E Diel, 1 Nëntor 2026

Alfred Moisiu: "Si e përdorte Enveri Sigurimin e Shtetit për të dënuar gjeneralët e ushtrisë!"

Leci Nr.2 / Botim
Dëshmi e Pjetër Arbnorit
Gjeneralët e luftës, banorë të Burgut të Burrelit
Dokumentet arkivore por dhe dëshmitë e shumta të gjeneralëve dhe ushtarakëve të tjerë që u dënuan me burgime e internime gjatë viteve të socializmit, sjellin statistika rrëqethëse rreth fatit të qindra ushtarakëve madhorë të vendit. Edhe pse me merita të padiskutueshme gjatë luftës, gjeneralët dhe drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Shqiptare nuk mundën t'i shpëtojnë pushkatimit apo masave të tjera të rënda. Ushtarakët e luftës, por dhe ata që ringritën ushtrinë e hodhën bazat e mbrojtjes së vendit, ndër dekada, kanë mbipopulluar burgjet shqiptare. Ja dhe një dëshmi e dhënë në të gjallë nga Pjetër Arbnori, ose i quajturi dhe "Mandela i Shqipërisë":
"Krime të panumërta, të shëmtuara, të dokumentuara, kanë dalë në dritë nga e kaluara komuniste. Sipas përcaktimit të Sejfulla Malëshovës, Partia Komuniste ka qenë parti banditësh e kriminelësh, që të vriste pas shpine, që vriste edhe shokët e vet. Në burgjet e diktaturës, përveç nacionalistëve kishte gjeneralë ushtrie dhe ministra, që pa frikë mund thoshe se ishte Tirana apo Burgu i Burrelit, kryeqyteti i Shqipërisë. Në qelitë e burgut të Burrelit ishte pothuaj i gjithë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Partizane, ishin komandantët e brigadave, ndërsa jashtë kishin mbetur vetëm disa mumie, të cilëve ende nuk u kishte ardhur radha për t'u izoluar. Duhet t'i dinë njerëzit e ndershëm anekënd Shqipërisë këto fakte rrëqethëse". (P.Arbnori, Deklaratë në TVSH. Arkiva prill-maj 1966)
Përpjekja që dokumenti arkivor të bashkëngjitet dhe me dëshmi të ushtarakëve madhorë të mbijetuar nga diktatura, mendoj se është një nga të veçantat në studimin e Lecit, pjesë të të cilit po japim për lexuesin.
Kujtim Boriçi
Ekskluzive/ Në këtë numër, studiuesi Elmas Leci sjell dokumente arkivore e dëshmi lidhur me raportet dhe ndëshkimet e rënda të Enver Hoxhës e regjimit të kohës ndaj gjeneralëve e ushtarakëve madhorë që bënë luftën e ngritën ushtrinë, vlerësimet e dy prej të ndëshkuarve, gjeneral Moisiut dhe Kolonel Naim Muhos.
Pohimi mbizotërues i studiuesve rreth faktit se pothuaj e gjithë armata e ushtarakëve madhorë, gjeneralëve dhe kolonelëve që bënë Luftën Nacionalçlirimtare përfunduan ose në pushkatim ose u dergjën dekada nëpër burgje, (me ndonjë përjashtim të rrallë) bëhet më i plotë në konsultë me dokumentet zyrtare arkivore që ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit. Një fakt rrëqethës ka pohuar dhe Pjetër Arnori, i burgosuri politik i diktaturës, teksa konfirmon se i gjithë Shtabi që drejtoi luftën për çlirim, ishin bashkëvuajtës të tij në burgun famëkeq të Burrelit.
