E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleksandër Meksi: E ndiej detyrim të rrëfehem

Koha nuk i mjafton për të mbushur ditët... Aq më tepër për të shkruar. I mënjanuar nga politika, ish-kryeministri Aleksandër Meksi, nxiton të përmbushë atë që ai e quan detyrim ndaj shqiptarëve. Të rrëfejë. Kujtimet e tij, jo ato që shkojnë deri në caqe thellësisht personale, ka nisur t‘i hedhë në rreshta. Ndërkohë--------------- që libër-ese me artikujt e tij--------- ndër kohë, e një tjetër që prek Dhjetorin e ‘90-ës, janë në punë e sipër. Nuk ka "braktisur" as monumentet e kulturës, atyre që iu kushtoi më shumë se 30 vjet punë. Meksi vjen në një rrëfim për të shkuarën, për zgjedhjet e tij dhe për të tashmen.

Ju shohim gjithnjë e më shumë të jeni larg angazhimeve të drejtpërdrejta politike. Do të thotë që studimet shkencore kanë marrë terren?

Pasi hymë në politikë, "njëherazi dhe papritur", ndërpremë të gjitha punët që kishim në fushën kërkimore, në rastin tim një punë 30-vjeçare. Pas largimit nga politika, ose më mirë të themi pas pakësimit të ngarkesës, rreth vitit 2000, kam pasur kohë të merrem dhe me punë kërkimore. Gjatë kësaj kohe, kam botuar tri libra të shkencës së restaurimit e historisë së arkitekturës; një për restaurimin e monumenteve të arkitekturës, një për arkitekturën e kishave mesjetare dhe një për arkitekturën e xhamive të Shqipërisë. Kuptohet që koha ime nuk shkon e gjitha për shkencën. Merrem edhe me çështje të ditës, siç janë ato politike, duke e ndarë kohën sipas rastit.

Jeni duke shkruar aktualisht? Çfarë?

Në lëmin e politikës dhe publicistikës po punoj paralelisht për dy libra. I pari është një libër-ese me 30-40 artikuj të botuar gjatë kohës në shtypin shqiptar dhe me 2-3 artikuj të rinj. Për secilin prej tyre kam bërë shpjegime, ose shtesa mendimesh, por pa e ndryshuar artikullin fillestar. Besoj se ky libër mund të përfundojë këtë vit. Gjithashtu, një tjetër botim, "Dhjetor ‘90 - dokumente dhe materiale". Në të nuk ka asnjë koment apo kujtim personal. Është ndërtuar mbi dokumente autentike, që sqarojnë atë që ndodhi në dhjetor të ‘90-ës dhe kohën menjëherë pas saj.

Në lëmin e shkencës, po ripunoj e po pasuroj me të dhëna të fundit të literaturës shkencore, disertacionin mbi kishën e Mesopotamit në Sarandë, për botimin në anglisht ose në tjetër gjuhë. Po në proces ripunimi të plotë janë dhe dy librat e botuara ndërkohë në gjuhën shqipe për kishat mesjetare dhe xhamitë e Shqipërisë. Kjo është e domosdoshme, sepse lexuesi i huaj, me sa duket, është më shumë i interesuar se lexuesi shqiptar, të cilët janë të përfshirë në probleme të globalizimit, të vipave dhe nuk kanë nge të lexojnë për Shqipërinë dhe kulturën shqiptare. E jo më të bëjnë sponsorizime që të nxitet punë si kudo në botë.

Një libër me dokumente për Dhjetorin e ‘90-ës. Pse e shihni të nevojshëm një botim të tillë?

Ne vërejmë se shtypi shqiptar, i nxitur nga çdokush, apo nga një nostalgji për të kaluarën, bën interpretime, të cilat nuk kanë lidhje me realitetin dhe ç‘ka ndodhur në ato ditë tejet historike. Është mirë që shqiptarët, ta mësojnë përmes botimit të plotë të fjalimeve të 11-12 dhjetorit (Plenumi KQ të PPSH, takimi me studentët dhe mitingjet), të kryeartikujve të gazetave të asaj kohe. Po kështu, ata duhet të dinë se cilat kanë qenë qeveritë deri në ‘92-in, cilat janë Byroja Politike, Komiteti Qendror i Partisë së Punës, Fronti Demokratik, Gjykata e Lartë, Kuvendi Popullor i asaj kohe. Por, edhe ato që erdhën më pas; kandidatët për deputetë të të gjitha partive, Këshillat Kombëtare dhe deputetë e Partisë Demokratike (‘91-‘97) etj. Sot mund të dëgjosh çdo sajesë, e njeriu mund të thotë çfarë i ka qejfi, i sigurt që askush nuk i vërteton dot nëse thotë të vërtetën, sepse dokumentet gjenden me vështirësi.

