E Diel, 1 Nëntor 2026

Alergjitë fillojnë "sulmin", shtohet numri i pacientëve

Alergjitë, sëmundjet e stinës, kanë filluar sulmin e tyre pranveror, ndaj të gjithë atyre personave që janë të ndjeshëm ndaj alergentëve. Këto janë substanca që shkaktojnë irritime dhe që u rëndojnë ditët njerëzve alergjikë. Alergentët gjenden me shumicë në atmosferë gjatë stinës së pranverës, ku më i spikaturi ndër ta është poleni i luleve. Një gjë e tillë ka bërë që të rritet edhe numri i pacientëve që i drejtohen mjekëve alergologë në këto ditë të lagështa pranvere. "Alergjitë shkaktohen edhe nga substanca të tjera, pluhuri, fruta të ndryshme, por gjithsesi poleni i luleve është alergenti më i zakonshëm që shkakton alergjitë sezonale", saktësojnë mjekët alergologë.

Por problematike mbeten sidomos ditët me erë të fortë, kur poleni apo pluhurat e shumta në rrugët shqiptare qarkullojnë me intensitet më të madh, duke u bërë problematike për njerëzit që vuajnë nga alergjitë e ndryshme.

Sipas mjekëve alergologë, shenjat e alergjive janë kryesisht irritime të lëkurës, lotimet e syve, probleme të hundëve, grykëve dhe të tjera, që lidhen me larmishmërinë e llojeve të kësaj sëmundjeje. Ndërkohë që ata theksojnë se problemet më të mëdha nga alergjitë vijnë në orët e para të mëngjesit, pasi poleni i luleve ka një përqindje më të madhe në ajër. Gjithashtu, alergologët vënë në dukje se edhe orët e mbrëmjes janë të rrezikshme për personat e ndjeshëm ndaj kësaj sëmundjeje. Por askush nuk duhet të tregohet indiferent ndaj alergjive. Mjekët, përpos të tjerave, paralajmërojnë se alergjitë janë sëmundje sezonale, por kronike. "Alergjitë janë sëmundje që nuk duhen nënvlerësuar, pasi mund të sjellin pasoja të rënda për organizmin", shtojnë ata. Kështu, nga pakujdesia dhe moskurimi ato mund të kalojnë deri në ekzema të lëkurës, probleme të frymëmarrjes deri në astma. Për t‘i parandaluar, mjekët këshillojnë kryerjen e testeve të alergjisë, për të zbuluar se nga vijnë irritimet dhe më pas fillimin e kurimit lidhur me këto probleme specifike, që lindin sapo fillon të ndryshojë klima dhe çelin lulet stinore të të gjitha bimëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›