E Diel, 1 Nëntor 2026

Alfons Balliçi, mbreti i kitarës që nisi punën në lokalet e natës 11 vjeç

Autori i Lajmit: Denisa Kona

Të ulesh të bisedosh me një mjeshtër si Alfons Balliçi është një kënaqësi e veçantë. Kënaqësi që buron nga kureshtja për të mësuar më shumë mbi jetën e një isntrumentisti virtuoz, pasionin e tij të shndërruar në filozofi të jetuari, por edhe kënaqësinë për të vjelë vlerësimet e tij artistike bashkë me detaje të pazakonta, do të thoshim të rrallëgjendshme. Kënaqësinë e kësaj bisede dëshirojmë ta ndajmë sot me lexuesit e gazetës sonë

Kanë kaluar mbi 63 vjet, qëkur jeta e tij u lidh me kitarën. Alfonsi ishte atëherë fëmijë dhe nuk e kujton se si nisi kjo rrugë e gjatë me këtë mike të çmuar. I është dukur se fillesat e saj shkojnë aq thellë në kohë, saqë i ngjan se ka lindur bashkë me këtë dituri për kitarën. “Nuk e kujtoj dot atë kohë, por nga prindërit di që ushtrimi im në kitarë ka nisur 4 vjeç, ndërsa kujtimet e mia më të para më sjellin ndër mendje moshën 7-vjeçare”, nis të tregojë “mbreti i kitarës”, i madhi Alfons Balliçi.- E fillova me mandolinën, ndërsa më pas, nisa kitarën. Babai im ishte kirtarist, por nuk ishte ai që ma vuri këtë instrument në dorë. E kapa vetë, me intuitë, i nxitur duke e parë atë, kur binte borë dhe kur binte shi. Unë shihja babanë kur luante dhe për mua ishte ushqim”. Kështu, nga dera e familjes elbasanase, po shfaqej një pinjoll që “kishte të shkruar” në genin e tij, çudibërësin në kitarë. As babai, as xhaxhai, as rrethi i kushërinjve të parë që mbanin tradicionalisht të varura në mure kitarat e tyre, nuk dinin se ky mjedis nxitës me tinguj kitarash, do ta dehte në atë masë trurin e Alfonsit të vogël, saqë kjo pije nuk do ti dilte kurrë më. Midis gjithë këtyre qejflinjve të muzikës, njëri do të bënte hapin e madh drejt kulmeve të karrierës artistike. Kur ishte 7 vjeç, djalka hollak u ngjit në skenën e teatrit “Skampa” të Elbasanit, për herë të parë. Atëherë ai kujton se ishte me shtat më të shkurtër se kitara, me shëndet të brishtë dhe kjo kontrastonte aq fort më përmasat e veglës që mbante në dorë, saqë habia e kishte mbërthyer sallën e mbushur plot. Në atë kohë nuk kishte kitara të vogla, të përmasave të tilla që të përshtateshin për fëmijë. Me këtë kitarë për dorë burri, ulur në një karrige burri, Alfonsi gjeti një zgjidhje për të mbajtur ritmin me këmbë. Ngaqë ajo nuk i takonte në tokë, filloi ta lëkundë si lavjerrës dhe këtë moment fëmija -sot burrë i moshuar- e ka fiksuar në kujtesë, bashkë me të qeshurat e publikut.

