Kisha katolike thyen asnjanësinë
Faktet për mbështetjen e kishës katolike ndaj hebrejve në Shqipëri. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Selia e Shenjtë kishte shpallur qëndrimin neutral ndaj palëve në luftë. Dëshmitë e priftit katolik Dom Nikë Ukgjini
Popullsia hebreje në Shqipëri nuk pati të njëjtin fat si në vende të tjera të Evropës, apo në vendet fqinje ballkanike. Në "Ditën e Kujtesës", më 27 janar, Senati Francez e quan "betejë në mbrojtje të nderit të njeriut" atë që Shqipëria ka bërë për hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një nder që në Shqipëri nuk e mbrojti vetëm politika dhe njerëzit e thjeshtë, por edhe Kisha Katolike e parë me shumë dyshime për rolin e saj si përkrahëse e nazizmit.
Dom Nik Ukgjini, docent në Institutin Filozofik dhe Teologjik në Shkodër, sjell fakte konkrete që provojnë mbështetjen që krerët e kishës katolike u kanë dhënë hebrejve në Shqipëri. Fakte të cilat prifti i kryedioqezës së Shkodrës do të paraqesë në konferencën "Dinjiteti i njeriut - Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri gjatë viteve 1933-1944", që mbahet më 27 janar në Paris, në Pallatin e Luksemburgut, me mbështetjen e senatorit Bernard Fournier dhe ambasadorit shqiptar, Ylljet Aliçkaj.
Për Dom Nikën megjithë vëmendjen që shkencat shqiptare dhe të huaja i kanë kushtuar kësaj çështjeje, ka mbetur i pandriçuar qartë qëndrimi i Kishës katolike në Shqipëri ndaj çështjes së popullit hebre në pikun e përndjekjes dhe holokaustit të shkaktuar nga nazizmi gjerman. Arkivat e Vatikanit dhe të Arkivit Qëndror Shtetëror kanë qenë dy burimet bazë të mbledhjes së materialit për të shtjelluar këtë temë. Në ndihmë i vijnë relacionet e të ngarkuarit të Selisë së Shenjtë në Shqipëri në vitet 1938-1945, Mons. Leone G.B. Nigris, ku kuptohet qartazi pozicionimi i Kishës katolike në Shqipëri. "Në shkrimet e tij Nigris flet për raste të shumta, në të cilat del në mbrojtje të njerëzve, të italianëve, gjermanëve, misionarëve të huaj, por mbi të gjitha të hebrejve. Gjatë viteve të pushtimeve, në emër të Selisë së Shenjtë (Vatikanit), dialogonte me të gjitha qeveritë, si italiane (fashiste), gjermane (naziste), si dhe regjencën shqiptare, duke iu përshtatur rrethanave të krijuara e duke ndërhyrë atëherë kur rrezikohej jeta e njeriut, pa kërkuar të bëjë dallime", - thotë Dom Nika. Ndihma që Nigris u ka dhënë hebrejve ishte konkrete, në këshilla, ndërhyrje pranë autoriteteve dhe në para. Një ndër këto raste është ai i 29 prillit të vitit 1944 në Shkodër ku u arrestuan 14 hebrej me pretekstin se "ishte zbuluar një komplot komunist për të hedhur në erë katedralen dhe të fajësonin gjermanët, të cilët kishin pranuar se paguheshin nga hebrejtë e ardhur prej Kosovës". Një rast tjetër është ai i arrestimit në Tiranë të 4 hebrejve, mes të cilëve edhe rabini Leo Thur, të cilit i bënin presion për të treguar emra e adresa hebrejsh të arsimuar. Ishte ndërhyrja e Nigris pranë zv/sekretarit të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrin e Legatës Gjermane, që çoi në lirimin e tyre. Nga arkivat dalin raste të tjera ndërhyrjesh e rekomandimesh nga ana e Nigris, apo Arqipeshkvit të Shkodrës, Mons. Gaspër Thaçi. Sipas Dom Nikës edhe klerikë të thjeshtë kanë ndihmuar në çështjen hebreje. Ai përmend bisedimet e Atë Anton Harapit me gjeneralin Fistum në shtator të vitit 1943, për mbrojtjen e qytetarëve hebrej. Po ashtu, është bërë i njohur rasti i mbrojtjes së albanologut Norbert Jokl nga At Gjergj Fishta. (Për çështjen e Joklit, i arrestuar më 4 mars 1942 përmendet një tjetër emër i shquar, por jo i kishës katolike, Ernest Koliqi, atëherë ministër arsimi, i cili i dërgoi një letër gjeneralit Gianni, që të mund të ndërhynte tek Rajhu në Berlin). Një gjë e tillë ndodhte kur Kisha Katolike ishte pozicionuar neutrale ndaj palëve në Luftë. "Deri në momentin e fundit, Papa Piu XII, u mundua në çdo mënyrë që ta ndalte shpërthimin e luftës. Në këtë drejtim ishin dhe bisedimet e tij me Hitlerin, në fillim të majit të vitit 1939, të cilat mjerisht dështuan. Hitleri duke përdorur moton "njeriu-zot", apo "ose jemi të krishterë, ose gjermanë", hapi shtigje për të filluar luftën, dhe një nga synimet ishte që të shkatërronte kishën katolike dhe hebraizmin, siç theksohej në kronikat e tij. Papa Piu XII si kreu i kishës katolike në botë, nuk mund të bënte tjetër veçse të pozicionohej neutral ndaj shteteve në luftë. Po të njëjtin pozicionim kërkoi që të mbanin edhe mëkëmbësit e tij të shpërndarë në disa vende evropiane",- thotë Dom Nikë Ukgjini.
Përkundër qëndrimit të përgjithshëm faktet tregojnë se kisha katolike në Shqipëri mbajti anën e hebrejve, në një kohë kur në ish-Jugosllavi, mendohet se u vranë rreth 50.000 hebrej, sidomos ne kampin e Jasenovacit, në Kroacinë e sotme dhe kampe të tjera. Në fund të Luftës, në Shqipëri numëroheshin 2500-3000 hebrej t