Fati i oficerëce të luftës: Pushkatime dhe dënime të rënda
Natyrshëm, atëherë, por më shumë tani shtrohet pyetja: Ç'u bënë oficerët e shquar patriotë që u hodhën në Luftën Çlirimtare Antifashiste? Po Shtabi që e drejtonte atë? Cilët ishin anëtarët që u pushkatuan dhe u dënuan dhe pse? Nga dokumentet zyrtare të AQSH, po sjellim në vazhdim listën e shtabnikëve të ndëshkuar. Dali Ndreu, Zëvendëskomandant i Shtabit të Përgjithshëm, i pushkatuar; Mustafa Gjinishi, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, i vrarë; Gjin Marku, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, vdiq në burg; Bedri Spahiu, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, i dënuar; Ramadan Çitaku, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, persekutuar; Nako Spiro, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, i vetëvrarë; Abaz Kupi; anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, i shpallur tradhtar e armik. Koçi Xoxe, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, i pushkatuar.
Nga 13 anëtarë, 8 të dënuar e pushkatuar. Nga kuadrot komanduese në divizione nga 12 mbetën 5; nga korparmatat, nga 8 drejtues mbetën 2; nga brigadat, nga 76 vetë mbetën vetëm 28.
Ushtarakët madhorë. Në liri, u vranë më shumë se në luftë
...Edhe pse po bëhen gati dy dekada në demokraci, ende vazhdon të lihet disi në hije një fakt rrëqethës, si në asnjë vend tjetër të kontinentit unikal për Shqipërinë; ai i Gjeneralëve dhe Ushtarakëve Madhorë të dënuar në diktaturë.
Lista është e mbushur aq shumë me emra ushtarakësh të dënuar dhe të ekzekutuar, sa të trondit. Gijotina komuniste preu shumë herë më shumë koka ushtarakësh në kohë paqeje sa ç'mori vetë Lufta Çlirimtare Antifashiste. Ja një listë e nxjerrë nga dokumentet arkivore.
Sejfulla Malëshova, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, i internuar; Shefqet Beja; anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, i dënuar me vdekje; Tuk Jakova, Hero i Popullit, Gjeneral-Major, vdiq në burg; Beqir Balluku, Hero i Popullit, ministër i Mbrojtjes, i pushkatuar; Petrit Dume, Hero i Popullit, Shef i Shtabit të Përgjithshëm, i pushkatuar; Rrahman Përllaku, Hero i Popullit, zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm, i burgosur; Muhamet Prodani, Hero i Popullit, Komandant Korpusi, i burgosur; Mehmet Shehu; Hero i Popullit, Kryeministër, i vetëvrarë; Koço Tashko, organizator i Luftës Çlirimtare Antifashiste, i burgosur; Nexhip Vinçani, Gjeneral-Major, Komandant Divizioni, i dënuar; Kadri Hazbiu, ministër i Punëve të Brendshme, i pushkatuar; Abaz Fejzo, Komandant i Mjeteve të Blinduara, vdiq në burg.
Vaskë Gjino, Komisar Brigade gjatë Luftës, vdiq në burg; Todi Naço, Komandant i Artilerisë, dënuar me internim; Halim Ramohito, Zëvendësdrejtor Politik i Ushtrisë, i burgosur; Arif Hasko, Zëvendësministër i Mbrojtjes, i burgosur.