11 vjeçar, kitaristi më i mirë i Elbasanit, punësohet në orkestër

Alfonsi e nisi studimin e kitarës në mënyrë autodidakte, fillimisht pa nota. Në fillimvitet 50 nuk kishte as shkollë dhe as mësues për këtë insturment. Por i ati, vetë një llogaritar, bëri të pamundurën për ti siguruar metoda. Kur Alfonsi arriti në moshën 11-vjeçare, ishte tashmë kitaristi më i mirë i Elbasanit. Ai kishte marrë vendin e babait. Kështu rekordi në këtë qytet vazhdonte të thyhej brenda së njëjtës familje. Që nga ajo kohë, “babai u dha me mish e me shpirt pas meje,- thotë Alfonsi. -Por unë nuk mbaj mend shumë detaje për të treguar se cilat ishin përpjekjet e babait për të më avancuar mua. Di që vinin shpeshherë në shtëpinë tonë muzikantë, vinin edhe nga Tirana, kastile për të më dëgjuar. Vinin për ti dhënë një mendim babait që pyeste se çfarë do të bëhet me djalin tim: A ta lë këtu apo ta fusim në violinë? Bëra një tentativë për të mësuar flautin, mësova diçka shpejt, por nuk mund të ma zëvendësonte kitarën”, tregon mjeshtri. Edhe pse vetëm një fëmijë, Alfonsi u përfshi në orkestrën amatore të Pallatit të Kulturës të Elbasanit. Dora e tij nuk ishte e madhe, madje edhe sot, si dorë burri mund të konsiderohet relativisht e vogël. Gishtat bien në sy për shkurtësinë e tyre. Por profesor Balliçi na tregon se ai nuk është rasti i vetëm, kur dora nuk bëhet pengesë për një instrumentist, duke sjellë rastin e në kitaristi kubanez, i cili i kishte duart akoma më të vogla. “Është vetë pozicioni i dorës që impostohet dhe të zgjatohen gishtat edhe një herë më tepër, nëse di ta mbash dorën mirë, -tregon një nga “sekretet” e profesionit Alfons Balliçi. -Unë e vendos gishtin jo aty ku vendoset, por shumë më poshtë, kam gjetur një zgjidhje timen”.

Paradite në shkollë, në mbrëmje në lokal

As parë dhe as dëgjuar, që një fëmijë i shkollës 7-vjeçare në një vend si Shqipëria e viteve 50, në vend të librave dhe të topit, të punonte në një lokal nate. Alfons Balliçi e kishte zgjidhur përgatitjen për mësime, me vëmendjen që tregonte gjatë orës së mësimit. “Kjo më mjaftonte”, thotë ai. Rezultatet e tij shkollore mëse të kënaqshme, asnjëherë nuk e bënë problem familjar kohën e paktë që i kushtonte librave në shtëpi. Këtë kohë ai ia kishte falur me gjithë zemër një libri të vetëm: metodës së kitarës. Por, një gjë tjetër i shqetësonte prindërit: I biri kishte nisur punë në një lokal me muzikë në mbrëmje. “Ata bënë çmos që të më largonin, nuk kishte kuptim jeta e kafes, jeta e natës për një fëmijë. Por, unë i vidhesha mamasë nga shtëpia, ndërkohë që babai punonte me kitarë në një lokal tjetër,- tregon muzikanti.-Por, ishte e pamundur të më shqisje mua.”
Student në konservator dhe kitarist tek “Vollga”
Portat e Konservatorit nuk kishin qenë kurrë të lehta për tu hapur nga ata që kërkonin të pranoheshin. Hyrja në Institutin e Lartë të Arteve (që atë kohë thirrej Konservator) pati ngërçin e vet edhe për kitaristin elbasanas. Alfonsi njihte shumë mirë solfezhin, por nuk njihte rregullat harmonike teorikisht. “Dhe më kujtohet se kur më pyetën në konkurs për këtë, unë ngeca,- tregon ai.- Një nga juria, i tha profesorit- Çesk Zadesë: “Ky nuk ka mbaruar lice artistik, vjen nga gjimnazi. Ktheje me shpinë nga pianoja dhe pyete”. Dhe filloi ti bjerë me një notë, me dy, me tre. “O po bjeri me bërryl pianos”, i tha kolegu. Alfonsi edhe këtë herë e kishte zbërthyer notën në këtë larushi tingujsh të përzier. “Këta njerëz na duhen ne, kishte thënë i kënaqur profesor Zadeja. Ato të tjerat mësohen për një muaj në shkollë”. Mw pas, deri nw 70-n, me prof. Çesk Zadenë, Artist i Popullit, ai do tw merrte rregullisht mësime për kompozicion.
Me nisjen e studimeve në Konservator, Alfonsi nisi punë si kitarist tek Hotel “Vollga”, (më pas i quajtur Hotel “Drini”. Ishin vitet 62-64 kur nisi të punonte edhe në hotel “Dajti”. Ishte koha kur kitara e Balliçit po bënte namim në Tiranë. Duke punuar me instrumentistë profesionistë, ai po rritej gjithnjë e më tepër derisa një ditë, krijoi kompleksin orekstral të kitarave elektrike. Ende nuk kishte mbërritur i tmerrshmi i 11-të në RTSh, kur kitara u përfshi në formacion orkestral. Ishte festivali i 6-të i Këngës në Radio Televizion, kur Alfonsi i ri u bë pjesë e formacionit orkestral të Agim Krajkës. Ai do të ishte edhe në formacionin e Gaspër Çurçisë, në formacionin e Ferdinand Dedës etj. Kitara u ngjit në skenën më prestigjioze shqiptare për herë të parë... Andej nga vitet 57-60 nisi të frynte një erë lirie në muzikë, një frymë moderniste që kishte përfshirë edhe vende të tjera të kampit të Lindjes, veçanërisht Bashkimin Sovjetik. Ishin vite të një ushqimi të mirë shpirtëror. “Në dëgjonim Festivalin e Sanremos”, kujton Alfonsi. Këtu nuk shkruheshin pjesë për kitarë (të tilla Alfonsi do ti shkruane më vonë). Pjesët për kitarë i dëgjoja me vesh nga radioja dhe i fiksoja me një të dëgjuar”.

