E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sandër Prosi, aktori i mirënjohur dekorohet “Nderi i Kombit”

Autori i Lajmit: Redaksia

Sandër Prosi, aktori i mirënjohur dekorohet “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës Bamir Topi. Artistin e madh të skenës dhe të kinematografisë shqiptare, aktorin e pakrahasueshëm Sandër Prosi pas vdekjes, me motivacionin si personalitet i shquar i skenës dhe i ekranit me kontribute të çmuara në krijimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të artit teatral dhe kinematografik shqiptar. “Ai ishte një artist i fjalës. Një nga më të mëdhenjtë e fjalës shqipe. Fjala për të nuk kishte sekrete, ai ishte i pushtetshëm ndaj saj pikërisht në kohën kur fjala dhe liria e saj kishin marrëdhënien më tragjike në këtë vend. Sandër Prosi ishte një nga kolonat e artit të shtatë në Shqipëri.” u shpreh Presidenti Topi. Duke ju rikthyer interpretimeve dinjitoze të Sandër Prosit, Presidenti i vendit mori shembull filmin nëntori i dytë ku sipas Topit vetëm artistë të mëdhenj si Prosi skalisin si reale figura të mëdha historike siç ishte dhe ajo e Ismail Qemalit. “Në kujtesën tonë Burri i Pavarësisë është skalitur nëpërmjet interpretimit të Sandër Prosit, një imazh që kurrë nuk mund të tjetërsohet e ndoshta as të tejkalohet. Ashtu siç e kemi të vështirë të ndërrojmë perceptim për Skënderbeun, pavarësisht nga gravurat që shohim, sepse të gjithë kemi në zemër bustin e Odise Paskalit, po ashtu Ismail Qemali për ne, është ai i “Nëntorit të dytë”. Ndikime të tilla i shkakton vetëm arti i madh.” u shpreh Presidenti. Në ceremoninë e dekorimit të aktorit të madh, ishin të pranishëm aktorë, regjizorë, kineastë dhe personalitete të larta të artit shqiptar. Në emër të tyre përshëndeti djali i aktorit Sandër Prosi: “Ju falenderoj për fjalët vërtet shumë prekëse, të thella të thëna në adresë të babait tonë! Ju falenderoj shumë edhe për dekorimin që ju e bëtë sot në 25-vjetorin e vdekjes së tij! Dua të falenderoj shumë edhe kolegët bashkëpunëtorë të krijimtarisë artistike, një pjesë e mirë e të cilëve është në këtë sallë. Së fundi do të falenderoja me shumë respekt dhe do të shprehja një mirënjohje të thellë për dy persona që unë mendoj se kanë një vend shumë të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në jetën e tij qoftë private, qoftë artistike. Kam parasysh bashkëshorten e tij, zonjën Filomena dhe mikun artistë të tij, operatorin, regjisorin e famshëm Viktor Gjika.” Dekorimi i aktorit të madh nga kreu i shtetit përkon me 25 vjetorin e vdekjes së tij.
Ky lajm është publikuar: 25/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›