Tahir Kadare, Gjeneral-Major, Komandant Korpusi, i burgosur; Hulusi Spahiu, Gjeneral-Major, Komandant Brigade gjatë Luftës, i burgosur; Islam Radovicka, Kolonel, Komandant Divizioni, i pushkatuar; Pëllumb Dishnica, Kolonel, Komisar Divizioni, i burgosur; Rrahman Ruçi, Kolonel, Komandant Brigade, i burgosur; Koço Theodhosi, anëtar i Qarkorit Korçë, i pushkatuar; Riza Dani, Kryetar i Këshillit ANÇL Qarkori Shkodër, i pushkatuar; Ymer Dishnica, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm NÇL, i dënuar; Sadik Bekteshi, Hero i Popullit, Komisar Korpusi, i burgosur; Gjergj Kokoshi, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, ministër i Arsimit, i pushkatuar; Andon Sheti, drejtor i Zbulimit të Ushtrisë, i pushkatuar; Agron Çomo, Komisar gjatë Luftës, i pushkatuar; Beqir Ndou, Zëvendësministër, i burgosur; Dilaver Poçi, Zëvendës-komisar Brigade gjatë Luftës, i internuar; Dilaver Radëshi, Komandant Batalioni gjatë Luftës, i burgosur; Ernest Jakova, Komisar Batalioni gjatë Luftës, internohet; Enver Sazani, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm NÇL, i pushkatuar; Elami Hado, kuadër batalioni gjatë Luftës, i burgosur; Edip Ohri, Komandant i Aviacionit, i burgosur; Isak Ndreu, Komandant Brigade gjatë Luftës, i pushkatuar; Faik Take, kuadër batalioni gjatë Luftës, internohet; Halim Xhelo, Drejtor i Zbulimit, i burgosur.
Josif Zegali, Shef Shtabi i Xhenios, i burgosur; Kadri Hoxha, Komisar Brigade gjatë Luftës, burgosur dy herë; Llambi Peçini, Komisar Batalioni gjatë Luftës, pushkatuar; Llambi Ziçishti, ministër Shëndetësie pas Çlirimit, pushkatohet; Nexhmi Ballta, Komisar Batalioni gjatë Luftës, i burgosur; Nako Spiro, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, i vetëvrarë; Petro Bollati, Zëvendëskomandant Brigade gjatë Luftës, i burgosur; Ramadan Xhangolli, anëtar i KQ të BRASH-it, i burgosur; Rako Gjermeni, Komandant Batalioni gjatë Luftës, i burgosur; Sali Ormeni, Kolonel, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë pas Çlirimit, vrarë prapa shpine; Sheh Karbunara, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm NÇL, i pushkatuar; Teme Sejko, Gjeneral-Major, Komandant i FLD, i pushkatuar; Taho Sejko, kuadër batalioni gjatë Luftës, i pushkatuar; Vasil Kati, Komandant Batalioni gjatë Luftës, i burgosur. (A.Q.SH, Fondi 14, Lidhja 1, Dosja 1)
Tragjedia në ushtri në gojën e të mbijetuarve
Gjeneralë dhe ushtarakë madhorë, "puçistë" që i shpëtuan pushkatimit, por jo burgimeve, internimeve familjare e ndëshkimeve të tjera, pas kaq dekadash, japin gjykimin dhe vlerësimin e tyre për ngjarjet e rënda, ku në të shumtën e rasteve një pjesë e tyre ishin protagonistë, e më pas viktima...
Gjeneral Alfred Moisiu: "Historia e Ushtrisë Shqiptare është e trishtueshme. Po të flasim për ushtrinë që u riorganizua pas Luftës së Dytë Botërore, duhet ta evidencojmë punën e oficerëve, të cilët ishin patriotë, të vendosur, njerëz që e donin kombin dhe atdheun, njerëz që bënë shumë për shëndoshjen e ushtrisë, që të ishte në gjendje të përballonte çdo detyrë që mund t'i ngarkonte Atdheu.