Ditët e arta, njohja me Ferdinand Dedën

“Kur isha afër 18 vjeç, u njoha me Ferdinand Dedën, mikun tim më të ngushtë. U njohëm në një festë në Shelg të Cërrikut, ku festohej përvjetori i një brigade partizane. Që aty, u lidhëm bashkë. Ai ishte nxënës në Liceun Artistik atëherë dhe vinte kastile në Elbasan, për të punuar me mua. Bëmë një grup shumë simpatik. Njohja me këtë njeri influencoi shumë tek mua më pas, sepse Ferdinandi jo vetëm që ishte shumë i talentuar, por vinte nga Tirana, pra përfaqësonte diçka tjetër.” Kështu tregon Alfonsi, për njohjen e tij të parë e më të rëndësishme me një nga personalitetet e ardhshme të muzikës.
Dhe Tirana kishte qenë ëndërr në atë kohë për artistët e gjithë rretheve. (Siç thotë vetë Balliçi, të hyje në festival ishte çmim, e jo më të vije nga Elbasani e të merrje këngëtarët që nuk ishin zgjedhur nga kompozitorët e Tiranës). Alfonsi tregon se njohja me Ferdinandin ndikoi në zhvillimin tim të metejshëm muzikor. “Këtu pata një hop cilësor,- thotë ai.-
Mund të them se ne mësonim nga njëri-tjetri. Ai luante në fizarmonike solo, unë e shoqëroja në kitarë, ose unë luaja solo, ai më shoqëronte në fizarmonikë. Me Ferdinandin “haheshim si macja me miun” se kush do ta gjente notën. Ferdi më angazhoi edhe më shumë dhe truri im, edhe pse i ri, nisi të ekspozohej para një bote muzikore gjithnjë e më pasur.”

Njohja me Agim Krajkën dhe korrespondenca me të

“Në vitet 59, më kujtohet një korrespondencë me Agim Krajkën. Ai, aso kohe më i rritur nga unë, ishte ushtar Ansambël edhe ne mbanim korrespondencë bashkë, edhe pse nuk njiheshim për fytyrë. Unë në Elbasan, ai në Tiranë. Ishim bërë adhurues të njëri- tjetrit. Krajka u kthye në një angazhim shumë serioz për mua, që i kalonte përmasat e adoleshencës sime.” Balliçi kujton se ky angazhim qe shtrirë jo vetëm tek instrumenti, por edhe në fushën e kompozicionit dhe të orkestracionit. Një dorë e mirë talentesh i kishin ardhur muzikës shqiptare: Gaspër Çurçia në trompë, Balliçi në kitarë, Krajka në fizarmonikë, Deda në fizarmonikë e më pas në dirigjim, Vaçja në vokal…

