Ali Agca: Historia ime, tani në një libër
Historia
Njeriu që u përpoq të vriste Papën: “Interes i jashtëzakonshëm, nga Japonia në Kanada”
Mehmet Ali Agca, njeriu që tentoi të vriste Papa Gjon Palin II në vitin 1981, do të dalë nga burgu më 18 janar dhe në një letër për “Sunday Times” ka konfirmuar se “ka një interes të jashtëzakonshëm për historinë e tij nga Japonia në Kanada”. Për më tepër ai ka pranuar se ka ndërmend të firmosë kontrata milionere për ta kthyer këtë histori në libra e film. Dalja nga burgu u konfirmua nga avokati i tij, Haci Ali Ozhan. Agca, që sapo ka mbushur 52 vjeç, do të dalë nga burgu i Ankarasë në datën 18 janar. Ai u transferua aty në vitin 2000, pasi kaloi 19 vite në burgun roman të Regina Coelit. Në Turqi ai po vuan dënimin për vrasjen e gazetarit Abdi Ipekci, një krim që bëri dy vjet para atentatit ndaj Papës. Sipas “Sunday Times”, Agca është gati të japë një intervistë televizive për 2 milionë dollarë dhe të shesë të drejtat për dy libra (përfshi edhe biografinë e tij), për një shumë të përgjithshme prej 5 milionë dollarësh. Sipas asaj që raportohet nga gazeta britanike, Akca i ka shkruar edhe Dan Brown-it për t’i propozuar një libër me titullin “Kodi i Vatikanit”, që më pas të ndiqet edhe nga një film. Në letrën ku deklaron se është “jashtëzakonisht i shëndetshëm si nga pikëpamja fizike ashtu edhe nga ajo psikologjike”, ai shpjegon: “Plani im është të shpall fundin e botës dhe të shkruaj Ungjillin perfekt. Do të tregoj krishterimin perfekt që Vatikani nuk e ka kuptuar kurrë”. Megjithatë, ai nuk tregon nëse ka ndërmend të flasë për atentatin e bërë ndaj Papa Gjon Palit II. Botues të ndryshëm europianë kanë thënë se ishin të interesuar vetëm për të njohur të vërtetën mbi veprimin që nuk është hedhur kurrë dritë. Agca e qëlloi Papën me armë zjarri në Sheshin e Shën Pjetrit, më 13 maj të vitit 1981.
#