E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari A2 plotësohet pas provimeve

Maturantët do të japin provimet e maturës dhe më pas do të konkurrojnë për shkollë të lartë. Ndryshe nga vitet e mëparshme, Formulari A2 i degëve plotësohet nga të rinjtë vetëm pas provimeve. Ndryshimin në procedurën e regjistrimit në fakultete e sqaron për "Shqip" zv/ministrja e Arsimit, Adriana Gjonaj. Sipas saj, Formulari A2 këtë vit do t‘u mblidhet maturantëve vetëm pasi të kenë dhënë provimet e maturës. "Ata që kërkojnë të studiojnë në fakultete duhet të njihen më parë me rezultatin e provimeve dhe më pas të zgjedhin degën ku do të regjistrohen", tha Gjonaj. Kjo, sipas saj, bëhet për të lehtësuar të rinjtë dhe për t‘iu lënë kohë të marrin vendimin e duhur për të ardhmen. "Nuk ka pse një maturant të bëjë regjistrimin në konkurs pa ditur se sa pikë merr realisht", sqaron Gjonaj, duke shtuar se "një vit më parë kishte shumë pakënaqësi të kësaj natyre". Maturantët zgjedhin gjithnjë degë shumë të kërkuara, ku konkurrenca është e fortë dhe më pas pendohen se pse nuk e morën një degë tjetër, ku mund të fitonin realisht. Kështu, konkurrentët e këtij viti do të japin katër provime, dy të detyruara e dy me zgjedhje dhe më pas do të dorëzojnë Formularin A2 me preferencat e tyre për degët universitare.

Sipas zv/ministres, Formulari A2 përmban të gjitha degët e universiteteve shtetërore në vend. Si një vit më parë, kandidatët do të kenë mundësi të zgjedhin 10 nga 100 degët e mundshme. Pra, janë 10 preferenca në Formularin A2.

Ndërkohë, maturantët sapo kanë dorëzuar Formularin A1, i cili përmban të dhënat e tyre personale, si dhe lëndët me zgjedhje që do të japin provim. Pritet që brenda këtij muaji drejtoritë arsimore të dërgojnë në AVA këta formularë.

Ndërsa Formulari A2 është duke u formuluar nga Ministria e Arsimit dhe më pas do të shumëfishohet e shpërndahet nëpër shkolla brenda muajit maj. Maturantët do të përfundojnë shkollën në fund të majit dhe do të nisin menjëherë provimet e maturës. Të detyruara këtë vit janë gjuhë-letërsia dhe matematika. Ndërsa si edhe vitet e kaluara janë dy lëndë me zgjedhje përcaktuese për shkollën e lartë.

Lënda e gjuhë-letërsisë është më datë 9 qershor dhe matematika dy javë më pas, pra më datë 17 qershor. Këto janë të detyruara për të marrë dëftesën e shkollës së mesme. Ministria e Arsimit bën të ditur se provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në shkollat e mesme të përgjithshme, me kohë të plotë zhvillohen në të njëjta data, 9 dhe 17 qershor. Në provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, për herë të parë do të jepet edhe lënda e gjuhës frënge.

Po kështu, lënda e njohurisë për shoqërinë është ndarë nga blloku i lëndëve njohuri për ekonominë dhe filozofi, që deri vjet jepeshin bashkë. Këtë vit është ndarë edhe grupi histori-gjeografi. Kështu historia dhe gjeografia do të jepen si dy lëndë me zgjedhje të veçanta. Pra, lëndët me zgjedhje, që do të kenë mundësi të zgjidhen nga maturantët, janë të shumta. Pra, nga 7 lëndë të mundshme kemi 9 lëndë me zgjedhje.

Në periudhën javore 2-7 qershor shkollat duhet të zhvillojnë konsultime me të gjithë nxënësit për dy provimet e detyruara. Për provimet me zgjedhje, konsultimet e grupuara sipas lëndëve me nxënësit do të zhvillohen pas përfundimit të provimeve të detyruara.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›