Balliçi: Si durova pa kitarën për 20 vjet

“Zemra më qante për kitarën, por edhe një frikë e brendshme më kishte ndalur. Pas gurgulesë së festivalit të 11-të, pas krijimit të kompleksit të parë të kitarave elekrike në Shqipëri me tri nxënës të shkëlqyer: Fation Benin, Emil Prodanin dhe Dragan Hoxhën, të cilin e drejtova në këtë festival, ku u përfaqësova me këngën “Rruga e Dibrës” të kënduar nga Sherif Merdani, fati për kitarën do të merrte rrokullimën. Të gjithë e dimë se si e pësoi Festivali i 11-të, -tregon Alfons Balliçi, - dhe unë kam qenë në listë. Rrezik për të qenë shok burgu me Sherifin. Nuk di si shpëtova, por di që mu hoq e drejta e krijimtarisë për tri vjet. Që atëherë mora tmerr nga kitara.” Por për fat të mirë, kitara është si noti: Nuk harrohet. Shprehitë muzikore mjeshtri i ruante sepse merrej me muzikë si dirigjent, por kitara ishte kthyer në “alergjizuese”. Edhe kur ia zinin me gojë, i prishej gjaku. Në atë kohë, duke vazhduar të hante bukë si dirigjent i Estradës së Elbasanit, Alfonsi thotë se kishte humbur jo vetëm kurajën, por edhe energjinë për të luajtur në kitarë: “Çtë luaja thotë ai- Këngë popullore? Se gjithë të tjerat ishin ndaluar pas festivalit të 11-të”. Pengu i tij më i madh ishte se asnjëherë nuk i dhanë të drejtë të merrte pjesë në turnetë jashtë shtetit. “Unë përgatisja grupet artistike për jashtë shtetit të Ansamblit “Isuf Myzyri” të Elbasanit, isha drejtuesi artistik, dirigjenti, kompozitori. Kisha detyrë ti përcillja, ti hipja në autobus, tu thosha “Suksese” dhe “Mirardhshi”, por vetë nuk kisha të drejtë të shkoja. Nuk shkova asnjëherë në asnjë aktivitet jashtë vendit.” Kur arriti viti 90, Alfonsi kishte kaluar të pesëdhjetat. Liria kishte mbërritur vonë për të. Tashmë nuk kishte mbetur shumë nga ajo forcë energjike e rinisë, por megjithatë, kishte mbetur pjekuria. Alfonsit nuk i vjen dhe aq keq. “Muzika ndryshon nga sporti thotë ai. Kur vjetërohesh në këtë punë, bëhesh si vera e vjetër”.

Alfons Balliçi ka krijuar 600 materiale muzikore duke nisur nga operetat, pjesët simfonike, pjesët për kitarë, muzikw dramash dhe këngë për festivalet në RTSH. Mban rekord me 7000 orkestracione. Ka marrë dy herë çmime kombëtare në Festivalin e RTSH: “O moj shami shpalosura” dhe “Prehri yt o nënë (kënduar respektivisht nga A. Zonja dhe K. Dushi). Numèron 26 pjesëmarrje në festivalet në RTSh dhe 24 në Festivalet e Fëmijëve ku eshte nderuar gjithashtu me çmime. Si dirigjent ka drejtuar 200 premiera, ka nxjerrë këngëtarët popullorë Albert Tafani, vëllezërit Zena, Zeliha Asina, Suzana Qatipi, Zina Zdrava etj. Wshtw njw ndwr themeluesit e Ansamblit Popullor “I. Myzyri”- nderuar me çmime ndwrkombwtare. Ka nxjerrë mbi 80 kitaristë që nga viti 70, të gjthë të përgatitur privatisht. Para një viti dha koncertin më të fundit recital me kitarë. Eshtw cilwsuar si njw ndwr 10 kompozitorwt mw tw mirw nw vend. Mw 1968 orkestra simfonike e drejtuar prej tij dekorohet me Urdhrin “Naim Frawshwri” tw Klasit tw Dytw. Mw 72 nw Ansamblin “Tirana” korri sukses si kitarist në Rumani. Prej vitit 68 wshtw anwtar i Lidhjes i Lidhjes sw Shkrimtarwve dhe Artistwve si dhe nw juritw artistike tw aktiviteteve mw tw rwndwsishme kombwtare e lokale.

Titujt
-“Naim Frashëri” i Klasit të Tretë
-“Naim Frashëri” i Klasit të Dytë
-Artist i merituar
-Nderi i Qytetit të Elbasanit
-Artist i shquar i qytetit të Elbasanit
-Një sërë çmimesh nga Radiotelevizoni Shqiptar,
Ansambli i Ushtarit, festivalet në rrethe që nga viti 52.

