Koha e artë e Mbretëreshës Elizabetë
Kohët e arta të mbretëreshës Elizabetë vijnë në Kinema "Millennium 2" në Tiranë, më 25 janar. Filmi "Elizabeth, the golden age", prodhim i vitit 2007, është një nga më të diskutuarit gjatë vitit që shkoi, sidomos për interpretimin e aktorëve Cate Blanchet, Geoffrey Rush dhe Clive Owen. Kritika, sidomos ajo amerikane, u rreshtua në të dyja kampet. Disa kritikuan kostumet, të tjerë muzikën. Disa e quajtën një film me shumë lapsuse historike, por pavarësisht gabimeve dokumentare "Elizabeth, the golden age", është konsideruar si filmi më "rrëqethës", kushtuar kësaj figure historike. Pozitivisht është vlerësuar edhe loja e aktores Cate Blanchet në rolin e mbretëreshës Elizabetë. Është quajtur një film anti-katolik, madje e kanë krahasuar edhe me "Kodin e Da Vinçit". Filmi me regji të Shekhar Kapur evokon kohën e mbretërimit të Elizabetës së Anglisë. Ngjarjet zënë fill në vitin 1585, kohë në të cilën Elizabeta e Anglisë ende nuk ishte martuar. Ishte në moshë dhe nëse nuk do të sillte pasardhës froni i kalonte kushërirës së saj. I ofrohen mbretër e dukë, por Elizabeta i refuzon të gjithë. Rrugëtimi i mbretëreshës kalon nëpër konflike politike, grushte shteti, letra sekrete dhe luftëra.