Gjithmonë e më shumë flasim për të shkuarën…

Në gazetën "Shqip", të 2006-ës, kam botuar një artikull, ku trajtoj nevojën për të rishkruar historinë tonë. Është artikulli i parë me këtë temë, në të cilin kam folur jo si ish-kryeministër, por si njeri i shkencave historike. Sot janë të mëdha mundësitë që të ketë botime historike më të plota, të pasura me burime e dokumentacion historik të kohës, por ndaj të cilave mbahet një qëndrim kritik, për të qenë të sigurt për vërtetësinë e tyre. Deri dje, nuk thuhej se cilët kanë qenë ata që kanë marrë pjesë në Kuvendin e Vlorës, Kongresin e Lushnjës, Kongresin e Manastirit dhe mund të thuhej çfarë donin të thonin. Sot, nuk është mirë të jemi të pasaktë. Po për fat të keq, nuk kam dëgjuar të ketë ndonjë nismë nga institucionet shtetërore për botimin e burimeve dhe dokumentacionit lidhur me historinë, në një vend që mbahet për atdhedashës e nacionalist. Romantikët e nacionalizmit ballkanas, që para 100 vjetësh kanë botuar ato që quhen monumente të shkruara për vendet e tyre. Ana tjetër e rishkrimit të historisë, është shkrimi i të vërtetës, i gjithë të vërtetës dhe vetëm i saj, sidomos kur mbështetemi te dëshmitarët e historisë. Sepse sot ka dëshmitarë që na flasin për heroizma, po nuk thonë sa kanë vrarë e sa kanë dhunuar. Rishkrimi i historisë është një nevojë që vjen nga burime të reja të dokumentacionit dhe nga mënyra të reja të interpretimit. Por gjithnjë nuk është qeveria ajo që vendos se si do të shkruhet historia.

Ju jeni vetëkritik për të shkuarën tuaj?

Vetëm njerëz që mund ta quajnë veten të përzgjedhur mund të mos e kenë këtë ndjenjë. Sot e gjykojnë ndryshe të kaluarën, ashtu si shumë zgjidhje të së kaluarës i quajmë normale, sepse s‘kishim si të bënim ndryshe. Historia nuk shkruhet duke thënë se do të bëhet kështu apo ashtu. Nuk është e shkruar diku se si do të bëhet. Mund ta kishim bërë ndryshe, por zgjodhëm këtë rrugë. E pranoj që ajo që zgjodhëm ishte e gabuar, kur rezulton në jetë e gabuar. Unë e kam këtë sens dhe me këtë do të gjykoj kur të shkruaj kujtimet e mia, që kam filluar t‘i hedh. Në 2001-in, në Kuvendin e Partisë Demokratike, kam thënë se jam pjesë e historisë dhe kam detyrimin të shkruaj për historinë.

Ku nisin kujtimet tuaja?

Janë ato të kohës me veprimtari shoqërore, por ka edhe episode të shkuara që ja vlen të dihen. Unë nuk jam shkrimtar që të shkruaj për çështjet personale dhe që shqiptarëve nuk i interesojnë. Shkruaj ato që mendoj se kanë nevojë të dihen, për të gjykuar punët e mia dhe historinë tonë.

Gati 30 vite punë ia keni kushtuar trashëgimisë kulturore. Kishte një lidhje të veçantë tuajën me këtë fushë?

Në atë kohë nuk zgjidhje profesionin, por emëroheshe me kritere politike. Unë mund të kisha të tjera pasione. Dëshiroja të merresha me konstruksionet e ndërtimit, por nuk më caktuan në atë punë. Isha në Hidrocentralin e Shkopetit dhe erdha në Tiranë te monumentet. Kur të caktonin me se duhej të merreshe e t‘i kundërshtoje, duhet t‘u bëje ballë pasojave që do të vinin. Ato janë 30 vjet punë intensive në kushte jashtëzakonisht të vështira. Në vitet ‘70, ishe i pasigurt se ku do të flije kur shkoje në një rreth. Në ekspedita nuk kishe të garantuar as udhëtimin dhe rrezikoje dhe ushqimin. Sot mund të bëhej një punë më e madhe, por atëherë u vunë themelet e historisë së Shqipërisë. Me kolegë të tjerë të Institutit të Monumenteve dhe Arkeologjisë, kemi përcaktuar ato që janë monumentet e kulturës, ato mbi të cilat sot shkruhet Historia e Shqipërisë. Ato janë gjurmët e ruajtura apo të dokumentuara. Kjo është arsyeja pse jam i detyruar të shkruaj ato çka kam parë dhe kam studiuar.

Çfarë ndjesie keni ju vet ndaj asaj që trashëgojmë dhe ndaj asaj se si shoqëria shqiptare e percepton këtë pasuri sot?

