E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dialogu ndërkulturor" mbërrin në Vjenë

"Dialogu ndërkulturor: Një sfidë për qytetarinë demokratike dhe edukimin e të drejtave të njeriut" është konferenca që do të mbahet duke nisur nga data e sotme e deri më 16 nëntor, në Vjenë. Konferenca organizohet në kuadër të Vitit Evropian të Dialogut Ndërkulturor nga Organizata DARE "Për edukimin mbi të drejtat e njeriut dhe demokracinë të të rriturve", Qendra e Studimeve mbi të Drejtat e Njeriut e Universitetit të Vjenës dhe Ministria e Arsimit, Arteve dhe Kulturës e Austrisë. Rreth 160 përfaqësues të organizatave joqeveritare që janë aktive në fushat e edukimit civil dhe të edukimit qytetar mbi të drejtat e njeriut të 37 vendeve evropiane do të marrin pjesë në punimet e këtij aktiviteti. Qëllimi është rritja e bashkëpunimit midis pjesëmarrësve, studiuesve dhe politikëbërësve në nivel kombëtar dhe evropian. Çështje si politikat e përbashkëta dhe pengesat e hasura gjatë bashkëpunimit në kushtet e një diversiteti kulturor do të diskutohen në panele të veçanta. Organizata DARE, që përfaqëson një grupim të 44 organizatave nga 28 shtete të BE-së, do të bazohet në përfundimet e kësaj konference për të raportuar në pranverën e vitit 2009 në një seancë dëgjimi me titullin "Edukimi i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut si çështje të përbashkëta" në Parlamentin Evropian.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›