithë atë që ishte munduar ta ndërtonte kryesia e re.

“Ne jemi të interesuar t’i vazhdojmë garat, së paku kemi mundësi këtë gjë ta bëjmë. Përndryshe, vendimi i FFK-së na ka lënduar shumë. Si pasojë e kësaj, njerëzit kanë filluar të largohen nga klubi, donatorët janë tërhequr. Kanë mbetur vetëm 3-4 njerëz në klub. Ky ka qenë njëri prej vendimeve më të rënda për ne”, shtoi Rexhepi.

“Ne e kemi dënuar incidentin dhe kemi kërkuar falje. Për 2-3 individë që e shkaktuan këtë problem, nuk bën të dënohet i tërë klubi aq rëndë. Ne jemi distancuar nga ky ekses, por në fund po i mbajmë pasojat pikërisht ne. Federata na ka dhënë një goditje të rëndë”, nënvizoi ai.

Njëherësh Komisioni Disiplinor i FFK-së i ka pezulluar tre lojtarët e Gjilanit: Vëllaznim Jashari, Florim Murseli e Lirion Ferati, të cilët e kishin shqelmuar portierin e Hysit, Afrim Ademi.

Largohet Sherifi, arrin Ajeti?

Incidenti që ndodhi në fundjavë ndaj Hysit i ka kushtuar shtrenjtë Gjilanit. Pas dënimeve që mori nga Federata, klubi nga Anamorava mbeti edhe pa trajnerin Sallah Sherifi, i cili ka vendosur të largohet.

Trajneri gjilanas siguron se vendimi i tij nuk kishte të bënte me pezullimin, respektivisht hapjen e procedurës disiplinore ndaj tij nga FFK-ja, por që e pa si obligim moral që të jepte dorëheqje.

“Unë e kam marrë vendimin që të largohem të hënën, por kryesia nuk ma miratoi fillimisht. Por, ata u mblodhën mbrëmë (të mërkurën) dhe unë nuk shkova. Prandaj, ata tash e kanë të qartë se unë nuk dua të vazhdoj. Për shkak të rezultateve jo të mira dhe mossuksesit, e ndjeva obligim moral që të largohem. Ju garantoj se ky vendim imi nuk kishte të bënte fare me hapjen e procedurës disiplinore ndaj meje”, theksoi Sherifi.

Ky i fundit është ankuar edhe te kryesia, e cila, sipas tij, nuk i ka paguar me rregull lojtarët, siç kanë qenë fjalët. Prandaj, njëra prej arsyeve të rezultateve të dobëta të ekipit është edhe mospagesa.

“Ne kishim pakënaqësi edhe tek kryesia, e cila nuk ka qenë e gatshme që t’i kryejë obligimet ndaj futbollistëve. Në tre muajt e fundit, futbollistët e kanë marrë vetëm nga një rrogë e gjysmë. Shpresoj që t’u kryhen sa më shpejt këto borxhe, sepse në Gjilan aktualisht po mbretëron një situatë shumë e rëndë”, vijoi Sherifi.

Edhe nënkryetari Rexhepi ka konfirmuar për largimin e Sherifit, ndërkohë që kryesia po mendon për një trajner të përkohshëm që do t’i printe ekipit deri në fund të sezonit. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që ekipit nga tash e deri në fund të sezonit t’i prijë ndihmësi i deritashëm i Sherifit, Sadullah Ajeti, dikur futbollist i njohur kosovar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›