Unë e respektoj atë që kemi trashëguar. Babai im ka qenë mësues historie dhe jam mësuar ta vlerësoj të kaluarën. Që kur kam qenë 3-4 vjeç, jam rritur me tregimet e tim ati për historinë e Skënderbeut, revolucionit francez, Pirros së Epirit, Lekës së Madh, Teutës. Qenë ato personazhe dhe histori të tjera për shqiptarët që përbënë nga gjysma e dytë e shek. XIX dhe fillimi i shek. XX, atë sfond mbi të cilin u zhvillua ndërgjegjja kombëtare shqiptare dhe u krijua shteti shqiptar. Monumentet janë dëshmia materiale e kësaj të kaluare, ndërsa folklori, proverbat, janë ato gojore. Në mos ta kisha pasion, e gjithë kjo më detyronte që të respektoja këtë trashëgimi dhe të punoja për ruajtjen dhe transmetimin te brezat e ardhshme pa cenuar vlerat. Them se këtë detyrë e kemi kryer mirë, meqenëse në kushtet e komunizmit ishte një punë pa përgjegjësi politike, pa pretendime të mëdha dhe mund trajtohej ashtu siç deshëm ne. Kishim një drejtor tolerant dhe ministra Arsimi që e mbështetën këtë punë. Sot Shqipëria ka një numër të madh dëshmish kulturore. Por, ndonëse kanë kaluar vitet e para të vështira të tranzicionit, nuk tregohet ai kujdes dhe nuk jepen ato fonde që duhen për t‘i mbrojtur e për të evidentuar vlerat e tyre. Nuk mund të flitet për turizëm kulturor pa pasur rrugë për të shkuar te monumenti, pa pasur monumente të restauruara, të studiuara dhe të botuara në gjuhë të huaj. Le të shpresojmë se ata që janë në krye të shtetit do të kontribuojnë për këtë punë.

Ju keni prekur deri në detaje kishat dhe xhamitë në të gjithë Shqipërinë. Ju vet, çfarë raporti keni me besimin?

Për mua, kjo punë ishte administrative. Për një kohë të caktuar, pas ‘67-ës, kam qenë ndër dy-tre personat e vetëm që kishin të drejtë të hynin në monumente kulti, kur të tjerët mund të shkonin në kazmë pse i afroheshin apo tentonin të hynin e të respektonin një monument kulti. Nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë, nuk jam praktikant. Respektoj të gjitha besimet. Kjo nuk është vetëm edukatë familjare, por dhe edukata qytetare e Tiranës, ku jam lindur dhe rritur. Nuk jam fundamentalist në çështjet fetare për të përbuzur a keqtrajtuar të tjerët, ashtu siç nuk jam në politikë. Mund të jem i pari që kam shkruar për institucionalizimin dhe respektin për mendimin ndryshe.

Një pjesë e mirë e njerëzve ju identifikojnë për postet politike. Është domosdoshmëri politika për ju?

E kam thënë edhe më parë, se kur krijuam në dhjetor, Partinë Demokratike e u angazhuam në politikë, askujt nuk i shkonte ndërmend se do të kishim poste qeveritare. Luftuam thjesht për përmbysjen e komunizmit, për liri e demokraci, për integrim në Evropë. Ato erdhën si një rezultat i mbështetjes që shqiptarët i dhanë Partisë Demokratike. Nuk kam pasur ndonjë ambicie të këtij lloji dhe besoj se me largimin tim për mospërputhje ideore dhe të shtrimit e të zgjidhjeve të problemeve me ata që drejtojnë sot, tregoj se nuk e kam quajtur jetike qenien në politikë. Sigurisht si çdo shqiptar që dëshiron të kontribuoj, këtë mundësi nuk e kam sot. Ata që u heqin shqiptarëve të drejtën për të marrë pjesë në politikë, janë kundër demokracisë.

Nëse nuk do të ishit marrë me kishat, xhamitë apo edhe me politikë, çfarë mund të kishit bërë?

Kur kam bërë kërkesën për shkollë të lartë në vitin 1955, veç inxhinierisë kam kërkuar si degë astronominë dhe filozofinë. Nuk ka lidhje me supersticionet, ashtu siç shqiptarët e kanë të lehtë të mendojnë se astronomia mund t‘i zgjidhë problemet e t‘u tregojë se më çfarë këmbe duhet të nisen në punë për ta pasur suksesin e plotë. Siç thonë stoikët, duhet për t‘u marrë me atë që varet prej nesh dhe jo me atë që s‘varet prej nesh.

I keni hyrë në hak familjes?

Të jesh në politikë, nuk merresh dot me familjen. Ne fillonim punë në 7-8 të mëngjesit dhe ktheheshim në 12 të natës, nuk kemi bërë pushime. Nuk shkonim gjysmën e vitit jashtë shtetit apo t‘i merrnin dhe familjarët me vete. Nuk kishim as shërbëtorë të paguar nga shteti, nuk kishim biznese as ne e as familjarët tanë.

Si mbushen ditët tuaja sot?

Një fjalë thotë që ditët nuk mjaftojnë. I mbush me takime, me të shkruar, me sherre, me qarje hallesh… Koha nuk mjafton kurrë për ata që s‘flenë në këmbë dhe që janë mësuar të punojnë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›