E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapen tre shekuj libra

 
Biblioteka e vjetër kombëtare, pas tetë vjetë punime konceptohet si "Libri Europian". Hapësira ku 70% e librave ishin të ndaluara, i shërben nga sot lexuesit me fonde të hapura
Plasari: "Rreth 70% e librit nuk shërbehej, ishte i ndaluar, por i jepeshin disa lexuesve që ishin të besuar
"Janë tre shekuj libra, 250 mijë tituj dhe zotëron letërsia dhe dijet humane". Përmbledhtas, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, na thotë se çfarë përmban kjo pjesë e shndërruar e institucionit që ai drejton e cila hapet sot pasdite në orën 18.00 në prani të kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Kulturës, Ylli Pango.
"Libri Europian" quhet, Biblioteka Kombëtare dikur në Rrugën "Punëtorët e Rilindjes". Më mirë se çdo përshkrim me fjalë situatën e shpjegon ky sllogan reklame për vendin e Pushkinit dhe vodkën: "Ëhere classical tradition meets modern style". Muret e sallave dhe të korridorit janë dekoruar edhe me portrete të çuditshme shkrimtarësh, filozofësh, njerëz të historisë. Në sallën italiane të leximit është varur portreti i Dantes me kurorën e dafinave. Në korridor një grafikë me didaskali "Machiavelli" dhe pranë saj portreti i Federico Garcia Lorkas. Më tej janë salla franceze e leximit dhe ajo angleze ku "duket stili i librit të lidhur britanik" shton Plasari. Për tek salla gjermane na orientojnë portretet e Niçes dhe Shopenhauerit që i ndan një kokë shqiponje me një gjarpër në sqep. Më afër është një simbol modern i letërsisë në gjuhën gjermane, Franc Kafka. Kjo sallë është vënë në funksion të plotë prej pak kohësh në bashkëpunim me institutin "Goethe". Në sallën e leximit të gjuhëve të rralla është varur "Kant agé" një skicë e filozofit Kant në moshë të shtyrë. Një aromë antikuariati si vetë repertori i librave të rrallë që lexuesi mund t'i prekë me dorë, t'i shfletojë dhe t'i lexojë. Prandaj quhen fonde të hapura, është i vetmi shërbim i këtij lloji i kulturës evropiane tek ne. Ka një atmosferë familjare dhe rregulli. Dyshemetë kanë të njëjtin parket të vjetër po i restauruar, ndërsa raftet janë gjatoshë dhe pothuaj të arritshëm deri në majë. Do duhet dhe shërbimi me shkallë.
Rehabilitimi i "ndërtesës së vjetër" të Bibliotekës Kombëtare për t'u vënë në shërbim të përdoruesve ka filluar në vitin 2000, mbasi u rifitua pronësia e humbur (1997) mbi të e BK. Gjendja e saj tërësisht e degraduar kishte shkaktuar jo vetëm nxjerrjen jashtë përdorimit për lexuesit, por edhe kishte rrezikuar dëmtimin e koleksioneve që ruheshin e shërbeheshin aty. Ishte fjala për rreth 250.000 njësi bibliotekare me vlera të veçanta kulturore europiane e botërore, veçanërisht ato të fondit të përzgjedhur të literaturës filozofike, artistike e shkencore të të gjitha kohërave dhe të gjithë popujve.
"E kam quajtur detyrimin shpirtëror rehabilitimin e kësaj pjese të Bibliotekës Kombëtare" përgjigjet Plasari i pyetur për lidhjet që ka pasur dikur me këtë vend dhe pasurinë e tij në vitet '70-'80. Tregon sportelin e vjetër ku "shërbehej" falë punonjëseve besnike libri i ndaluar. Kjo bibliotekë ka pasur fond shumë të pasur erotik. "Rreth 70% e librit nuk shërbehej, ishte i ndaluar, por i jepeshin disa lexuesve që ishin të besuar. Është ndryshe tani. Ka libra të Mussolinit dhe të Marksit. Një bibliotekë kombëtare s'ka të drejtë të bëjë seleksionim."
Në muret e katit të dytë janë varur portreti i Shën Jeronimit në një version pak të njohur, Bajroni me kostum shqiptar dhe një riprodhim i Ali Pashës me Vasiliqinë. Përballë është salla 100 vendëshe e konferencave, dikur salla e periodikëve të huaj shkencorë. "Kemi sallat e leximit të gjuhëve të mëdha, por do të duhej në të ardhmen edhe një sallë leximi e gjuhëve sllave",- sqaron Plasari.
Duke qenë ndërtesë që ruan edhe vlerën dyfish historike, si vend ku më 1912 është shpallur pavarësia e Tiranës dhe më 1920 është vendosur Qeveria e parë e dalë nga Kongresi i Lushnjes në Tiranën e sapobërë kryeqytet, po në vitin 2000 u realizua shpallja e saj "Monument Kulture" i kategorisë II.
Mbas një konsulte të hapur sensibilizuese më 9 tetor 2002, në të cilën morën pjesë përfaqësues të autoriteteve shtetërore, të Trupit diplomatik të akrediatuar në Shqipëri, si dhe të fondacioneve të ndryshme, u fillua puna me ndërhyrjet pjesë-pjesë për rehabilitimin e saj, posaçërisht nëpërmjet investimeve shtetërore si vijon: më 2001: 2.000.000 lekë; më 2002: puna nuk u mbështet; më 2003: 8.000.000 lekë; më 2004: 8.000.000 lekë; më 2005: 8.000.000 lekë; më 2006: 3.000.000 lekë (nuk u realizuan);
më 2007: 36.000.000 lekë (u realizuan vetëm 20.000.000).
"Libri Evropian" për ku hyhet nga porta përballë selisë së ish -të Përndjekurve Politikë, është restauruar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, në bazë të projekteve të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare do donte që përurimi të bëhej kur gjithçka të ishte gati, pasi ka për t'u plotësuar të tjerë elemente të domosdoshme të ruajtjes dhe të sigurisë, - mbikëqyrja elektronike, pikëkontrolli elektronik, kodimi elektronik i koleksioneve, anëtarësimi elektronik etj., të cilat do të eksperimentohen për herë të parë në një bibliotekë me "fonde të hapura". Dje në mbrëmje, ndërsa punëtoret e fundit linin një ditë të lodhshme, Plasari pohonte se projekti i BK ka qenë shumë më dinjitoz se kaq. "Për fat të keq rakordimi i shumë pushteteve është i kufizuar dhe s'është e gjitha në dorën time."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›