Ajo që duhet theksuar me forcë, është se ushtria gjatë diktaturës vuajti shumë. Kur themi ushtria, nënkuptojmë oficerët dhe trupën e ushtarëve. Të parët dhe të dytët, vuajtën. Të parët, oficerët, vuajtën shumë e më shumë. Megjithëse oficerët ishin ajka e shoqërisë për konceptin intelektual, ata, siç ishin të parët në sakrifica, diktatura i sakrifikoi, i eliminoi ndër të parët e në mënyrë radikale. Ka pasur spastrime të pjesshme..., ka pasur edhe spastrime masive si në 1974-ën dhe në 1982-in, ku me qindra oficerë të lartë u shkarkuan nga detyrat, u burgosën, u internuan, u pushkatuan, e pësuan si mos më keq. Kjo strategji depersonalizimi, që u zbatua ndaj Ushtrisë Shqiptare, kishte një qëllim të caktuar. Nuk është e vërtetë dhe as ka qenë e vërtetë që ushtarakët shqiptarë të kishin tradhtuar, apo të kishin planifikuar puçe, për të përmbysur qeverinë e asaj kohe. Duhet thënë se nga Enver Hoxha strategjia ishte që, për të justifikuar mos ecjen, të krijohej një imazh se në vendin tonë vepronin armiq të kamufluar, p.sh., në Ushtri dhe atëherë diktatori jepte goditjen. Goditjet më të shumta e më të mëdha i janë dhënë ushtrisë. Në këtë mënyrë, Ushtria Shqiptare spastrohej kohë pas kohe dhe, po ta studiosh me kujdes metodën, Enver Hoxha në spastrimin e ushtrisë zbatonte teorinë e Mao Ce Dunit, të "zierjes e përzierjes së kazanit". Ky i zgjaste ca, jo në 3-4 vjet, por në çdo 7-8 vjet, sidoqoftë, metoda ishte e njëjtë. Kështu, në 1974-ën bën spastrim, në 1982-in bën përsëri spastrim...
Kolonel Naim Muho: "...Kam shërbyer për një periudhë të gjatë në Ishullin e Sazanit, Komandant ishulli. Atje kalova rininë time, atje mbusha plot 15 vjet. Pas kësaj u transferova në Tiranë, Komandant i Korpusit të 4-t. Në vitet 1981, '82 ndodhi vrasja e Mehmet Shehut dhe pushkatimi i Kadri Hazbiut, i pari ishte edhe ministër Mbrojtje, i dyti nga ministër i Brendshëm, ministër Mbrojtje. Ashtu si dhe herë tjetër, në të tilla situata, Sigurimi i Shtetit dhe ai i Ushtrisë u sulën mbi ushtrinë dhe kuadrot e saj. Agim Zemani, ish Shef i Sigurimit të Ushtrisë një nga njerëzit më negativë të këtij organi, bashkë me Zylyftar Ramizin, Nine Xhavarën e të tjerë, u vërsulën si bisha të tërbuara mbi ushtarakët. Vetëm në vitin 1985-1986, janë arrestuar mbi 20 kuadro dhe nënoficerë të ushtrisë. Sigurimi i Shtetit, në bashkëpunim me organet e Hetuesisë e të Prokurorisë të asaj kohe, me shpifje, me intriga dhe me burime të sajuara, nga më të turpshmet, arrestuan e dënuan një masë kuadrosh, pa asnjë fakt e argument juridik".
Gjeneral Alfred Moisiu: "...Ushtria, pa mëdyshje ka qenë objekt i Sigurimit dhe për këtë desha të sjell një shembull: Në vitin 1982, në një mbledhje të Komitetit të Partisë të Ministrisë së Mbrojtjes (ku unë isha anëtar; ende nuk ishte marrë masa ndaj meje, pra ende nuk isha spostuar) ku u diskutua problemi i Shefit të Sigurimit të Ushtrisë të asaj kohe, i cili kish qenë mik i Feçor Shehut dhe u dënua, siç ishte zakoni, filluan ta ngacmonin "thellohu, thellohu" dhe midis të tjerave ai tha se Feçori, shefat e Sigurimit të Ushtrisë i mblidhte një herë në muaj, ku u kërkonte llogari se përse nuk realizonin planin e arrestimeve. Kur kam dëgjuar këtë, të them të drejtën jam tronditur shumë. I bëja pyetjen vetes: Si ka mundësi të bëhen këto me jetën, me dinjitetin dhe me nderin e njerëzve?! E dija që ka plan për grurin, për patatet etj., por plan për të arrestuar e për të shkatërruar jetën e njerëzve, këtë nuk e perceptoja!".
