E Diel, 1 Nëntor 2026

Çështjet e trashëguara mes Shqipërisë dhe Greqisë, nuk janë pengesë

Pavarësisht problemeve historike, që më shumë se kudo ndihen në zonën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, marrëdhëniet njerëzore dhe politike mes rajonit të Epirit dhe Gjirokastrës njohin vetëm intensifikim, sikundër marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Janinë, Esheref Shehu, tregon në një intervistë për "Shqip" arritjet dhe problemet e viteve të fundit në marrëdhëniet shqiptaro-greke, duke u fokusuar tek emigrantët tanë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri.

Si një diplomat shqiptar në Greqi, si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale shqiptaro-greke?

Duke u ndalur në pyetjen tuaj të parë lidhur me marrëdhëniet shqiptaro greke, para së gjithash dëshiroj të theksoj se në programin e qeverisë shqiptare marrëdhëniet me Greqinë janë konsideruar si marrëdhënie të një karakteri strategjik me një vend fqinj, i cili ka dhënë një ndihmesë të çmuar në zhvillimet ekonomike dhe demokratike të vendit tonë. Me kënaqësi vlerësoj nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë në kuadrin dypalësh, rajonal dhe ndërkombëtar. Shprehje e këtij bashkëpunimi të ngushtë, që kanë njohur së fundi marrëdhëniet mes dy vendeve tona, janë edhe kontaktet e shumta në nivel të lartë politik, sikurse ishte së fundi edhe vizita e ministres së Jashtme greke, Dora Bakojanis, në Tiranë. Pas nënshkrimit të MSA-së, vendi ynë është angazhuar totalisht në procesin e realizimit të reformave dhe në këtë kontekst vlerësojmë mbështetjen që ka dhënë dhe vazhdon të japë Greqia në drejtim të perspektivës evropiane të Shqipërisë. Pala shqiptare ndan mendimin se bashkëpunimi duhet të kalojë nga projektet e ndihmës në ato të kooperimit dhe zhvillimit. Me këtë rast, dëshiroj të përshëndes nënshkrimin e kontratave me kompanitë kontraktore për menaxhimin e projektit dhe ndërtimin e rrugës Konispol-Sarandë, të financuar me fondin grant nga qeveria greke në kuadër të Planit Helenik për Rindërtimin e Ballkanit, më 23 shkurt 2008, në Sajadhë të Greqisë si dhe hapjen e Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Greke, si shprehje e dëshirës për zhvillimin e forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

Në prioritetet e punës suaj janë marrëdhëniet ndërkufitare rajonale, si do ta vlerësoni nivelin e bashkëpunimit ndërmjet dy prefekturave Epir-Gjirokastër?

Duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh ndërmjet autoriteteve lokale të Prefekturës së Epirit dhe një pjesë të Prefekturës së Kozanit, zona të cilat janë nën juridiksionin e Konsullatës dhe Prefekturës së Gjirokastrës si dhe zonat përreth saj, nga takimet që kam pasur, me kënaqësi konstatoj se ekziston dëshira dhe vullneti i autoriteteve lokale greke për të forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh midis dy vendeve tona dhe në këtë kuadër bashkëpunimin ndërmjet prefekturave dhe bashkive në nivel lokal, që është një tregues i rëndësishëm i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Në gjuhën politike dhe diplomatike, minoritetet përkufizohen si "ura lidhëse". Si e vlerësoni trajtimin dhe rolin e minoritetit grek në proceset integruese shqiptare?

Shteti shqiptar i kushton një vëmendje të veçantë mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të minoriteteve që jetojnë në territorin e saj, duke i konsideruar si një element vital të shoqërisë. Ky qëndrim e rendit Shqipërinë ndër shtetet që janë angazhuar në përmbushje të standardeve ndërkombëtare të respektimit të të drejtave të pakicave. Kjo vëmendje gjen hapësirë sidomos në politikën e stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë që Shqipëria zhvillon në rajon, si dhe procesin e rëndësishëm të integrimit në BE. Ngritja e Komitetit për Minoritetet, përbën një tregues konkret të angazhimit të qeverisë shqiptare në arritjen e standardeve më të larta për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Respektimi i së drejtës për arsimim në gjuhën e tij, që gjen shprehjen e vet edhe në funksionimin e degës dhe katedrës së gjuhës dhe letërsisë greke pranë Universitetit të Gjirokastrës dhe Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Tiranë, në hapjen e disa shkollave jopublike në disa rrethe të vendit, në botimin e disa gazetave e revistave në gjuhën greke në disa kanale radiofonike.

Ndërkaq, ju si konsullatë funksiononi edhe brenda territorit që përfshin temën e nxehtë të problemit të Çamërisë?

