Italianët "pushtojnë" panairin e librit
Alberto Bevilacqua, Raffaele Nigro dhe Giovanni Minello janë tre autorët që do të takohen me lexuesin shqiptar të shtunën e panairit të librit në Pallatin e Kongreseve. Të tre në një ditë, oraret sigurisht të ndryshme. Ata do ta njohin lexuesin me veprat e tyre, ndërsa do të prezantojnë veten para shqiptarëve. Alberto Bevilacqua, i ftuari i nderit në panair, një nga shkrimtarët italian më të njohur në botë, i cili ka mbërritur dje pasdite në Tiranë, do të paraqesë në panair librat "Kalifja", me përkthim nga Gëzim Qëndro, "Ndjesi të yshtyra", përkthyer nga Durim Taçe, si dhe "E fshehta e grave", përkthyer nga Diana Çuli. Proza e tij është mjaft e njohur për analizën psikologjike, po aq sa për stilin modern dhe lirik. Ndër të tjera, Alberto Bevilacqua është i njohur edhe si poet. Veprat e tij janë përkthyer në Evropë, SHBA, Brazil, Kinë e Japoni. Një tjetër shkrimtar italian gjithaq i vlerësuar në vendin e tij është edhe Raffaele Nigro. Me lexuesin shqiptar ai do të prezantohet me librat "Zjarret e Bazentos", roman i përkthyer nga Shpëtim Çuçka; "Baronesha e Oliventos", roman i përkthyer nga Vjollca Lisi; si dhe romanin "Malvaroza", përkthyer nga Adrian Besahaj. Nigro konsiderohet si një shkrimtar avangard. Ai është ndër të paktët shkrimtarë në Itali që ndërmarrin një betejë të vërtetë kundër rrënimit të mjeteve gjuhësore dhe mendimit. Ai shkon përtej formulave të realizimit, i pëlqen të shpikë një formë të vetën letrare me përmbajtje të painfektuar, një formë të shkruari të ndryshme, por të vërtetë. "Kishte thonjtë të vizatuar", është romani i shkrimtarit tjetër italian, Giovanni Minello. Ai do të paraqitet në këtë edicion të 11-të të panairit të librit për t‘u njohur e takuar drejtpërdrejtë me lexuesin shqiptar në Pallatin e Kongreseve. Po të shtunën është vendosur një takim me të vetmin shkrimtar të huaj jo italian, kroatin Bozidar Prosenjak. Lexuesi do të njihet me romanin e tij, "Kali i egër", i cili vjen në shqip me përkthim të Dorotea Kernit. Bozidar Prosenjak, në moshë fare të re ka arritur të evidentohet me letërsinë e tij në mjediset letrare kroate. Pas shumë vitesh krijimtari, në vitin 1980 sheh dritën e botimit përmbledhja e parë me poezi që mban një titull tejet interesant dhe tërheqës, thjesht "A". Ndërsa vepra e tij më e njohur, jo vetëm për lexuesin kroat, është "Kali i egër", që nga 1989-2008 ka njohur 15 botime në Kroaci. Autori për këtë vepër është vlerësuar me dy prej çmimeve më prestigjioze në Kroaci, atë "Ivana Brlić Mažuranić" dhe "Grigor Vitez". Sipas këtij romani është shkruar libreti i një muzikali, ndërsa si shfaqje teatrale është shfaqur me qindra herë. Çelja e edicionit të 11-të të panairit të librit është menduar të shoqërohet me performancën artistike të emrave të njohur të skenës shqiptare si Reshat Arbana, Timo Flloko, Ema Andrea, Kastriot Tusha, Alban Skënderaj, Robert Radoja etj. Panairi mbyllet më 18 nëntor. Përgjatë pesë ditëve do të paraqiten para 50 mijë tituj librash. Ndërkaq, në këtë takim të rëndësishëm të librit do të prezantohen gjithashtu edhe 1500 tituj të rinj librash të botuar në hapësirën mbarëshqiptare. Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka vendosur që në fund të panairit të shpallë çmimet përkatëse. Botuesit pjesëmarrës në edicionin e 11-të të "Tirana 2008" janë jo vetëm nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, por edhe përfaqësues nga India, Irani, Kroacia, libri italian. Për herë të parë në panair vjen edhe një shtëpi botuese nga Irani. Shtëpia botuese ndërkombëtare "Al -Hoda" është themeluar në vitin 1984, me qëllim promovimin e kulturës dhe qytetërimit iranian. Kjo shtëpi botuese ka qenë shumë aktive në lëmin e botimeve si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Deri më sot ka botuar mbi 1200 tituj librash të zhanreve të ndryshme, si ata filozofikë, historikë, qytetërim, art, letërsi për fëmijë. Një ndër risitë e këtij edicioni është edhe bashkërendimi me bashkitë e të gjitha qyteteve të Shqipërisë, në mënyrë që panairi të jetë i vizitueshëm edhe prej nxënësve të shkollave publike të vendit.