Përpunuesi i këngëve të Isuf Myzyrit

Në fëmijëri, Alfonsi përshtati në kitarë motivet muzikore të këngës elbasanave. Më vonë ai do të punonte shumë mbi këngët e Isuf Myzyrit dhe në mbarim të Konservatorit, do të mbronte diplomën mbi karakteristikat e përgjithshme të muzikës popullore elbasanase dhe në veçanti të këngëve të Isuf Myzyrit. Balliçi ndikoi që të dilnin në pah vlerat e këtij artit popullor nga ana shkencore muzikore. Dhe në vitet 74-75, fill pas dy koncerteve me Estradën e Elbasanit, Isuf Myzyrit iu akordua titulli “Artist i Popullit”.

Improvizues
Alfonsi nuk ishte një instrumentist i thjeshtë. Mjafton të ishte në shtratin e një krijimtarie, qoftë kjo edhe e huaj, dhe e ndryshonte sipas mundësive të tij, natyrës së tij, si e luante një herë një pjesë, nuk e luante herën e dytë. Ai sillte gjithnjë një ngjyrë të re në lojë, të papërsëritshme, me të njëjtat nota, me të njëjtat masa dhe harmoni. Një kitarist si ai Shqipëria duhet të presë shumë kohë që ti vijë përsëri…

“Truri luan me kitarë, dhe kur gishtat më pushojnë”

Alfons Balliçi tregon për incizimet e tij orekstrale në RTSH, të cilat kanë humbur ose nuk jepen pa paguar