Në marrëdhëniet shqiptaro-greke ka edhe çështje të trashëguara nga e kaluara, të cilat mendojmë se duhet të zgjidhen në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe, për t‘i kontribuar forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy vendeve, paqes, stabilitetit dhe integrimeve evropiane. Çështja çame ka qenë në axhendën e të gjitha takimeve qeveritare prej vitit 1992 deri në 1996-ën dhe pala shqiptare vlerëson se i është dhënë një përgjigje e duhur me nënshkrimin e marrëveshjes së miqësisë dhe bashkëpunimit mes palës greke dhe asaj shqiptare. Çështja e pronave mund të zgjidhet me mirëkuptim e vullnet të përbashkët, me rrugën e negociatave dhe të instrumenteve ligjorë, në respekt të pikës 15 të Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë dhe i referohemi deklaratës së fundit të Kryeministrit Berisha, ku kjo çështje cilësohet si teknike dhe ligjore.

Herë pas here, në marrëdhëniet dypalëshe shfaqen edhe problemet jetike të emigrantëve shqiptarë në Janinë dhe në zonat e tjera të Epirit, si i përballoni kur ato shfaqen?

Më lejoni që në një kontekst më të përgjithshëm sesa pyetja juaj, të theksoj se qeveria shqiptare vlerëson të gjitha masat e marra nga qeveria e Greqisë për një legalizim progresiv të qytetarëve tanë atje, me synim dhënien e statusit afatgjatë, duke krijuar në këtë mënyrë premisa për një jetë më të mirë e një integrim më të shpejtë në vendin fqinj. Duke u ndalur në pyetjen tuaj, një aspekt i rëndësishëm i punës sime është edhe dhënia e ndihmës për shtetasit shqiptarë që jetojnë në Greqi, në zonën që mbulon konsullata, ofrimi i shërbimeve konsullore, si dhe sigurimi i asistencës për shtetasit shqiptarë të aksidentuar, të burgosur apo të ndaluar si dhe organizimi i shoqatave të emigrantëve. Sipas informacioneve që kemi në rajonin e Epirit dhe të Kozanit jetojnë afërsisht 25 mijë emigrantë shqiptarë të legalizuar dhe trajtimi i kërkesave që paraqiten prej tyre në konsullatë ka qenë dhe mbetet prioritet i punës sonë. Ajo që më ka bërë përshtypje nga kontaktet që kam pasur me emigrantët tanë është fakti se pothuajse të gjithë këta emigrantë përpiqen që me punë të ndershme të sigurojnë një jetë më të mirë për veten dhe familjarët e tyre, duke përfaqësuar denjësisht vendin, vlerat e tij të trashëgimisë e të kulturës. Personalisht jam i mendimit se këta emigrantë shërbejnë si ura lidhëse të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona dhe respektimi i të drejtave të tyre do të ndikojë pozitivisht në rritjen e miqësisë ndërmjet dy popujve tanë.

Si diplomat, juve duhet që herë pas here të ndesheni me disa nga kontestimet e politikës greke për disa nga zhvillimet më të fundit në Ballkan, sikurse janë pavarësia e Kosovës apo emri i Maqedonisë, si i përballoni ato në veprimtarinë tuaj të përditshme si konsull?

Qeveria shqiptare e konsideron krijimin e shtetit të Kosovës një ngjarje historike, që sanksionon të drejtën e qytetarëve të Kosovës për të vetëvendosur dhe që e bën Ballkanin më të lirë, më të drejtë se kurrë në tërë historinë e tij shekullore. Qeveria shqiptare përshëndet njohjen e Republikës së Kosovës nga një numër i konsiderueshëm vendesh dhe shpresojmë që edhe Greqia t‘i bashkohet këtyre shteteve. Qëndrimi i Greqisë për Kosovën, përmblidhet në deklaratën e Bakojanit se: "Greqia do të marrë një vendim në një etapë të mëvonshme, pasi të ketë shqyrtuar në hollësi të gjitha zhvillimet, dimensionet dhe pasojat e tyre për sigurinë rajonale dhe interesat e Greqisë". Lidhur me çështjen e emrit të Maqedonisë, qeveria shqiptare mbështet zhvillimin e negociatave për zgjidhjen e kësaj çështjeje, në funksion të ruajtjes së stabilitetit në rajon. Ne jemi të mendimit se në nivel diplomatik e teknik është një çështje dypalëshe, por në mënyrë të padiskutueshme çdo problem dypalësh në një zonë apo në një botë që shkon drejt globalizmit, ka influencë edhe te të tjerët. Ne gjykojmë se ekziston mundësia e kompromisit dhe është në interes të rajonit që kjo të arrihet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›