E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshkopi, rikthehet viroza gripale

Luhatjet e temperaturave të këtyre ditëve, kanë rikthyer virozën gripale, për banorët e qytetit të Peshkopisë. Këtë e pohojnë për "Shqip", mjekë të spitalit të këtij qyteti, ku sipas tyre më të prekur nga viroza janë fëmijët dhe mosha e tretë. Kështu për çdo ditë, pranë këtij spitali, vijnë mbi 30 fëmijë të prekur nga viroza gripale, që kërkojnë të marrin ndihmë mjekësore. Vihet re se fluksi i të prekurve nga gripi, gjatë këtyre ditëve, vjen në rritje, por mjekët e këtij spitali pohojnë për "Shqip" se ende nuk bëhet fjalë për epidemi gripale dhe se situata është nën kontroll të plotë. Numri i pacientëve me simptoma gripi në gjendje febrile, që vijnë për ndihmë mjekësore, thotë mjeku Filip Cfarku, rritet edhe nga fakti se një pjesë e mirë e tyre, vijnë edhe nga fshatrat, për mungesë të këtij shërbimi në fshatra dhe komuna. Vetëm në ambientet e pediatrisë së këtij spitali presin për çdo ditë mbi 30 fëmijë të moshës 0 deri në 14 vjeç, për të marrë ndihmë mjekësore. Ndërsa në repartin e urgjencës, kjo shifër është edhe më e madhe, ku një pjesë e madhe e tyre marrin mjekim dhe trajtohen në kushtet e shtëpisë. Shenjat kryesore të të prekurve me virozën gripale, janë dhimbjet e kokës, temperaturë e lartë dhe të vjella. Por në asnjë rast, thotë mjeku me përvojë të gjatë pune, Hasan Lleshi, nuk kemi konstatuar të prekur nga meningjiti. Mjekët rekomandojnë për fëmijët dhe të moshuarit, një kujdes të veçantë nga ana e prindërve të tyre, për të eliminuar komplikacionet, ku më kryesorja mbetet konsultimi me mjekët, konsumimi i sa më shumë lëngjeve dhe mbajtja në ambiente të ngrohta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›