Sistemi nervor i ndjeshëm ndaj akustikës është tipar i njerëzve me inteligjencë muzikore dhe kjo ndjeshmëri reflektohet në reagimin më të lartë ndaj ngacmuesve të jashtëm. Të nxjerrësh nga zhurmat e ndryshme, nga ajo grimasë e turbullt e zbardhur kakofonie, atë të pastrin, tingullin, ky është veshi absolut. Njerëz me vesh muzikor ka shumë por me vesh absolut, shumë pak. Balliçi tregon këtë fenomen të rrallë, kur zhurmat e objekteve i shndërrohen në kokë në nota muzikore
-Mjeshtër, çfarë lloj kitare kishit pasur në fillim dhe cila ka qenë kitara juaj më e mirë në rininë tuaj të parë?
Atëherë kitarat kushtonin lirë, babai kishte shumë kitara në shtëpi si qefli i muzikës, 5-6 kitara të varura në mur, por që të gjitha të zakonshme. Zgjodha njërën prej tyre, një kitarë mësimore. Kitara të mira unë nuk kam pasur. Kam pasur një deri vonë kur u bë festivali i 11-të, një kitarë ruse të markës “Llunaçarstvo” me shtatë tela, siç e kanë rusët, kurse unë i bija me 6 tela. U përshtata me të, kishte një tastierë shumë të mirë.
-Keni jetuar bukur me kitarën?
Jashtëzakonisht i kënaqur. Madje, më kujtohet kur ishim në gjimnaz, dilnim me shokët javë për javë, bile edhe mbledhjen e klasës e kthenim në argëtim.
-Profesor, ju i bini kitarës me penzë. A është më komode ti biesh me penzë sesa me gishta?
Jo,ashtu duket. Secila teknikë ka vështirësine e saj. Kur i bie me gishta, luan më të gjithë, kur i bien me penzë, luan me një “gisht”.
-Alfons Balliçi, përveç kitarist dhe kompozitor, edhe dirigjent. Keni drejtuar për tetë vjet orkestrën simfonike të Elbasanit, orekstrën frymore për afro 10 vjet, për 25 vjet keni drejtuar orekstrën e Estradës së Elbasanit. Çfarë funksioni luan shkopi “magjik” i dirigjentit?
Simfoninë e Bethovenit për vit e drejtojnë dirigjentë të ndryshëm. Pçr çfarë do të lindte nevoja, nëse dirigjenti nuk do të kishte rol? Secili e dirigjon në mënyrën e tij. Notat do të luhen siç janë, edhe kohët, por ndryshon mënyra e trajtimit. Dirigjenti është zbatues rigoroz i një partiture, por ai fut botën e tij në interpretimin që i bëhet. Ka të bëjë shumë me formimin muzikor dhe me intuitën e zhvilluar, ka të bëjë me kulturën përkatëse.
-Këngëtari, megjithë intuitën e tij se si duhet ta ndërtojë frazën muzikore, do të ishte mirë të kishte dirigjent...?
Ju keni të drejtë, por në shkollë këtë e bën puna pedagogjike vokale. Por mos harroni një gjë, se edhe vetë këngëtari bën një përshtatje dhe pasurim të krijimit. Pikërisht prandaj është me rëndësi kërkimi i talenteve. Muzika është një proces me kontribut të disa palëve; kompozitorit, dirigjentit, orekstruesit, instrumentistit, këngëtarit.
-Profesor, përse ju nuk po angazhoheni më si kompozitor në festivalet në RTSH?
Unë jam i fyer, se sot po sundon komercionalizmi. Sot gjërat bëhen me studio. Dhe një nga arsyet që mua më ka penguar të shkruaj kohët e fundit, është sepse nuk kam mundësi të përballoj një 300 apo 500 mijë lekësh për një këngë festivali atij që do ta punojë. Madje, duke e dhënë edhe të gatshëm orkestracionin, të gjitha linjat, përsëri më duhet që të paguaj. Kam bërë shumë incizime në vitet 70 për kitarë të cilat nuk jepen më. Ose kanë humbur, unë kam partiturat, por aty duhen riincizuar dhe duhen miliona. Madje, edhe për ti mbledhur këto incizime, nëse janë, përsëri duhet të paguaj. Pra, unë duhet të paguaj veten time, punën time! Këtë nuk e kam kuptuar.
-Pse të paguani studion, kur këngën mund ta luaj orekestra?
Kjo kërkon fonde nga ata që organizojnë festivalet. Ka ardhur koha që orkestracioni të jetë i gjallë, në skenë. Superpozimi është si “mish frigoriferi”. Bile, një këngë që këndohet natën e parë, mund të dalë edhe më bukur natën e tretë pasi është shpallur fituese. Realizimi në skenë jep gjithnjë freski, ngjyra të tjera, nuk del stampë. Festivalet e mëparshëm kishin një bukuri sepse aty dilte forca e krijuesit. Sot forca krijuese është dëmtuar, është dëmtuar orekstrimi- kostumi i këngës. Mund të kesh një copë shumë të mirë, nuk e pret mirë, humbet.
-Ju keni një vajzë. Si ka mundësi që u tërhoq nga fusha e artit, duke pasur një baba me emër?