Kolonel Naim Muho: "Dy muaj para se të më arrestonin, mua më dhanë një dekoratë për "Veprimtari të Shquar në Fushën e Mbrojtjes". Por, për çudi, pas dy muaj dekorim, situata përmbyset dhe fillon procesi ndaj meje. Në fillim nisën provokimet në Shtëpinë e Oficerëve të Lushnjës, ku unë banoja. Në dhomën që banoja, atë e kishte pajisur Sigurimi (Agim Zemani, ish-Shef i Sigurimit të Ushtrisë me shokë) me aparaturë përgjimi. Në një kohë që unë po përpiqesha të sqaroja ndjekjen e paskrupullt, më thërrasin në Ministrinë e Mbrojtjes. Oborri i Ministrisë ishte mbushur me "Benza" të zinj, të zinj ashtu siç ishin edhe vetë personat që punonin me to. Në zyrën e Ministrit më prisnin 4 anëtarë të Byrosë Politike me në krye Simon Stefanin dhe më komunikuan vendimin e Byrosë Politike, se shkarkohesha nga detyra e Komandantit për veprimtari të theksuar armiqësore. Më arrestuan dhe, pas hetimesh të turpshme për më shumë se një vit, më nxorën në gjyq, në një gjyq shumë torturues, shumë hijerëndë, të drejtuar nga njëfarë Muharrem Kushe nga Skrapari. Mbas 4 ditësh lojë fjalësh me dëshmitarë të rremë e të sjellë për krahu, oficerë Sigurimi, emrat e të cilëve nuk denjoj as t'i zë në gojë, më dënuan 13 vjet burg. Nuk përshkruhen, nuk përshkruhen tmerret e mëdha të hetimit, llahtaria nëpër kampe, vuajtjet e tmerrshme të familjes, humbja e njerëzve më të dashur. Po përmend shkurt, dy momente: Kur mua më arrestuan, Sigurimi i Shtetit ose më mirë Sigurimi i Diktaturës torturonte edhe familjen time, të përbërë nga 6 femra, 4 vajza të padala në jetë, gruaja e sëmurë dhe një nënë në prag të vdekjes. Ju bënin presione të gjithfarëllojshme për internim në Lushnjë, ndërsa Lenka Çuko, kishte urdhëruar dhe ishte marrë edhe me hangarin ku do të vendosej familja ime. Pastaj e anuluan sepse ajo ishte një lojë e Sigurimit të Diktaturës. E thirrën familjen time dhe i komunikuan se nuk do ta internonin, por do t'u marrin shtëpinë, që ishte qëllimi i tyre, dhe e çuan familjen pranë hetuesit që më hetonte, për të qenë gjithë familja nën hetim, gjithë familja, me spiunë prapa"...
(Vijon nesër)
Në burgjet e diktaturës, përveç nacionalistëve kishte gjeneralë ushtrie dhe ministra, që pa frikë mund thoshe se ishte Tirana apo Burgu i Burrelit, kryeqyteti i Shqipërisë. Në qelitë e burgut të Burrelit ishte pothuaj i gjithë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Partizane, ishin komandantët e brigadave, ndërsa jashtë kishin mbetur vetëm disa mumie, të cilëve ende nuk u kishte ardhur radha për t'u izoluar. Duhet t'i dinë njerëzit e ndershëm anekënd Shqipërisë këto fakte rrëqethëse
Në këtë mënyrë, Ushtria Shqiptare spastrohej kohë pas kohe dhe, po ta studiosh me kujdes metodën, Enver Hoxha në spastrimin e ushtrisë zbatonte teorinë e Mao Ce Dunit, të "zierjes e përzierjes së kazanit". Ky i zgjaste ca, jo në 3-4 vjet, por në çdo 7-8 vjet, sidoqoftë, metoda ishte e njëjtë. Kështu, në 1974-ën bën spastrim, në 1982-in bën përsëri spastrim...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›