E Diel, 1 Nëntor 2026

Test i veçantë për personat me aftësi të kufizuara

Personat me aftësi të kufizuara, që ndjekin vitin e fundit të shkollës së mesme, do t‘i nënshtrohen një testi të veçantë, të përshtatshëm për kapacitetin e tyre fizik. Sipas Ministrisë së Arsimit, këta persona do të trajtohen në veçanti. "Për personat me aftësi të kufizuara, MASH-i, në bashkëpunim me shoqata që operojnë në këtë drejtim, marrin masa të veçanta në përshtatje me aftësitë e tyre për t‘iu dhënë mundësi t‘i shprehin tërësisht ato", deklaroi Ndriçim Mehmeti, përgjegjës i sektorit të arsimit të mesëm. Numri i personave me aftësi të kufizuara në shkolla është relativisht i ulët. Gjithsesi, Ministria e Arsimit merr masat paraprake për testin e tyre në provim. Kështu për personat që nuk shikojnë testi do të ketë elemente braile (shkrim për të verbër). Po kështu, krahas mësuesve ata do të mbikëqyren edhe nga persona të shoqatës për t‘i ardhur në ndihmë gjatë kohës së testimit.

Për t‘u ardhur në ndihmë maturantëve, jo vetëm atyre me aftësi të kufizuara, AVA ka botuar testet e viteve të kaluara. Kështu, nxënësit kanë mundësi të zgjidhin pyetje nga lëndët me zgjedhje dhe ato të detyruara, të ngjashme me ato që mund t‘u bien në provim. Testi i lëndëve me zgjedhje këtë vit përmban 40 pyetje në total, ku gjysma e tyre janë me alternativa dhe gjysma me zhvillim. Pra, kemi teste më të vështira për të gjithë kategoritë e nxënësve. Ngarkesë kjo që do të ndihet edhe tek ata me aftësi të kufizuara.

Shumicën e pikëve kandidatët i fitojnë nga pyetjet me zhvillim. Sipas MASH-it, një kandidat shpallet fitues në sajë të këtyre përgjigjeve, pasi ato kanë në total 60 pikë nga 20 që kanë pyetjet me alternativa. Ka më pak se katër muaj në dispozicion për t‘u përgatitur për konkursin, pasi më 10 korrik zhvillohet në mbarë vendin provimi i dy lëndëve me zgjedhje. Testet që po përgatiten nga AVA për këtë vit kanë një ndryshim krahasuar me ato të para një viti. Për dy lëndët me zgjedhje, testi ka 40 pyetje, gjysma e të cilave me zhvillim. Maturanti do të zgjidhë ushtrimet dhe të plotësojë testin e dy lëndëve për 4 orë, nga dy për secilën lëndë. Ata do të qëndrojnë pa lëvizur gjatë gjithë kohës në sallën e provimit. Lëndët me zgjedhje janë kusht për përzgjedhjen e maturantëve që do të vazhdojnë universitetin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›