Ajo ka mbaruar 8-vjeçaren për piano shkëlqyer, por nuk e vazhdoi. Shumë mund të pyesin që si ka mundësi. Por që të vazhdonte pas liceut, Institutin e Arteve duheshin disa kushte studimi që ajo të arrinte maksimumin e saj. Këto nuk i kishte. Por kënaqësia ime më e madhe është kur e ajo shpeshherë në shtëpi luan në piano. Ka një vesh shumë të mirë, luan, improvizon dhe krijon me mua një duet të këndshëm. Por pianoja për të është vetëm një hob, pasi profesion ka stomalogjinë.
-Pse nuk ia mësuat kitarën, si femër do të bënte show, në Shqipërinë e atyre viteve?
Unë ju kuptoj. Ajo, duke patur edhe fatin të ketë babanë kitarist, i kishte shanset, mirëpo asnjëri nuk e mendonte se do të vinte kjo kohë dhe si do të vinte. Nuk mendohej atëherë dhe as nuk kishte lëndë kitare apo degë.
-Profesor, tani që jeni moshuar, çfarë konstatoni me veshin muzikor; bie apo forcohet?
Veshi mbetet si vesh, por mbase nga të dëgjuarit e tepërt, ndjen më shumë tingujt, ai bëhet më absolut, por humb pak përqindja e të dëgjuarit. Ata që kanë vesh absolut, kanë dëgjim pak më të dobët nga të tjerët. Bethoveni përshembull, filloi të humbasë dëgjimin. Deri tani ndihem shumë mirë me dëgjimin, por veshi muzikor më ngacmon sistemin nervor, sepse çdo zhurmë e vogël, më kthehet në tingull.
-Dëgjoni muzikë para gjumit ose në gjumë? Ose, luan truri juaj në kitarë, kur duart nuk janë duke luajtur?
Kush jua ka thënë këtë? Po, është e vërtetë. Nëse kam qenë i angazhuar me muzikë klasike, truri angazhohej me të, nëse kam qenë i angazhuar me muzikë popullore, nisnin variacionet popullore, por mbi të gjitha motivet për kitarë. Madje, një pjesë e trurit nuk mendonte se duhet të prodhonte instiktivisht dhe kjo prapë ndodhte.
-Nëse do të kishit jetuar në një shoqëri të lirë që në kulmin e rinisë suaj, mendoni se do të kishit bërë më shumë nga sa keni bërë dhe se do të kishit një karrierë të përmasave përtej kujfijve? A ndjeni keqardhje që nuk keni mundur të luani në ndonjë nga skenat e vendeve qoftë edhe atyre rreth nesh?
Dëshira është edhe për një amator për të luajtur jashtë. Ballafaqimi është shumë i dëshiruar, por ne nuk patëm mundësi. Nëse do të kisha mundësinë të isha ballafaquar, do të kisha ecur edhe më shumë si kitarist, por si muzikant i përpunimit të muzikës popullore- (që e kam shumë për zemër), unë do të thosha se do ti isha shmangur asaj pune. Do të isha marrë ndoshta me muzikën moderne, ndërsa në kushtet ku punova, jam me taban në tokën shqiptare.
-Shoku juaj, Agim Krajka ka bërë emigracion si instrumentist në Amerikë, por ai nuk e mori sadisfaksionin që merr krijuesi në vendin e vet…Çmendim keni?
Po, kjo është e vërtetë se guri i rëndë, në vend të vet. Edhe unë kam punuar dy vjet në Greqi, kam pasur rastin të ballafaqohem me instrumentistë shumë të mirë të Greqisë, në Athinë. Kam punuar në lokale ku çdo natë muzikantët përfaqësonin vendin e vet. Po të kisha qëndruar, do të kisha patur një tjetër të ardhme, por vajta i madh, 55 vjeç e nuk mund ta suportoja. Është një moshë kur fillon të kërkosh pak qetësi. Isha i detyruar të kthehesha, mbi të gjitha sepse vajza filloi shkollën.
-Ju vetëm i bini kitarës apo edhe këndoni me kitarë?
Më thoshte babai, ndjesë pastë, se para se të nisja kitarën, kam pasë një zë shumë të bukur, por sapo fillova kitarën, mu pre zëri. Nuk e kuptoj se cila ishte arsyeja, pse duhet të ndoshte kështu. Por, nuk kam kënduar kurrë, edhe pse do të ishte mirë të isha një kantautor. Pastaj, për ti bërë gjërat në maksimumin e tyre, është e vështirë të këndosh dhe ti biesh kitarës në të njëjtën kohë.
-Ju jeni njëherësh kompozitor dhe studiues muzike. Një mendim: Si e gjykoni një festival fëmijësh pa këngë fëmijësh? Mungon materiali muzikor për ta apo ky material nuk pëlqehet?
“Gjeniu i vogël” është një spektakël që pëlqehet shumë, ka dhënë vlera, por fëmija në asnjë mënyrë nuk mund të këndojë këngën e të rriturit, si ndërtim muzikor, siç këndon këngën e posaçme për moshën. Shohim çjerrje zërash, shohim kombinacione të paarritura, nota të poshtme që nuk janë të qarta. Dhe pse bëhet kjo punë? Nuk arrij ta kuptoj. Kjo gjë dëmton edhe vokalin e fëmijës. Këngë fëmijësh ka, ka festival në disa rrethe dhe festival kombëtar. Unë shoh që zgjedhin këngë më të efektshme, pa menduar se i dëmtojnë. Këngë të bukura për fëmijë ka në shqip dhe të huaja plot.

Kitara e survejuar

Mbrëmja e Komitetit Qendror, kur më hoqën nga orkestra që do të luante para Enverit

“Ti Alfons Balliçi, duhet të largohesh. Nuk na duhet kitara”

Alfons Balliçi kujton periudhën studentore si më të bukurën e jetës së tij, edhe pse e mbushur me nga ato sinjalet e frikshme, që vinin herë pas here. Në atë kohë, kitara e tij kërkohej nga të gjitha fakultetet dhe gjimnazet e Tiranës. Që të kishin Alfonsin, të rinjtë duhet të paguanin diçka simbolike por sidomos të prenotonin që një ose dy muaj para. Por në një rast, koncerti i kitaristit të ri, për pak sa nuk degjeneroi në arrestime të rinjsh, që nën efektin e muzikës dhe të ekzaltimit në grup, bënë të mbërrinte menjëherë gazi i Sigurimit. “Isha student,- tregon Alfonsi dhe në Kinoklubin “Studenti” bëheshin zakonisht mbrëmje. Në një nga këto, “kërciti” keq. Aty luajta këngët e Elvis Preslit. Unë nuk di se çkam bërë aty, nuk lashë gjë pa provuar me kitarën. Por, më pas, ky gëzim na doli për hundësh. Dikush lajmëroi dhe në kinoklub mbërriti gazi i Sigurimit për të parë, ndoshta për të më marrë edhe mua. Vetë shokët e mi studentë më fshehën, më ruajtën. Hapën fjalë se “Alfonsi ka ikur, por ishim pak në qejf, kaq, nuk ndodhi ndonjë gjë e madhe.” “Me kaq u mbyll kjo histori,- tregon sot kitaristi i vjetër.-Por kjo ngjarje më la gjurmë të thella. Kam pasur sinjale të tilla të vogla herë pas here, por e kam ruajtur veten.”
I pyetur se si e ka ruajtur veten një kitarist që do të bëjë gjithçka në kitarë, ai thotë: “Nuk e kalova më masën kurrë në ekzekutim, luaja gjëra që i merrja me mend se sa lejohej të luhej, përdorja intuitën për të kuptuar se deri në cilën masë ishte “normale” të shfaqej pasioni. Sepse kitara i jepte flakë rinisë së asaj kohe…”Alfonsi nuk hoqi dorë nga kitara, por ama, mbeti në vetëcensurim, ndërsa duke i rënë kitarës për vetveten gjërat e magjishme nuk mund të prodhoheshin, sepse siç thotë vetë “ është e pamundur të ekzaltohesh vetëm, pa pasur një rreth miqsh apo publik. Në skenë unë gjithnjë improvizoja dhe gjërat më të bukura aty i bëja”. Por me gjithëse ai “e përmbante” kitarën e tij, përsëri ajo nuk shihej me simpati në qarqe të caktuara. Ishte Festa e Vitit të Ri që bënte çdo vit Komiteti Qendror. Orkestrantët po bëheshin gati, kur Alfonsin e thërret një nga njerëzit e afërt te Hoxhës dhe i thotë: “Ti Alfons Balliçi, mund të shkosh. Nuk na duhet kitara sonte”. “Më erdhi shumë hidhur, u preka shumë,-tregon kitaristi,- sepse të themi të drejtën, kush ishte ai që në atë kohë, nuk donte të luante para Enver Hoxhës?...”.

-Prof. Alfonsi, në rrethe artistike thonë se kitara nuk kërkon ndonjë vesh të fortë muzikor, sikurse instrumente të tjera si pianoja. Thuhet se është diçka që mësohet, pedagogjike…
Kjo interpretohet gabim. Kitara është një instrument me korda dhe si e tillë, Bethoveni e ka quajtur kitarën pianon e fukarait. Ka dy gjëra: Mund të jesh kitarist shumë i mirë, por duke mos pasur një vesh të mirë, nuk je në gjendje të shoqërosh tjetrin. Për mua e saktë është kjo, se kitara edhe më shumë se pianoja kërkon një vesh të zhvilluar, sepse në piano me të djathtën luan melodi, ndërsa shoqëron me të majtën, kurse kitara, kur flitet për akompanjim, bën vetëm shoqërimin, kështu që kërkon një vesh të hollë. Dhe mbi të gjitha, e rëndësishme është se pavarësisht sa të fortë e ke veshin, ajo ta stërvit shumë, të bën muzikant.

Martesa
“Gruaja ime u ambientua shumë shpejt me mua. Ajo ka mbaruar për veterinari, por i ra kismeti të jetonte me mua, të degjonte kitarë nga mëngjesi në darkë. Gruaja, jo vetëm që nuk ka shprehur kurrë pakënaqësi, por madje i ka mësuar edhe disa akorde vetë, disa i dinte që më përpara. Unë nuk kam punuar fare me të, por ajo vetë ishte e dhënë duke pasur edhe një vesh shumë të mirë muzikor. Tani me raste i bie ndonjëherë”

Ky lajm është publikuar: 25/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›